
Rama: Votimi më 11 maj, investim për pasaportën europiane
Rama, gjatë një takimi me të rinjtë socialistë të Durrësit, u bëri thirrje të rinjve në të gjithë vendin që pavarësisht bindjeve politike të votojnë PS-në, si forca politike që do të integrojë vendin në BE.

Kryeministri dhe njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama bëri të ditur sot se më 11 maj kjo forcë politike do të marrë më shumë se 900 mijë vota. Madje sipas tij, PS pretendon 1 milion vota.
Rama, gjatë një takimi me të rinjtë socialistë të Durrësit, u bëri thirrje të rinjve në të gjithë vendin që pavarësisht bindjeve politike të votojnë PS-në, si forca politike që do të integrojë vendin në BE.
“Pikërisht në momentin e duhur dhe vendin e duhur gjendemi ne, PS. Nuk është dikush tjetër. Është shumë njëlloj me kohën kur në vendin e duhur dhe kohën e duhur u gjend PD në 1991. Ata që votuan PD-në për të mbyllur faqen 50-vjeçare me sistemin komunist, nuk ishin të gjithë me PD-në, dhe nuk është se të gjithë donin PD, por donin të mbyllnin atë faqe dhe e votuan masivisht dhe kaq e vërtetë është kjo sa që në mars e votuan shumë më tepër se sa ishin mbështetës të PD. Llogarinë me historinë, shqiptarët e bënë si duhet dhe mbështetën PD në atë moment. Llogarinë me historinë duhet ta bëjnë shqiptarët më 11 maj si duhet”, deklaroi ai.
Rama theksoi se të rinjtë duhet ta konsiderojnë votimin më 11 maj si një investim për pasaportën europiane.
“Kemi të gjitha arsyet që të kërkojmë një votë përtej mbështetësve tradicionalë dhe përtej simpatizantëve tanë. Por duhet shumë punë, dhe mbi të gjitha duhet që të gjithë ju vajza dhe djem të Durrësit, të bëni çmos që sa më shumë bashkëmoshatarë tuaj të votojnë më 11 maj të investojnë për pasaportën e tyre, që kur të marrin pasaportën, të thonë se edhe unë e kam këtu kontributin, për këtë pasaportë dhe mos t’ju vijë turp që kur ishte momenti në vend që të investonin përgjumshëm, u hodhën në kënetë”, deklaroi ai.
Rama shprehu bindjen se opozita maksimumin e saj të votës e ka marrë në zgjedhjet e vitit 2021 dhe se ata nuk do të mund ta arrijnë më kurrë atë rezultat.
“Ne nuk i kemi as përballë, i kemi mbrapa ata. Ata na gjëmojnë me britma e gërhima. Unë kam bindjen që ata maksimumin e tyre të mundshëm e morën në 2021-shin, dhe nuk do ta arrijnë dot kurrë atë rezultat, deri sa nuk do të dalin nga ajo kënetë”, u shpreh Rama.
Ndërkohë, vijoi ai, PS nuk e ka marrë akoma maksimumin e vet.
“Por, nëse Shqipëria do të do të hyjë në Bashkimin Europian, të gjithë duhet ta dinë që Shqipëria do të hyjë në Bashkimin Europian vetëm si rezultat i votës në 11 maj për Partinë Socialiste dhe për kandidatët tanë”, tha Rama.