
Qeveria miraton marrëveshjen për shmangien e tatimit të dyfishtë me Lituaninë
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e fundit vendimin për eliminimin e tatimit të dyfishtë me Lituaninë.

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e fundit vendimin për eliminimin e tatimit të dyfishtë me Lituaninë.
Marrëveshja, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Lituanisë, për eliminimin e tatimit të dyfishtë në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe parandalimin dhe shmangien e evazionit tatimor, u miratua në parim.
MSHTD-të lejojnë shmangien e tatimit të dyfishtë, duke përcaktuar se cili nga shtetet ka të drejtë të tatojë disa të ardhura të një entiteti apo personi fizik, ose duke e ndarë këtë të drejtë midis dy shteteve, por pa rënduar tatimpaguesin me tatim të dyfishtë.
Këto marrëveshje synojnë, gjithashtu, shmangien e evazionit fiskal nëpërmjet shkëmbimit të informacionit për të gjithë personat fizikë apo entitetet që ushtrojnë aktivitet ekonomik në të dyja shtetet ndërmjet të cilave është lidhur marrëveshja.
MSHTD-të që janë në fuqi në Republikën e Shqipërisë bazohen në modelet ndërkombëtare për këto marrëveshje të hartuara dhe të përmirësuara nga Organizata për Zhvillim Ekonomik dhe Bashkëpunim (OECD), si dhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Megjithatë, MSHTD- të janë gjithmonë dypalëshe, pra dispozitat e tyre kanë efekt për shtetet kontraktuese që i kanë nënshkruar dhe miratuar.
Dispozitat e MSHTD-ve janë pjesë e legjislacionit tatimor dhe prevalojnë mbi dispozitat e legjislacioneve të brendshme të shteteve kontraktuese. Pra, në çdo rast, kur sipas dispozitave të MSHTD-së ekziston një normë tatimore më e ulët se ajo e legjislacionit të brendshëm ose përjashtim nga tatimi, këto lehtësi apo përjashtime prevalojnë mbi dispozitat e legjislacionit të brendshëm.
Burimi ATSH