
Javët Kulturore Ndërkombëtare nisin me Poloninë
Këtë vit, Javët Kulturore Ndërkombëtare zhvillohen në një moment të veçantë pasi Tirana mban titullin e Kryeqytetit Mesdhetar të Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025

Pas një udhëtimi të jashtëzakonshëm përmes tre edicionesh që sollën art, energji dhe emocion në mbarë Shqipërinë, Javët Kulturore Ndërkombëtare rikthehen në sezonin e katërt, që premton një tjetër kapitull të veçantë në historinë e dialogut ndërkulturor.
Këtë vit, ky rrugëtim i veçantë nis me Poloninë, e cila për herë të parë bëhet pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare. Nga data 14 deri më 19 prill, Tirana dhe jo vetëm do të transformohen në një skenë të hapur ku do të prezantohet kultura polake në shumë forma dhe ngjyra. Qytetarët do të kenë mundësinë të përjetojnë ditë të mbushura me aktivitete që i flasin ndjeshmërisë, traditës dhe kuriozitetit kulturor, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë mikpritjeje dhe shkëmbimi.
Java Kulturore Polake 2025 fillon sot (14 prill) në orën 19:00 me një aktivitet hapjeje te instalacioni “Reja”. Ansambli Polak i Këngëve dhe Valleve “Silezia” do të interpretojë valle tradicionale polake dhe do të përfshijë publikun në një kërcim spontan “Polonez”, pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore të Njerëzimit të UNESCO-s. Në skenë, atyre do t’iu bashkohet edhe Ansambli i Këngëve të Valleve Popullore (AKVP). Të nesërmen, do të ofrohet një seancë mësimore e vallëzimeve tradicionale polake për studentët e Fakultetit të Kërcimit në Akademinë e Arteve.
Monika Filipina, një autore dhe ilustruese polake e librave për fëmijë, e vlerësuar me çmime, do të zhvillojë Workshope Arti për fëmijët në Teatrin e Kukullave. Monika Filipina ka shkruar dhe ilustruar mbi 50 libra të botuar në mbarë botën, në më shumë se 20 gjuhë. Ajo do të takojë gjithashtu fëmijë, prindër dhe edukatorë, në Shtëpinë e Evropës, për të shpjeguar se si lindin tregimet dhe për të paraqitur një përzgjedhje të veprave të saj.
Shfaqja e dy filmave polakë, në Akademinë e Arteve, do t’i ofrojë publikut një mundësi për t’u përfshirë në bashkëbisedim me regjisoren e filmit fitues të çmimeve ndërkombëtare, Joanna Kos-Krauze, mbi tema sa individuale, aq edhe universale. “Papusza” (Papusha – në gjuhën rome) tregon një histori unike të një poeteje rome (cigane), poezia e së cilës, e zbuluar rastësisht, tregon diversitetin e kulturave në Poloni. “Birds Are Singing in Kigali” (“Zogjtë po këndojnë në Kigali”) trajton përvojën e krijimit dhe transmetimit të traumës. Pas shfaqjeve, znj. Kos-Krazue do të zhvillojë një seancë mësimore me studentët e Fakultetit të Teatrit dhe Filmit, në Universitetin e Arteve.
Dy trajnerë profesionistë të Federatës Polake të Volejbollit do të zhvillojnë seanca stërvitore me një grup të rinjsh shqiptarë të shkollës “Ismail Qemali”. Gjatë stërvitjeve do të përzgjidhen ekipe lojtarësh, për të luajtur një ndeshje finale me ekipet e trajnuara nga Federata Shqiptare e Volejbollit, në shkollën 9-vjeçare “Vasil Shanto”.
Javën kulturore polake do ta mbyllin koncertet e grupit polak të xhazit JAH Trio, si pjesë e programit të Festivalit Ndërkombëtar të Xhazit në Shqipëri. Grupi do të performojë në Tiranë dhe Shkodër, në formacionin e tij të plotë: Jan Jarecki – piano, Michał Aftyka – kontrabas, Marcin Sojka – bateri. Michał Aftyka është fitues i çmimit “Fryderyki”, që është vlerësimi më i rëndësishëm në industrinë muzikore polake.
Me 20 shtete pjesëmarrëse, një numër gjithnjë e më të madh artistësh vendas dhe ndërkombëtarë, dhe një kalendar të pasur me aktivitete nga veriu në jug, Javët Kulturore Ndërkombëtare 2025 do të sjellin një atmosferë të veçantë në çdo cep të Shqipërisë. Të gjitha këto do të shpalosen përmes performancave, ekspozitave, punëtorive, shfaqjeve dhe ngjarjeve.
Këtë vit, Javët Kulturore Ndërkombëtare zhvillohen në një moment të veçantë pasi Tirana mban titullin e Kryeqytetit Mesdhetar të Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025. Megjithatë, jo vetëm Tirana, e gjithë Shqipëria është gati të përjetoj nëntë muaj magjik. Ftesa është e hapur për të gjithë: ejani dhe bëhuni pjesë e një aventure kulturore që pas Polonisë vijon me Maqedoninë e Veriut, EU, Itali, Izrael, Suedi, Francë, Brazil. Arabi Saudite, Mal i Zi, UK, Kinë, Hungari, Gjermani, Holandë, Japoni, Austri, Spanjë, Meksikë dhe Kosovë. Javët Kulturore Ndërkombëtare sapo kanë nisur dhe ky është vetëm fillimi i festës.