
Familja shqiptare voton nga jashtë, Rama: Jua shpërblefsha me pasaportën evropiane të Shqipërisë

Bashkatdhetarët shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë do të marrin pjesë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit përmes votës së tyre. Sipas, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zarfet e para për votuesit nga jashtë kanë mbërritur në disa shtete të Evropës, ndërsa Kryeministri Edi Rama ka ndarë foton e një familjeje shqiptare që mban në duar zarfin me fletën e votimit.
Kryeministri Rama e konsideron “prekëse e njëkohësisht frymëzuese këtë foto kaq simbolike të një familjeje shqiptarësh të Evropës, për përpjekjen tonë të përbashkët për Shqipërinë 2030”.
“Faleminderit me mirënjohje dhe jua shpërblefsha me pasaportën evropiane të Shqipërisë e me një Shqipëri zonjë në Bashkimin Evropian, e cila për çunin e vogël dhe bashkëmoshatarët e tij të mos jetë më kurrë një vend banorësh të dorës së dytë të Evropës”, shkruan Rama në postimin në rrjetet sociale.
Votuesit në diasporë kanë kohë ta plotësojnë dhe ta dërgojnë fletën e votimit me postë deri në javën e parë të muajit maj. Çdo votë që mbërrin në Shqipëri pas datës 11 maj, ora 19:00, do të konsiderohet e pavlefshme.
Pasi bashkatdhetarët shqiptarë të marrin zarfin me fletën e votimit, këshillohet që ata ta dërgojnë fletën e votimit në KQZ brenda tri ditëve nga momenti i marrjes.
Ata nuk do të shpenzojnë asgjë, pasi posta paguhet nga KQZ.