
Rama: Shqipëria, 100% e linjëzuar me politikën e jashtme të BE-së
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, Kryeministri vlerësoi se mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian nuk ka asnjë çështje të hapur.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është 100% e linjëzuar me politikën e jashtme të Bashkimit Europian, ndërsa solli në vëmendje edhe kalendarin shumë ambicioz të dakordësuar me Komisionin Europian për mbylljen e negociatave për anëtarësim brenda vitit 2027.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, Kryeministri vlerësoi se mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian nuk ka asnjë çështje të hapur.
“Kemi pasur një takim si gjithmonë shumë pozitiv. Ashtu siç tha edhe zv/Presidentja mes nesh dhe BE-së nuk ka asnjë problem apo çështje të hapur. Përkundrazi, kemi një linjëzim të plotë në të gjitha aspektet, gjë që shprehet më së miri edhe në politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë e cila është 100% e linjëzuar me politikën e jashtme të BE-së”, tha Rama.
Kryeministri informoi se pjesë e bisedës me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së është sfida e madhe e procesit drejt anëtarësimit në BE, si dhe kalendari shumë ambicioz i dakordësuar me Komisionin për mbylljen e negociatave brenda vitit 2027.
Po ashtu, Rama tha se temë e bisedës ishte edhe rajoni dhe problematikat në rajon, në një moment kur ne kemi të domosdoshëm unitetin dhe stabilitetin e të gjithë rajonit.
“Fatmirësisht të gjitha vendet kanë synim të shpallur strategjik anëtarësimin me BE dhe ky destinacion është një pikë referimi jashtëzakonisht e dobishme dhe ndihmuese për të kuptuar edhe politikën e ditës dhe hapat që të gjithë së bashku duhet të hedhim në të përditshmen tonë, në mënyrë që jo thjesht secili prej nesh të anëtarësohet në BE, por gjithë ky rajon të bëhet pjesë organike e familjes së bashkuar europiane”, shtoi Rama.
Burimi ATSH