
Rama me Presidentin e KiE: Të përkushtuar për mbylljen e negociatave deri në 2027
Gjatë një daljeje para mediave me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, Rama theksoi angazhimin e tij të plotë për realizimin e detyrave të Shqipërisë dhe mbylljen e negociatave me Bashkimin Evropian deri në vitin 2027.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndodhet këtë të hënë në Bruksel, ndërsa pasdite do të shkojë në Luksemburg për të marrë pjesë në Konferencën e Katërt Ndërqeveritare BE-Shqipëri.
Gjatë një daljeje para mediave me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, Rama theksoi angazhimin e tij të plotë për realizimin e detyrave të Shqipërisë dhe mbylljen e negociatave me Bashkimin Evropian deri në vitin 2027.
“Jam i kënaqur që gjendem sot me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa. Sigurisht, është një ditë shumë e mirë për ne, sepse hapim kapituj të tjerë në negociatat me BE-në. Jam mirënjohës për kohën që ai më ka kushtuar për të zhvilluar një bisedë të hapur për përparimin që po bëjmë në këtë proces. Jemi të përkushtuar maksimalisht për të përmbushur të gjitha detyrat e kalendarit të ambicioz dhe për të mbyllur negociatat brenda vitit 2027,” tha Rama.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se një nga temat kryesore të bisedimeve me Costën ishin dhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit, ku presidenti i Këshillit Evropian i shprehu një përkushtim të madh për stabilitetin dhe progresin e rajonit.
/Euronews Albania