Vendosja e tarifave nga SHBA do të shkaktojë një spirale përshkallëzuese të masave proteksioniste

Më 2 Prill Presidenti Donald Trump njoftoi një rritje drastike të tarifave për të gjithë partnerët tregtarë, të paktën 10% për të gjitha vendet dhe shumë më të larta për disa vende të tjera.

President Donald Trump holds a signed an executive order during an event in the East Room of the White House, Tuesday, April 8, 2025, in Washington. (AP Photo/Alex Brandon)

Më 2 Prill Presidenti Donald Trump njoftoi një rritje drastike të tarifave për të gjithë partnerët tregtarë, të paktën 10% për të gjitha vendet dhe shumë më të larta për disa vende të tjera. Nëse këto masa mbeten apo jo në fuqi, mbetet një pyetje e hapur por ato tashmë janë një tronditje për sistemin tregtar global. Vendosja e të ashtuquajturave tarifa “reciproke” prej të paktën 10%, shënon një përshkallëzim dramatik të politikës tregtare të SHBA-së. Presidenti Trump ka theksuar se tarifat “reciproke” janë një përgjigje ndaj barrierave të vendosura ndaj mallrave amerikane nga partnerët tregtarë. Ekonomitë aziatike si Vietnami, Kamboxhia, Tajvani, Malajzia dhe Tajlanda, shumë të varura nga tregtia me SHBA-të, do të jenë më të prekurat dhe do të shohin eksportet e tyre të tatohen rëndë. Produktet nga Kamboxhia do të tatohen 49%, nga Vietnami 46%, nga Tajvani 32%, nga Malajzia 24%, dhe Tajlanda në 37%. Mallrat nga disa ekonomi afrikane si Lesoto, Madagaskar dhe të Amerikës Qendrore si Nikaragua dhe Honduras, gjithashtu do të ndikohen ndjeshëm.

Mallrat nga vendet e BE-së, të cilat zënë 18.5% të totalit të importeve, do të tatohen me 20%; mallrat nga Kina, të cila zënë 13.4% të importeve, do të tatohen me tarifë shtesë 34%; mallrat nga Japonia, që zënë 4.5% të totalit të importeve, do të tatohen me tarifa 24%. Gjithashtu dhe për partnerë të tjerë të SHBA-ve si Koreja e Jugut, e cila zë 4% të totalit të importeve, mallrat do të tatohen me 26%,; nga Tajvani që zë 3.6% të totalit të importeve do të tatohen me 32%; mallrat nga India, që zë 2.7% të importeve, do të tatohen me 27%. Ndërsa një tarifë minimale prej 10% do të zbatohet për të gjitha importet nga Mbretëria e Bashkuar, Argjentina, Australia, Brazili dhe Arabia Saudite. Sipas vlerësimeve të ekonomistëve, kjo rritje do të sillte normën mesatare të tarifave efektive në 26.2% krahasuar me 2.3% në 2024.


Porti i Los Anxhelosit, Kaliforni/Foto nga VCG

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi se “pasojat do të jenë të tmerrshme për miliona njerëz në mbarë globin”, duke theksuar se BE po finalizonte paketën e saj të përgjigjes ndaj tarifave të çelikut dhe aluminit. Kina, e cila po përballet me tarifa totale prej 54%, tha se do të vendosë një tarifë shtesë prej 34% për mallrat amerikane nga 10 prilli. Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, nënvizoi se ishte “thelbësore të veprohet me qëllim dhe me forcë”. Giorgia Meloni, Kryeministria e Italisë gjykon se njoftimi është “i gabuar”, por se vendi i saj do të punonte drejt një marrëveshjeje me SHBA-në për “të parandaluar një luftë tregtare“. Në Republikën e Irlandës, Micheál Martin tha se nuk kishte “asnjë justifikim” për tarifat nga të cilat “askush nuk përfiton“. Anthony Albanese i Australisë tha se “ky nuk është akt i një miku”. Presidenti në detyrë i Koresë së Jugut, Han Duck-Soo tha se “lufta tregtare globale është bërë realitet”. Japonia ka nënvizuar se taksa e saj prej 24% është një masë “jashtëzakonisht për të ardhur keq” dhe shkel parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë si dhe marrëveshjet SHBA-Japoni. Vendosja e këtyre tarifave kërcënon të shkaktojë një spirale përshkallëzuese të masave proteksioniste. BE dhe Kina kanë treguar tashmë gatishmërinë e tyre për t’u hakmarrë duke taksuar produktet e importuara nga Shtetet e Bashkuara. Ky përshkallëzim i tensioneve tregtare duket i mundshëm, madje i pashmangshëm. Në planin afatmesëm, rikonfigurimi i flukseve tregtare do të prekë të gjitha ekonomitë.

Qëllimi i vendosjes së tarifave nga SHBA është në funksion të idesë së ri-industrializimit të ekonomisë amerikane, hapjes së vendeve të punës, të rritjes së të ardhurave dhe përdorimi i tyre si mjet negocimi me partnerët tregtarë. Vendosja e tarifave do të inkurajonte konsumatorët amerikanë të blejnë më shumë mallra të prodhuara nga Amerika, të rrisin sasinë e taksave të ngritura dhe të çojnë në nivele të mëdha investimet në vend. Por në fakt dëshmitë historike tregojnë se tarifat rrisin çmimet dhe zvogëlojnë sasitë e disponueshme të mallrave dhe shërbimeve për bizneset dhe konsumatorët amerikanë, duke rezultuar në të ardhura më të ulëta, ulje të punësimit dhe prodhim më të ulët ekonomik. Tarifat mund të zvogëlojnë prodhimin e SHBA përmes disa kanaleve.

Një mundësi është se një tarifë mund t’u kalohet prodhuesve dhe konsumatorëve në formën e çmimeve më të larta. Tarifat mund të rrisin koston e pjesëve dhe materialeve, gjë që do të rriste çmimin e mallrave duke përdorur këto inpute dhe do të reduktonin prodhimin në sektorin privat. Kjo do të rezultonte në të ardhura më të ulëta si për pronarët e kapitalit ashtu edhe për punëtorët. Në mënyrë të ngjashme, çmimet më të larta të konsumit për shkak të tarifave do të reduktonin vlerën pas tatimit si të të ardhurave të punës ashtu edhe të kapitalit. Për shkak se çmimet më të larta do të reduktonin të ardhurat nga puna dhe kapitali, ato mund të nxisnin amerikanët të punojnë dhe të investonin më pak, duke ndikuar në uljen e prodhimit. Rritja e kostove që rezulton nga rritja e normave të importit mund të ngadalësojë ndjeshëm vendimet për investime për kompanitë dhe vendimet për blerje për konsumatorët.

Në nivel global spiralja përshkallëzuese e masave proteksioniste do të ushqente prirjet për një rënie globale dhe rritje të mprehta të çmimeve. Vendosja e tarifave dobëson zinxhirët e furnizimit dhe rrit pasigurinë për bizneset në një kohë kur rreziku i fragmentimit gjeo-ekonomik është tashmë i lartë. Ekonomistët përgjithësisht pajtohen se tregtia e lirë rrit nivelin e prodhimit dhe të ardhurave ekonomike, ndërsa anasjelltas, barrierat tregtare reduktojnë prodhimin dhe të ardhurat ekonomike. Studiuesit në konsulencën Oxford Economics parashikuan se masat e Trump mund të ndikonin në uljen e rritjes së PBB-së globale nën 2% këtë vit, norma më e dobët që nga kriza financiare e vitit 2008. Pas rritjes globale prej 3.2% në vitin 2024. Tregjet globale kanë vazhduar të bien pas shpalljes së tarifave të SHBA. Treguesi S&P 500 ra 322 pikë ose gati 6%, Dow Jones Industrial Average u fundos me 2231 pikë ose 5.5%, dhe Nasdaq Composite ra 963 pikë, ose 5.8%. Edhe tregjet e tjera të ekonomive të zhvilluara ranë ndjeshëm. Nikkei 225 i Tokios ra me 2.8%, ndërsa Kospi i Koresë së Jugut ra me 0.9%, DAX i Gjermanisë humbi 2%, CAC 40 i Francës në Paris ra 1.6% dhe FTSE 100 i Britanisë ra 1.7%. Sekretari i Thesarit në Britaninë e Madhe, Darren Jones është shprehur në një intervistë për BBC-në se globalizmi siç e kemi njohur deri më tani ka marrë fund dhe se vendimi ka dhënë efekte edhe në tregjet financiare. Të trija indekset financiare të bursave amerikane ranë me 5% të premten e 5 prillit. Ai ka theksuar se : “ vendosja e tarifave përfaqëson një kthesë historike në politikën ekonomike të SHBA-së që deri më sot ka promovuar tregtinë e lirë dhe globalizmin si e ardhmja e një bote që ndërvepron dhe integron ekonominë”. Tarifat “paraqesin qartë një rrezik të rëndësishëm për perspektivën globale në një kohë të rritjes së ngadaltë ekonomike”, tha Drejtoresha Menaxhuese e FMN-së Kristalina Georgieva, duke i bërë thirrje Washingtonit të punojë për të zgjidhur tensionet tregtare me partnerët e tij dhe për të zvogëluar pasigurinë.

Një faktor tjetër i rëndësishëm që e forcon shkallën e goditjes ndaj ekonomisë botërore është fakti se si rivalët ekonomikë të SHBA-së do të reagojnë në mënyrë agresive me vendosjen reciproke të tarifave që mund të përkeqësojnë situatën. Kina njoftoi të premten një sërë kundërmasash ndaj “tarifave reciproke” të vendosura nga presidenti amerikan duke përfshirë tarifa shtesë doganore prej 34% për të gjitha mallrat amerikane dhe kufizimin e eksportit të disa mineraleve të rralla. Kina reagoi ndaj rritjes së tarifave me një taksë reciproke prej 34%, duke shkaktuar sërish rënien e tregjeve. Bursat e SHBA-së u goditën rëndë të premten pas njoftimit të palës kineze. Treguesi “Dow Jones Industrial Average” ra më shumë se 1.000 pikë në fillimin e tregtimit të së premtes dhe ai i S&P 500 ra me 2.8%, duke shënuar rekordin më të keq ditor që nga viti 2020. Mbas përgjigjes së Kinës me tarifa prej 34% për produktet amerikane, SHBA ka vazhduar kërcënimet ndaj këtij vendimi për të dyfishuar tarifat për importet kineze. SHBA ka vendosur sot për një shtesë prej 50%, duke arritur përfundimisht në tarifën totale prej 104 përqind për importet kineze. Mbas këtyre kërcënimeve, tregjet globale përsëri janë tronditur, me aksionet aziatike që pësuan të hënën rënien e tyre më të madhe në dekada. Ndonëse të martën u rikuperuan pak, pasiguria mbetet për shtesën e tarifave të reja që do të vendosen të mërkurën. Gjithashtu goditja e fortë e SHBA ndaj të gjitha vendeve njëkohësisht, do të inkurajojë partnerët tregtarë për të koordinuar përgjigjet e tyre, siç kanë bërë së fundmi Japonia, Koreja e Jugut dhe Kina, gjë që mund të dobësojë pozicionin negociator të SHBA-së.

Burimi CGTN

Lexo më shumë nga

Javët Kulturore Ndërkombëtare nisin me Poloninë

Këtë vit, Javët Kulturore Ndërkombëtare zhvillohen në një moment të veçantë pasi Tirana mban titullin e Kryeqytetit Mesdhetar të Kulturës…

Global 360

Kroacia: Nisma ushtarake me Shqipërinë dhe Kosovën, e hapur edhe për partnerët

Sipas Kroacisë, nismës mund t’i bashkohen të gjitha vendet që, po ashtu, duan t’i ofrojnë mbështetje Kosovës dhe Shqipërisë në…

Diplovista

Rama për median greke: Ligji absurd i luftës duhet shfuqizuar

Ligji absurd i luftës duhet shfuqizuar, deklaroi kryeministri Edi Rama në një intervistë për televizionin grek ”MegaTV”, pjesë të së…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Rikthim në tempullin e poezisë

Tre vite më parë, me 18 shkurt 2022 u nda nga jeta poeti Bardhyl Londo!

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Javët Kulturore Ndërkombëtare nisin me Poloninë

Këtë vit, Javët Kulturore Ndërkombëtare zhvillohen në një moment të veçantë pasi Tirana mban titullin e Kryeqytetit Mesdhetar të Kulturës…