
Ngrihet bord për sigurinë rrugore, Hoxha: Çdo aksident i shmangur është një jetë e shpëtuar
Qeveria shqiptare e ka në fokus sigurinë rrugore, ku fuqizimi i Policisë përmes edhe teknologjisë bën një monitorim në të gjitha akset e vendit.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha gjatë fjalës së tij në aktivitetin për prezantimin e Kuratoriumit (Bordit) për Sigurinë Rrugore, i ngritur nga një grup ekspertësh të fushës, u shpreh se qeveria shqiptare e ka në fokus sigurinë rrugore, ku fuqizimi i Policisë përmes edhe teknologjisë bën një monitorim në të gjitha akset e vendit.
“Situata ka ndryshuar shumë, Policia nuk është më si më parë, por as Policia Rrugore nuk është si më parë. Këtu përfshihet fuqizimi i Policisë Rrugore, nëpërmjet një teknologjie të re, ku matësit e shpejtësisë, e përdoruesve të rrugës, të alkoolit janë kthyer me një paketë të plotë teknologjike e cila monitoron akset shqiptare anembanë vendit”, tha Hoxha.
Ministri Hoxha ndau edhe rezultatet krahasuese të jetëve të humbura si pasojë e aksidenteve rrugore, mjet-individ nga viti 2012 e deri vitin e kaluar.
“Në vitin 2012 numri i jetëve të humbura ishte 334, në 2024-ën ishte 175 viktima në aksidente. Krahasimet me të vdekurit nuk duhet të bëhen, por këto janë fakte dhe tregojnë që një dukuri që ndodh në rrugët tona, si edhe një standard që shtetet e BE-së e kanë kaluar. Aksidentet me pasojë vdekjen mjet me këmbësor ku ne sot kemi rreth 35% të rasteve që përfshihen në këto aksidente, na detyron që të punojmë më shumë në këtë fushë”, shtoi ai.
“Koeficienti i humbjes së jetëve njerëzore është më i ulët krahasuar me vendet e rajonit, por në raport me BE kemi një raport jo shumë pozitiv. Kjo siguri është një sfidë kombëtare që prek jetën dhe mirëqenien e çdo familjeje shqiptare”, pohoi Hoxha.
Ministri i Brendshëm nënvizoi faktin se “çdo aksident i shmangur është një jetë e shpëtuar”, ndaj për të mbërritur tek ky vizion po investohet në idenë e qyteteve inteligjente, ku qeveria shqiptare ka nënshkruar marrëveshjen e huamarrjes me Abu-Dabin që i hap rrugë një projekti ambicioz i cili do të shtrihet në të gjithë vendin.
“Rrugët interurbane do të monitorohen nëpërmjet kamerave, shpejtësia do të matet nga radarët, por edhe targat do të jenë të lexuara nëpërmjet kësaj teknologjie. Ne do të hapim edhe Qendrën e Menaxhimit të Trafikut kombëtar, ku do të jenë të përfshirë shumë punonjës policie që do të jenë menaxherët e parë të kësaj praktike moderne dhe evropiane. Edukimi dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve është një tjetër element i rëndësishëm. Siguria fillon nga sjellja jonë në trafikun rrugor.
Si edhe forcimi i ligjit dhe rritja e përgjegjshmërisë institucionale, ku Policia Rrugore në bashkëpunim me autoritetet e tjera vijojnë forcimin e koordinimit nëpërmjet Kodit Rrugor dhe trajnimet e vazhdueshme në përdorimin e teknologjisë”, tha Hoxha, ndërsa shtoi se qytetet tona do të jenë më të sigurta, me një angazhim dhe përkushtim të përbashkët.
KRS (KURATORIUM OF ROAD SAFETY) është një qendër e posaçme për sigurinë rrugore në Shqipëri, e drejtuar nga profesionistë me mbi 20 vite eksperiencë në fushën e transportit, legjislacionit rrugor dhe edukimit publik.
Misioni është ndërgjegjësimi për sigurinë në trafik përmes informimit, edukimit dhe frymëzimit, duke ndikuar në përmirësimin e kuadrit ligjor, zbatimit praktik dhe sjelljes në rrugë.
Së shpejti pritet të çelet dhe një podcast ku do të flitet për gjithçka rreth sigurisë rrugore, e ku do të diskutohen tema kyçe si sinjalistika, problematikat e përditshme në rrugë, aksidentet, ligjet dhe rrëfime reale që mund t’i ndodhin kujtdo prej nesh.