
Garancia Evropiane për Fëmijët, Rama: Rrisim financimin për 16 mijë fëmijë me aftësi të veçanta
Kryeministri Edi Rama iu adresua sot me një fjalë konferencës rajonale mbi “Përshpejtimin e Reformave të Kujdesit për Fëmijët drejt Anëtarësimit në Bashkimin Europian”, e cila u organizua në Tiranë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova.

Kryeministri Edi Rama iu adresua sot me një fjalë konferencës rajonale mbi “Përshpejtimin e Reformave të Kujdesit për Fëmijët drejt Anëtarësimit në Bashkimin Europian”, e cila u organizua në Tiranë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova.
Kryeministri vlerësoi se kjo konferencë shërben si një platformë e rëndësishme për forcimin e politikave sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve në rajon.
“Më vjen shumë mirë që një aktivitet i tillë që ka në qendër Garancinë Europiane për Fëmijët realizohet këtu në Tiranë. Garancia Europiane për Fëmijët është një nismë e Bashkimit Europian e cila edhe e vetme do të mjaftonte për t’i dhënë një përgjigje kuptimplotë të gjithë atyre që pyesin se për çfarë duhet BE. Mjafton të shohësh në përmbajtjen e programit të kësaj garancie për fëmijët që të kuptosh rëndësinë e dobisë të të qenit së bashku në familjen europiane dhe thellësinë e të kuptuarit të sensit të solidaritetit në atë familje përmes Garancisë Europiane për Fëmijët”, theksoi Rama.
Kryeministri vlerësoi se Garancia Europiane për Fëmijët synon që të drejtat e fëmijëve t’i sigurojë dhe t’i vendosë në fokusin e jetës së vet të përditshme.
Nga ana tjetër, Rama tha se përmes këtij programi shumëfishohen të gjitha rrugët dhe të gjitha mundësitë që çdo fëmije t’i jepet një shans dhe çdo fëmijë të ketë një perspektivë të mundshme barazie në raport me të tjerët, pavarësisht statusit të ndryshëm.
“Faktikisht nëse shohim ambicien që ka ky program i Garancisë Europiane për Fëmijët dhe i referohemi shifrave mbi të cilat programi është ndërtuar dhe argumentuar është një pasqyrë tejet kuptimplotë për domosdoshmërinë e thellimit të politikbërjes në funksion të fëmijëve dhe për rritjen e ndërveprimit mes të gjithë aktorëve shoqërorë dhe institucional për të siguruar aksesin e barabartë në arsimin cilësor”, shtoi Rama.
Po ashtu, kryeministri theksoi se ky program synon të sigurojë ofrimin e ushqimit të shëndetshëm, përmirësimin e vazhdueshëm të aksesit në shërbimin shëndetësor, kushte të përshtatshme strehimi, zhvillimin e programeve të mbrojtjes së dedikuar për fëmijët, përmirësimin e kushteve sociale për fëmijët me aftësi të veçanta dhe në tërësi për të rritur ndërgjegjësimin shoqëror mbi të drejtat e fëmijëve.
“Të gjitha këto janë pikat kyçe të Garancisë Europiane për Fëmijët dhe në funksion të këtyre pikave BE ka përcaktuar edhe një financim të veçantë që i ndihmon vendet anëtare për të ecur në shinat e paracaktuara përmes dokumentit të Garancisë Europiane dhe për të zbatuar masa konkrete në reduktimin e varfërisë së fëmijëve”, tha Rama.
Nga ana tjetër, kryeministri theksoi se përmes këtij programi synohet ngushtimi i hendekut që është tejet shqetësues në të gjithë hapësirën europiane sidomos si rezultat i goditjes që dha pandemia e disa viteve më parë.
“Këtu natyrisht që financimi i posaçëm i BE-së lidhet me përfshirjen aktive të qeverive kombëtare në partneritet me organizata joqeveritare dhe përmirësimin e infrastrukturës arsimore, sociale dhe shëndetësore, si dhe me programet mbështetëse për prindërit”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi faktin se në të gjitha këto drejtime vendi ka bërë një progres të dukshëm, ashtu sikundër ky progres është një bazë e sigurt për të ndërtuar më tutje duke synuar të përfitojmë aktivisht nga financimi i BE-së.
“Aspekti ynë i financimit por edhe organizmit dhe ndërveprimit me partnerët e tjerë është adresimi i situatës së 16 mijë fëmijëve me aftësi të veçanta të cilët janë përfitues të skemave të tjera të mbështetjes. Por të cilët në këtë fazë dhe në kushtet kur mundësitë tona ekonomike dhe financiare rriten meritojnë një rritje të mbështetjes nga ana jonë”, shtoi Rama.
Burimi ATSH