
Berisha: Formalizojmë industrinë e turizmit

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim me shoqatat e turizmit.
Gjatë fjalës së tij Berisha e vuri theksin tek formalizimi i industrisë së turizmit në vend. Berisha tha se “PD e konsideron turizmin si një nga potencialet ekonomike, kulturore më të mëdha të vendit”.
“Shqipëria disponon një potencial madhështor, në kuptimin absolut të fjalës, turistik, ndoshta sa asnjë vend tjetër. Një potencial të tillë mahnitës si ky vend, me brigjet më të bukura rënore dhe shkëmbore, me trashëgiminë kulturore ndër më të pasurat, me malet dhe Alpet më të shumta, burimet ujore, liqenet. Pra, Shqipëria kudo përfaqëson një potencial real turistik”, tha Berisha.
Berisha shtoi se “turizmi në Shqipëri ka potencial të pakufizuar për sa u përket resurseve natyrore dhe nuk ka diskutim që ky sektor ka njohur zhvillime të pamohueshme”.
Berisha u ndal edhe tek shifrat. “Në vitin 2005, Shqipëria ka pranuar gjithsej 320 mijë turistë dhe vizitorë të marrë së bashku, në vitin 2013 kjo shifër ishte 4,7 milionë.”
“Sot kjo shifër është 10-11 milionë, vetëm se ka një gjë, nuk i ndajnë vizitorët nga turistët, që kanë një dallim esencial. Këtu këto linjat e shpejta ajrore e kanë bërë aeroportin e Tiranës një aeroport të preferuar për një pjesë të veriut të Greqisë, për Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë. Natyrisht ky është një zhvillim pozitiv në këtë kontekst”, u shpreh Berisha.
Sipas Berishës, turizmi ka një problem shumë madhor – informalitetin.
“Problemi madhor është informaliteti në të cilin noton ky sektor. Ky informalitet godet sipërmarrësit e ndershëm. Godet sipërmarrësit me investime transparente. Ky informalitet në Shqipëri, po të shohim në krahasim me Malin e Zi është i tillë: Mali i Zi me 2,8 milionë turistë në vit, regjistron 16,8 milionë netfjetje. Shqipëria me 10 milionë turistë në vit, regjistron 6, vitin e fundit 7 milionë netfjetje. Për të mos e krahasuar më pas me Kroacinë, e cila regjistron rreth 100 e ca milionë netfjetje. Kështu që ne kemi një shkallë informaliteti të jashtëzakonshëm”, tha Berisha.
Berisha tha se “formalizimi i turizmit është ndoshta një nga kushtet më themelore”.
“Janë trefishi, katërfishi i shtretërve, janë apartamente krahasuar me hotelet, çka në shumë aspekte e vendos në pozita të vështira industrinë hoteliere. Ne nuk do përdorim dhe nuk kemi ndërmend të ndalojmë AirBnB, por formalizimi është një kusht i domosdoshëm në qoftë se ne duam ta shfrytëzojmë siç duhet këtë potencial madhor që kemi”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se PD do të investojë për infrastrukturën turistike.
“Natyrisht disa investime ne i konsiderojmë shumë problematike. Ne e konsiderojmë shumë problematik aeroportin e Vlorës. Jo se nuk duhej të ndërtohej, por jo aty ku u ndërtua”, tha Berisha.
“Kanë filluar që tani refuzimet e bashkëpunimit, sepse aeroporti godet habitatin mijëravjeçar, të cilin ti nuk mund ta ndërtosh kurrë. Atë e ka ndërtuar natyra. Ne kishim përcaktuar një zonë midis Vlorës dhe Fierit në tokë të kripur. Shkaku që u spostuam nga Akërnia, nga aty ku është, ishte pikërisht habitati, sepse ne duhej të qëndronim larg habitatit. Por edhe ai midis Vlorës dhe Fierit, i shërbente Beratit, i shërbente jugut, pra merrte një rreze më të madhe”, tha Berisha.
“Aeroporti ndërtohet me etapa. Vijnë dhe shtohen fazat, siç po bëhet me Rinasin.
Por të ndërtosh një aeroport ku do paguash 600 mijë bileta, domethënë kontrata thotë se çdo biletë nën numrin 600 mijë, do të paguhet nga shteti. Kjo do të thotë të gjobitësh vendin tënd”, tha Rama.
“Po këto janë probleme që do t’i zgjidhë transparenca dhe parimi i pastrimit të shtëpisë që kemi ne në program”, përfundoi Berisha.
Marrë nga ATSH