
Hasani me ministrin francez për Evropën: Avancojmë objektivat e Komunitetit Politik Evropian në samitin e Tiranës
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka mikpritur sot ministrin francez të Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka mikpritur sot ministrin francez të Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, i cili ka nisur një vizitë dyditore në Shqipëri.
Gjatë takimit, të dyja palët kanë nënvizuar angazhimin e përbashkët për integrimin evropian, intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Sipas ministrit Hasani, vizita e Haddad është reflektim i marrëdhënieve të veçanta, të shëndosha dhe shumëdimensionale të ndërtuara mes Shqipërisë dhe Francës mike.
Në kuadër të rrugëtimit evropian të Shqipërisë, Hasani vlerësoi veçanërisht angazhimin serioz të Francës në institucionet e BE-së, i cili ka qenë kyç për sigurimin e një procesi të drejtë dhe transparent të negociatave për anëtarësim.
“Mbështetja e palëkundur e Francës në rrugën tonë evropiane është e paçmuar dhe jemi sinqerisht mirënjohës për këtë mbështetje, e cila forcon vizionin tonë të përbashkët për një Evropë të bashkuar dhe të begatshme. Ne shpresojmë shumë që të vazhdojmë të kemi këtë mbështetje, veçanërisht për mbajtjen e Konferencës së Katërt Ndërqeveritare, e cila urojmë të zhvillohet në ditët në vijim, sikurse edhe për hapjen e kapitujve të tjerë të mbetur brenda 2025-s deri në arritjen e objektivit tonë të qartë si kristali: mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027”, u shpreh Hasani.
Pjesë e rëndësishme e takimit të sotëm ishte edhe Samiti i ardhshëm në Tiranë i Komunitetit Politik Evropian, një samit historik që do të organizohet në Tiranë më 16 maj 2025.
Hasani u shpreh se, “Shqipëria ka privilegjin dhe nderin të mikpresë këtë ngjarje të rëndësishme, e cila synon promovimin e bashkëpunimit dhe dialogut mes shteteve të Evropës për sfidat e përbashkëta, duke përfshirë sigurinë dhe stabilitetin. Roli kyç i Francës në themelimin e Komunitetit Politik Evropian është i jashtëzakonshëm, dhe ne do të angazhohemi maksimalisht për të avancuar objektivat e tij gjatë samitit të Tiranës”.
Ndër të tjera, dy ministrat vlerësuan edhe angazhimin aktiv të Francës në Ballkanin Perëndimor, i cili është thelbësor për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.
“Ne e vlerësojmë jashtëzakonisht rolin e Francës në promovimin e një Evrope të qëndrueshme dhe të sigurt”, nënvizoi ministri Hasani.
Burimi ATSH