Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje nga puna që vijon për ndërtimin e kompleksit të Akademisë së Futbollit Dyrrah City.
Ndërtimi i kësaj akademie futbolli përmbush plotësisht të gjithë kërkesat e zhvillimit të programit të Manchester City Football School dhe akademisë elitë.
Projekti i Kampusit të Akademisë së Futbollit të “Manchester City”, është vepër e arkitektit italian Marco Casamonti, dhe është pjesë e zgjerimit të vazhdueshëm të klubit, krahas 8 shkollave të futbollit të Manchester City, në nivel global.
Akademia do të përdorë metodologjinë e stërvitjes së “Manchester City” për të ofruar edukim futbolli të klasit botëror, duke u kthyer kështu në një mundësi të artë për fëmijët dhe të rinjtë e talentuar, por edhe për futbollistët profesionistë për t’u stërvitur dhe për t’u promovuar në botën e madhe të futbollit.
Kompleksi i ri sportiv, pritet të jetë ndër komplekset më moderne stërvitore në rajon, një impiant sportiv me tetë fusha sportive për të rinj dhe profesionistë, palestra, qendra fizioterapie, ambiente shumëfunksionale, hapësira rezidenciale, ku do të zbulohen, formohen dhe promovohen talentet e reja të sportit më popullor, që është futbolli.
Në kuadrin e marrëveshjes së bashkëpunimit që Manchester City ka lidhur me Fondacionin Dyrrah City Football Academy, si dhe marrëveshjes paraprake që Ministria e Arsimit dhe Sportit ka firmosur në prill 2023, kanë nisur të zhvillohen disa veprimtari për të promovuar projektin.
Burimi ATSH