
Hapen dy klasa mësimore me teknologji të avancuar për fëmijët e shtruar në Spitalin Pediatrik në QSUT
Aktualisht, janë hapur dy klasa mësimore, të pajisura me teknologjinë më të fundit digjitale dhe mjete të nevojshme didaktike, falë modelit që ka sjellë Fondacioni izraelit SASA Setton.

Në muajin shkurt, të këtij viti, nisi ofrimin e shërbimeve për pacientët e vegjël nga e gjithë Shqipëria Spitali Pediatrik i Specialiteteve në QSUNT, me kushte dinjitoze të standardeve europiane për trajtimin e tyre mjekësor, me kapacitet prej 140 shtretërish, si dhe 17 poltrone për pacientët e terapisë ditore, ku parashikohen rreth 35000 konsulta në vit, mbi 24500 ekzaminime të tjera specifike (eko, ct, grafi, timpanografi, spirometri, audiograme etj) dhe mbi 5000 ekzaminime laboratorike përmes konsultës ambulatore pediatrike.
Për herë të parë, pjesë e infrastrukturës spitalore janë edhe mjediset dedikuar shkollës për të asistuar ata fëmijë që kalojnë një kohë më të gjatë në spital.
Aktualisht, janë hapur dy klasa mësimore, të pajisura me teknologjinë më të fundit digjitale dhe mjete të nevojshme didaktike, falë modelit që ka sjellë Fondacioni izraelit SASA Setton.
Përmes një stafi të dedikuar mësuesish, në dy klasat, njëra multidisiplinare dhe tjetra një klasë-studio arti, do t’u ofrojmë fëmijëve të shtruar në spital edukim mësimor si dhe kurrikula të tjera mbështetëse për mirëqenien e tyre emocionale sipas grupmoshës
Kryeministri Edi Rama vizitoi sot sërish Spitalin Pediatrik të Specialiteteve në QSUNT, i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu, për të parë nga afër investimin më të ri.
“Tashmë gati të dyja klasat e mësimit që kemi hapur falë ndihmës së çmuar të Sasa Setton Foundation, ku kemi këtu dhe kryetarin e fondacionit bashkë me ekipin. Dy klasa, të cilat janë, njëra si klasë kolektive për mësimin përmes teknologjisë, por edhe për mësimin sipas kurrikulës së shkollës për fëmijët që janë shtruar pranë spitalit pediatrik dhe një klasë arti për të gjithë programin jashtë mësimor. Kemi vendosur 4 mësues të sistemit arsimor dhe një mësues që është i përhershëm në pediatri, mësuesi i mësimit fillor. 4 mësues, të cilët do jenë pjesë e shkollës të ndërtuar tashmë në spitalin peditarik. Të dyja klasat që tashmë janë funksionale do të ofrojmë mësim, por dhe argëtim për fëmijët, të cilët trajtohen në këtë spital. Kapaciteti është i mjaftueshëm. Jemi përgatitur dhe për mësimin përmes teknologjisë dhe përmes librave, kurrikulës së shkollës, por edhe për mësimin e personalizuar, që falë trajnimit që fondacioni Sasa Setton është duke na ofruar nëpërmjet gjithë metodologjisë së re”, shpjegoi Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu.
Nxënia e dijes do të realizohet në kushtet më optimale sa i përket teknologjisë mësimore, në mënyrë që vogëlushët të ndihen sa më komodë dhe pavarësisht gjendjes së tyre fizike, të krijojnë një përvojë pozitive.
“Kemi ndërtuar dy klasa, njëra është klasë shumë disiplinore, ka teknologji, ka kodim. Ideja është që të sjellim më të mirën, teknologjinë e fjalës së fundit në spitalin e fëmijëve po kështu që t’i motivojmë ata, se ndonjëherë duke qenë në spital kanë një lloj ndjenje turpi. Duam të bëhen më të fortë, të ndihen krenar, të krijojmë një përvojë pozitive. Kemi tre printerë, kemi kodim, kemi syze virtuale që të ndihmojmë fëmijët të mësojnë matematikë, anglisht dhe për trupin e njeriut përmes teknologjisë”, u shpreh përfaqësuesi i Fondacionit izraelit ndërsa theksoi se ekipi i mësuesve është shumë i përkushtuar në detyrën e tyre.
“Kemi një ekip të shkëlqyer mësuesish. Çdo mësues ka një tabletë që të mund të shkojë pranë shtratit dhe ta mësojë fëmijën aty. Kemi dhe materiale në gjuhën shqipe që t’i përdorë mësuesja dhe pjesë e gjërave që po bëjmë është që të vazhdojmë trajnimin me spitalin tonë në Izrael, që mësuesit e spitalit atje të trajnojnë mësuesit këtu. Kemi vendosur 4 mësues për dy klasat dhe po kështu do të nisim menjëherë me trajnimin e vazhduar që të ecim krahë për krah me partneritetin tonë më mënyrë që të thellojmë këtë projekt dhe po kështu për ta zbatuar atë dhe në spitale të tjera”, u shpreh ai.
Së bashku me Kryeministrin në këtë vizitë ishin edhe drejtues të Fondacioni izraelit SASA Setton, të cilët falënderuan ndër të tjera për bashkëpunimin e ofruar nga Ministritë e përfshira në këtë projekt. “Faleminderit që ke caktuar ministre kaq të shkëlqyera sepse bashkëpunimi ka qenë i jashtëzakonshëm në 100%”, u shprehën ata, ndërsa informuan se shkolla ofron programin e matematikës, programin për anatominë e njeriut, programin e anglishtes, të cilat janë mjaft të sofistikuara.
Duke ndarë përvojën e spitaleve në Izrael, drejtuesit e Fondacionit thanë se do të jenë vazhdimisht të angazhuar në zbatimin e metodave të reja të mësimdhënies, si dhe të përfshirjes së kurrikulave që ndihmojnë edhe në trajtimin mjekësor të pacientit.
“Në Izrael kemi së paku 5 spitale, të cilat janë të përqendruara vetëm tek arti, çdo gjë është e lidhur me artin, ka terapi arti, kryesisht në spitalet psikiatrike dhe këtu këtë kanë zgjedhur dhe kanë një kurrikul të veçantë që mëson përmes artit, përmes metodave të artit fëmijët e gjithë grupmoshave, është deri në moshën 18 vjeçare. Këtu nuk është për të gjitha grup moshat, por dalëngadalë do marrim të gjithë informacionin. Kemi këtë sallë arti për fëmijët. E dimë që përdorimi i artit dhe ju si artist e dini, e kuptoni se çdo të thotë të rimëkëmbesh përmes artit. Mund të shprehësh ndjenjat, vështirësitë e tyre.
Sigurisht është dhe biblioteka për fëmijët e vegjël ku mund të luajë lego, ka dhe një tabletë smart. Janë të gjitha funksionet që duhen në këtë sallë”, pohuan ata.
Burimi ATSH