
Mazniku nga Cërriku: Investimet në infrastrukturë nxisin eksportet dhe turizmin
Më shumë se 2900 fermerë kanë përfituar nga skemat e mbështetjes së AZHBR-së në vitet 2023-2024.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, njëherësh dhe drejtuesi politik për qarkun e Elbasanit, Arbjan Mazniku tha sot gjatë takimit me fermerët në Cërrik, ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj se kjo zonë ka njohur një 10-fishim të numrit të serrave gjatë viteve të fundit, ndërsa më shumë se 2900 fermerë kanë përfituar nga skemat e mbështetjes së AZHBR-së në vitet 2023-2024.
“Një pjesë e madhe e produktit këtu është për eksport dhe po tentohet të rritet vlera e eksportit si në produktet e serrave, por edhe në vajin e ullirit, i cili po merr vëmendje të posaçme. 240 pika të ndryshme që prodhojnë vajin e ullirit, dhe viti që kaloi ishte i mbarë për këtë produkt që është i rëndësishëm për zonën. Projektet e rëndësishme që prekin qarkun e Elbasanit do të ndikojnë në jetën dhe punën e banorëve të zonës”, tha Mazniku.
“Bajpasi i Elbasanit dhe rruga e re që është duke u punuar nga Krasta në Qafë Thanë e vendos zonën e Cërrikut në zemër të Shqipërisë dhe bëhet 25 minuta nga Tirana, shumë afër kufirit me Maqedoninë e Veriut duke fuqizuar mundësinë dhe shpejtësinë me të cilën shkojnë produktet drejt eksportit, por edhe shpejtësinë me të cilën do të vijnë turistët këtu”, vijoi Mazniku.
Burimi ATSH