
Ndryshon Kodi Doganor, lehtësohen procedurat për bizneset
Ndryshimet në Kodin Doganor shqiptar synojnë plotësimin, saktësimin dhe harmonizimin e disa dispozitave, me qëllim lehtësimin e procedurave për operatorët ekonomik

Ndryshimet në Kodin Doganor shqiptar synojnë plotësimin, saktësimin dhe harmonizimin e disa dispozitave, me qëllim lehtësimin e procedurave për operatorët ekonomik në aspektin procedural, nga pikëpamja e regjimeve, garancisë, origjinës, ankimit, pagesës së kamatëvonesave për detyrimet e papaguara, sanksioneve, ashtu edhe në atë të përafrimit të mëtejshëm në kuadër të aderimit në Konventën e Transitit të Përbashkët.
Projektligji që është hedhur për konsultim publik synon qartësimin e aplikimit nga autoritetet doganore të sanksioneve për shkeljet e Kodit Doganor. Ndryshimet më të prekshme lidhen me disa korrigjime që i janë bërë pjesës së shkeljeve duke vendosur një limit për kamatëvonesën për detyrimet e papaguara.
Sipas projektligjit, “shuma maksimale e kamatëvonesës që zbatohet nga autoritetet doganore nuk duhet të tejkalojë shumën e detyrimeve të importit ose eksportit mbi të cilat zbatohet kamatëvonesa”.
Sipas draftit, për t’u mundësuar autoriteteve doganore të kryejnë analizën e duhur të riskut dhe kontrollet e duhura të bazuara në risk, është e nevojshme të sigurohet që operatorët ekonomik t’u ofrojnë atyre të dhëna dhe informacion para mbërritjes në lidhje me mallrat joshqiptare në formën e një deklarate përmbledhëse hyrjeje.
Konkretisht Administratës Doganore është duke ndërmarrë hapat e nevojshëm për aderimin në Konventën e Transitit të Përbashkët. Për këtë qëllim është miratuar ligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin për lehtësimin e tregtisë dhe të transportit në Ballkanin perëndimor, me qasje programatike me shumë faza”, i cili ka përfshirë si komponent të projektit edhe “Ofrimin e mbështetjes për përgatitjen dhe zbatimin e Kërkesës Kombëtare të Transitit dhe për Regjistrimin dhe Identifikimin e Operatorit Ekonomik (EORI), në përputhje të plotë me Sistemin e ri të Kompjuterizuar të Transitit të BE-së (NCTS)”.
Në kuadër të këtij projekti, që ka si synim edhe plotësimin e kuadrit ligjor lidhur me aderimin në Konventën e Tranzitit të Përbashkët, janë bërë edhe disa ndryshime të propozuara në Kodin Doganor, të cilat do të ndikojnë pozitivisht në lehtësimin e tregtisë.
Përmes ndryshimeve që propozohen në projekt synohet që të përafrohet më tej Kodi Doganor shqiptar me ndryshimet që ka pësuar Kodi Doganor i BE-së që nga momenti i miratimit të tij e deri më sot.