Rama: Hedhim hapin përfundimtar drejt bashkimit me Europën

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, u shpreh sot se “kemi shansin historik që të hedhim hapin përfundimtar drejt bashkimit me Europën”.


Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, u shpreh sot se “kemi shansin historik që të hedhim hapin përfundimtar drejt bashkimit me Europën”.

Në fjalën e mbajtur në çelje të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 11 majit, Rama tha se “për përfaqësuesit e popullit socialist dhe progresist të Shqipërisë nis e përpjeta e fundit drejt Europës dhe fundi i historisë sonë jashtë saj”.

Kryeministri theksoi se “përpara nesh është vetëm një datë, 11 maji, e afërt sa 30 mëngjese dhe pas saj është vetëm 1 mandat, i gjatë sa 4 vjet, për ta fituar bastin historik me Europën për Shqipërinë dhe me Shqipërinë për Europën”.

“Këtu nën këmbët tona me qindra e me mijëra pllakëzat e sheshit që mban emrin e profetit, rrëfejnë hijen e gjatë të qenies tonë shqiptare nga njëri cep i vendit në tjetrin, por edhe përtej, tokën e zhuritur nga gjaku, lotët dhe djersa e shqiptarëve në shekujt e shumtë të ekzistencës së tyre, dinjitetin burrnor dhe hijeshinë amësore të kësaj toke, rrëfejnë një copë martire të trupit të Europës, dëshmitare kobesh të padëgjuara dhe përtëritjesh që nuk kanë të dytë nga njëri cep i kontinentin në tjetrin”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se mbi 100 vjet më parë një udhëtar europjan shkruante se: “Ndonëse pak orë lundrimi e ndajnë Italinë nga Shqipëria, teksa zbret në brigjet e saj do kishe vënë bast se ky vend nuk ishte Europë, por ishte Azi”.

“Të thoshe që Shqipëria ndodhet në Azi çdo profesor do të vinte notën zero në gjeografi, por sensi i realitetit do t’ju kishte vënë notën dhjetë, thotë ai. Por ja që koha e deshi, fati ynë i madh e deshi që në këtë shesh të Skënderbeut, kërthizë e mëmëdheut e xhevahir i kryeqytetit tonë europian, i lëmuar si një gur që ka rënë nga yjet dhe i paanë si një det i lundruar nga historia, të kemi shansin historik që të hedhim hapin përfundimtar drejt bashkimit me Europën dhe ndarjes pa kthim me Azinë”, tha Rama.

“Mos e harroni, për këtë bast mbi dy anët e së njëjtës medalje kanë hedhur gjithçka kanë pasur arbërorët dhe shqiptarët që kur se mbi dheun e këtij kontinenti u dëshmua zëshëm në mes të Europës Adriatike, në Dalmaci ajo që At Gjergj Fishta e pati cilësuar ‘e mashkulla gjuha jonë’. Kumti dokumentar i kësaj ngjarje që është pak e përfolur ka ngjyrime etnike për të mos thënë biblike. Gjatë një muaji korrik të vitit të harruar 1284 një dikush i ka lënë kujtesës së shkruar europiane këtë kumt: Dëgjova një zë gjëmues mbi male në gjuhën arbërore… ‘Unë jam zëri që thërras në shkretëtirë’ thuhet në Bibël. ‘Shtrojani rrugët dhe shoshitjani pengesat hapave që depërtojnë historinë prej së lartmi, thotë profeti biblik. Dhe sa të bukur janë hapat mbi male thuhet diku në librin e shenjtë, hapat e atij që sjell sihariqin, shpall paqen dhe shpëtimin”, shtoi Rama.

Rama tha se “bashkë me malet u dëgjua në më shumë se 700 vite më parë zëri gjëmues i arbërorëve mbi shtrojën e kaltër të Adriatikut e Mesdheut, duke i shpallur Europës se ata ishin pema e lashtë e kopshtit e së saj dhe filizi gjithmonë i njomë mes kombeve të saj të plakura”.

Rama tha se jam këtu për t’i shkuar së bashku me ju në një marshim të fundit drejt tokës së premtuar të Europës profetit tonë kombëtar për t’u bërë një me fatin europian.

“Nuk kam ardhur këtu sot që t’ju marr për dore për t’ju zhytur nëpër legjenda, por për t’i shkuar pas së bashku me ju në një marshim të fundit drejt tokës së premtuar të Europës profetit tonë kombëtar për t’u bërë një me fatin europian, që ai atje mbi kalë na e përcaktoi si tonin, që më pas rilindasit tanë, heronjtë e Pavarësisë dhe të gjitha luftërave të mendimit patriotik shqiptar na e konfirmuan ne si amanet përmes një odiseje të pafundme peripecish kalimi malesh e detërash”, shtoi Rama.

Kryeministri u shpreh se “sot na ka zgjedhur ne fati për t’i dhënë shtysën e fundit gurit të pavarësisë, lirisë, barazisë para ligjit duke mos e lënë më të rrokulliset teposhtë si guri i Sizifit, por duke e vendosur njëherë e mirë në këndin e ndërtesës europiane, aty ku së bashku do të ngjisim edhe flamurin më të bukur në botë”.

“Nuk ka në Ballkan një shembull të dytë si arbërori, shqiptari, që në shekuj të pasosur rraskapitës të jetë ngulur si një asket në majë të një shkëmbi për t’i mbijetuar gjithçkaje dhe gjithkujt, shpesh kundër çdo parashikimi”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “nuk ka në Ballkan një komb tjetër më të njehsuar me ndjenjën e përkatësisë ndaj Europë, sesa ky komb e ky popull”.

“Asaj Europe, ku siç e shkruanin rilindasit mbi flamurin e profecisë sonë kombëtare: Dielli lind andej nga perëndon. Duke u dhënë e tëra pikërisht asaj Europe dhe duke u ndjerë e saja në të gjithë tërësinë e vetë, paçka se në sa shumë e shumë kohëra Europa nuk e ndjeu të sajën, Arbëria, Shqipëria ka mundur të fshehë brenda vetes në shekuj thelbin e vetë perëndimor, ta ruajë atë përgjatë çdo persekutimi apo prapakthimi e arratisje drejt Lindjes, ta nxjerrë atë të gjallë nga izolimi më i egër që ka njohur bota komuniste dhe ta kthejë atë në fuqinë më të pandalshme të ribashkimit të vet me Europën”, tha Rama.

Burimi ATSH

Rama nesër me diasporën në Milano: Krenar për Shqipërinë

Ky takim pason vizitën e para dy javëve në Greqi, ku Kryeministri u ndal fillimisht në Kretë dhe më pas…

Global 360

Kroacia: Nisma ushtarake me Shqipërinë dhe Kosovën, e hapur edhe për partnerët

Sipas Kroacisë, nismës mund t’i bashkohen të gjitha vendet që, po ashtu, duan t’i ofrojnë mbështetje Kosovës dhe Shqipërisë në…

Diplovista

Rama për median greke: Ligji absurd i luftës duhet shfuqizuar

Ligji absurd i luftës duhet shfuqizuar, deklaroi kryeministri Edi Rama në një intervistë për televizionin grek ”MegaTV”, pjesë të së…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Rikthim në tempullin e poezisë

Tre vite më parë, me 18 shkurt 2022 u nda nga jeta poeti Bardhyl Londo!

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Rama nesër me diasporën në Milano: Krenar për Shqipërinë

Ky takim pason vizitën e para dy javëve në Greqi, ku Kryeministri u ndal fillimisht në Kretë dhe më pas…