
Parandalimi dhe hetimi i krimeve zgjedhore, Prezenca e OSBE dhuron pajisje për taskforcën e SPAK
Prezenca e OSBE-së shprehet se mbetet e angazhuar për të mbështetur institucionet shqiptare në forcimin e mëtejshëm të integritetit zgjedhor.

Si pjesë e përpjekjeve për të mbështetur Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhuroi sot sete pajisjesh kompjuterike për të forcuar kapacitetet e taskforcës së re të SPAK-ut për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Prezenca e OSBE-së në Tiranë bëri të ditur sot se pajisjet, ku përfshihen 25 laptopë, 25 printera/skanera dhe aksesorë, do të përdoren nga 13 grupet hetimore në terren si dhe nga struktura qendrore në Tiranë. Grupet në terren do të mbulojnë të 12 qarqet e Shqipërisë dhe do të përbëhen nga prokurorët e SPAK-ut, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), agjentë financiarë dhe personel mbështetës.
Ato do të fokusohen në parandalimin dhe hetimin e veprave penale që lidhen me keqpërdorimin e administratës publike dhe të infrastrukturës shtetërore, si edhe me përfshirjen e grupeve kriminale në zgjedhje.
Kjo asistencë teknike do të pasohet nga trajnime për rritjen e kapaciteteve, të cilat synojnë forcimin e aftësive të prokurorëve të posaçëm, hetuesve financiarë dhe hetuesve të BKH-së për mbledhjen, analizimin dhe hetimin e provave që lidhen me krimet zgjedhore.
Gjatë ceremonisë së dhurimit, në mjediset e SPAK-ut, kryetari i Prezencës, ambasadori Michel Tarran dhe drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, theksuan rëndësinë e mekanizmave të fortë institucionalë për mbrojtjen e proceseve zgjedhore.
“Sot nuk ka të bëjë vetëm me pajisjet, ka të bëjë me fuqizimin e institucioneve që kontribuojnë në forcimin e demokracisë në Shqipëri. Dua të përgëzoj SPAK-un për nismën dhe përkushtimin për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet zgjedhore. Shpresojmë që rritja e bashkërendimit dhe veprimit nga institucionet përgjegjëse do të shkurajojnë shkelësit e mundshëm të ligjit dhe jemi të bindur se puna juaj do të kontribuojë në sigurimin e zgjedhjeve pa ndërhyrje të paligjshme”, tha Tarran.
Nga ana e tij, Dumani vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të OSBE-së.
“Zgjedhjet janë në themel të shtetit demokratik. Ne i shprehim mirënjohjen tonë OSBE-së për mbështetjen e vazhdueshme. Këto pajisje do të ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve të prokurorëve të posaçëm dhe hetuesve në evidentimin në kohë dhe ndjekjen efektive të krimeve zgjedhore”, tha Dumani.
Dhurimi i pajisjeve u bë i mundur si pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje për reformën dhe proceset zgjedhore në Shqipëri”, i cili financohet nga Suedia, Zvicra, Misioni i SHBA-së në OSBE dhe Polonia.
Prezenca e OSBE-së shprehet se mbetet e angazhuar për të mbështetur institucionet shqiptare në forcimin e mëtejshëm të integritetit zgjedhor.