
Berisha: Alternativa jonë, një projekt transformues për t’i dhënë Shqipërisë një shans të ri
Kryetari i Partisë Demokratike dhe Aleancës Shqipëria Madhështore, Sali Berisha, prezantoi sot në Tiranë, në takimin e Kuvendi Kombëtar të PD-së, programin elektoral për Shqipërinë Madhështore 2025-2029.

Kryetari i Partisë Demokratike dhe Aleancës Shqipëria Madhështore, Sali Berisha, prezantoi sot në Tiranë, në takimin e Kuvendi Kombëtar të PD-së, programin elektoral për Shqipërinë Madhështore 2025-2029.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ka shpjeguar se projekti i PD është një mundësi e jashtëzakonshme për Shqipërinë, duke theksuar se është më i miri që vendi ka parë gjatë 34 viteve të fundit.
Sipas tij, kjo alternativë nuk është një program, por është një projekt aq i madh, aq transformues, por mbi të gjitha aq i realizueshëm sa t’i bëjë shqiptarët të thonë, ne do i japim edhe një shans të ri Shqipërisë.
“Ky projekt që realizojmë ne, nuk ka dalë nga hiçi, as nuk e kopjuam gjëkundi siç bëri Edi Rama pak kohë më parë, as nuk u hartua në tre muaj sa për fushatë elektorale”, theksoi ai, teksa nënvizoi se, janë dashur tre vite të plota për të hartuar projektin e Shqipërisë Madhështore.
Unë, vijoi Berisha, nuk rikthehesha për pushtet, nuk rikthehesha për pasuri, as për luks, nuk kam qenë i interesuar për to as në rininë time, kur unë i jam rikthyer betejës për dinjitetin tim.
“Me arritjen e mëparshme, pluralizmin politik gjatë Berishës së parë, NATO-n gjatë Berishës së dytë, kërkoja diçka që Berisha i tretë të tejkalonte tërësisht të parin dhe të dytin disa herë. Dhe kjo diçka duhet t’u jepte përgjigje halleve dërrmuese të shqiptarëve. Ndaj dhe ne bëmë këtë projekt, duke ditur situatën e rrezikshme ku gjendet Shqipëria”, tha Berisha.
“Ne jemi në kushtet e një pabarazie të madhe ekonomike. Arsimi është rrënuar siç tregon testi i PISA-s. Shëndetësia është shkatërruar siç tregon skandali i Spitalit Onkologjik. Çmimet e larta dhe korrupsioni e kanë bërë ndërtimin e jetës të pamundur për të rinjtë. 45 përqind e shqiptarëve kanë ikur dhe 84 përqind e tyre që kanë mbetur, duan të ikin. Prandaj PD gërmoi në histori për të gjetur se çfarë programesh kanë përdorur vendet që janë gjetur në rrënoja siç gjendet sot Shqipëria pas 12 vitesh narkodiktaturë”, deklaroi Berisha.
Ai tha se, për të nxjerrë programin e realizimit patëm një staf të jashtëzakonshëm, ekspertë të shkëlqyer të të gjitha fushave në Shqipëri, por edhe ekspertë ndërkombëtarë,veçanërisht dy fondacionet më të mëdha konservatore në botë, Konrad Adenauer dhe Heritage Foundation dhanë kontributin e tyre, ekspertizën e tyre në këtë program.
“Me ndihmën e tyre ne kthyem projektin e Shqipërisë Madhështore në një plan konkret, plotësisht të realizueshëm në 4 vite. Tani unë do të njoh shqiptarët me projektin e Shqipërisë Madhështore, që për 29 ditë, do të jetë ëndërr e bërë realitet me fitoren e forcave opozitare”, theksoi ai.
Marrë nga ATSH