
Nis vulosja e fletëve të votimit nga jashtë, Celibashi: Zarfi do t’u shkojë zgjedhësve deri në tre herë në banesë
Celibashi tha se çdo zarf duhet të mbërrijë në Shqipëri para orës 19:00 të datës 11 maj.

Në Pallatin e Sportit “Feti Borova” pranë Parkut Olimpik të Tiranës nisi sot procesi i vulosjes së fletëve të votimit për votuesit nga jashtë sipas qarqeve dhe vendosja e tyre në zarfin “A” (zarfi i fletës së votimit).
Kryekomsioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi në një dalje për mediet shpjegoi procesin e votimit të diasporës dhe si do të funksionojë dërgesa me postë e fletëve të votimit.
“Ne mendojmë që ta mbyllim brenda kësaj jave. Deri nesër ta mbyllim procesin e vulosjes. Janë dhe emocionet e stafit, sepse duhet të kenë kujdes në vulosjen e fletëve të votimit”, tha Celibashi.
I pyetur se kur nis votimi në diasporë, Celibashi tha se pritet të nisë nga java në vijim.
“Nëse përfundojmë procesin e përgatitjes, brenda kësaj jave do të nisim dhe dërgimin e zarfeve të postës. Pjesë-pjesë, sipas destinacionit, Itali, Gjermani, SHBA etj”.
Celibashi deklaroi se shpërndarja e fletëve, nuk do të bëhet përtej datës 3 maj.
“Koha që do të kemi në dispozicion, nëse nisim shpërndarjen, sipas asaj që kemi angazhuar, brenda një dite për Greqinë, Italinë, do ta kenë zarfin me fletën e votimit brenda postës së tyre. 1,2 ose 3 maj të jetë data e fundit, që të kenë mundësinë që të vijnë, të gjejnë zarfin atje dhe ta marrin”, u shpreh Celibashi.
Celibashi shtoi se “nëse në datën 3 maj, akoma nuk e kemi vendosur, por jo përtej një date të tillë, do duhet llogaritur dhe koha që do kthehet zarfi mbrapsht në Shqipëri, në rastin më ekstrem do të duhet 3 deri në 4 ditë që zarfi të kthehet mbrapsht”.
Postieri do të shkojë deri në 3 herë në adresën e dhënë, në ditë të ndryshme e orare të ndryshme.
Sipas Celibashit “postieri do të shkojë herën e parë dhe nëse nuk e gjen në banesë, do t’i lërë orarin që postieri mendon se do i shkojë herën e dytë. Dhe nëse herën e dytë nuk e gjen do i shkojë herën e tretë. Nëse as herën e tretë nuk e gjen, do i lërë një njoftim që fletën e votimit do mund ta gjejë në zyrën postare”.
Celibashi tha se çdo zarf duhet të mbërrijë në Shqipëri para orës 19:00 të datës 11 maj.
“Çdo zarf, i cili ka në vulën e hyrjes në momentin kur hyn në territorin e Republikës së Shqipërisë, pas orës 19:00 në 11 maj, nuk do numërohet. Pra, çdo zarf duhet të mbërrijë para orës 19:00 më 11 maj”, tha Celibashi.
Sipas kryekomisionerit nuk ka nevojë që votuesi të dalë nga shtëpia dhe ta depozitojë zarfin, mjafton ta marrë në telefon postierin dhe t’ia dorëzojë.
“Votuesi nga jashtë, nuk ka nevojë të shkojë në një zyrë postare. Në momentin që ka mbaruar procesin e votimit, fletën do e fusë në zarfin A, zarfin A në zarfin B dhe më pas në zarfin e postës. Të gjitha këto do të jenë të shpjeguara në fletën udhëzuese nga KQZ. Nuk ka nevojë votuesi të dalë nga shtëpia dhe ta depozitojë zarfin e votuesit, mjafton të marrë në telefon postierin dhe t’ia dorëzojë”, tha Celibashi.
“Ata kanë një protokoll të sjelljes së tyre që nuk kanë asnjë arsye pse ta bëjnë më mirë ose më keq postën. Përgjegjësia për ta është njësoj sikur të dorëzonin një çek bankar ose një gjë tjetër postare. Nga ajo çfarë ne dimë, është tërësisht një qasje profesionale dhe e përgjegjshme”, u shpreh Celibashi.
Burimi ATSH