
Monitorimi i zgjedhjeve të 11 majit, misioni i përkohshëm vëzhgues i OSBE takim në AMA
Koordinatorja Speciale e Misionit të përkohshëm vëzhgues të zgjedhjeve, Farah Karimi, ambasadori Andreas Nothele dhe Sherif Abdili, zyrtar i Sekretariatit Ndërkombëtar të OSBE-së vizituan sot Autoritetin e Mediave Audiovizive.

Koordinatorja Speciale e Misionit të përkohshëm vëzhgues të zgjedhjeve, Farah Karimi, ambasadori Andreas Nothele dhe Sherif Abdili, zyrtar i Sekretariatit Ndërkombëtar të OSBE-së vizituan sot Autoritetin e Mediave Audiovizive.
Në këtë takim delegacioni u prit nga drejtues të lartë të AMA-s të cilët iu përgjigjën pyetjeve si dhe iu treguan konkretisht sallën e monitorimit ku ndërkohë ka nisur puna për monitorimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 11 majit.
Delegacioni shprehu interes për monitorimin e mbulimit të zgjedhjeve nga mediat audiovizive, mënyra sesi kjo media pasqyron ngjarjet politike dhe jo vetëm, gjuha e urrejtjes dhe e drejta për informim.
Sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, monitorimi i fushatës zgjedhore në mediat audiovizive kryhet nga AMA.
Ky monitorim kryhet në të gjithë territorin ku zhvillohen zgjedhjet dhe Autoriteti i pasqyron gjetjet e veta në raporte të detajuara, të cilat ia paraqet KQZ-së për kompetencë.
Në zbatim të Kodit Zgjedhor, KQZ ka miratuar Metodologjinë e monitorimit të medias audio dhe audiovizive, akt në të cilin parashikohen procedurat dhe teknikat që ndjek AMA, gjatë monitorimit të fushatës zgjedhore.
Me nisjen zyrtarisht të fushatës zgjedhore, ekipet e monitorimit në AMA janë plotësisht të angazhuar në procesin e monitorimit të saj nga mediat audio dhe audiovizive.
Për këtë arsye Autoriteti u ka kërkuar OMSHA-ve ruajten e profesionalizmit në raportim dhe respektimin e kërkesave të Kodit Zgjedhor.
Në thirrjen drejtuar OSHMA-ve, para fillimit të fushatës, Autoriteti u ka kërkuar operatorëve të kenë raportime sa më profesionale dhe etike, analiza të balancuara, organizim të debateve zgjedhore në mënyrë profesionale dhe me etikë komunikimimi, duke shmangur në çdo rast fyerjet apo denigrimet personale mes të ftuarve dhe qëndrimet partizane të moderatorëve.
Kjo jo vetëm në respekt të kërkesave të Kodit, por dhe të interesimit dhe vëmendjes së shtuar të ndjekësve mbi procesin zgjedhor të 11 majit.
Burimi ATSH