
Pensionet, Rama: Rritje graduale, synojmë që minimali të jetë 200 euro

Kryeministri, njëherazi kryetari i PS, Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim në Cërrik me fermerë, për mbështetjen e deritanishme shtetërore përmes skemave mbështetëse dhe rritjen e mëtejshme të saj.
Gjatë bashkëbisedimit, një fermer ngriti edhe shqetësimin në lidhje me pensionet e ulëta. Teksa bëri një pasqyrë të situatës së pensioneve në vend, Rama tha se PS synon që pensioni minimal të jetë 200 euro.
Sipas Ramës “pensionet janë çështja më delikate në aspektin e buxhetit të shtetit dhe kapaciteteve që ka buxheti i shtetit”.
“Shumëkush tregon shumë përralla në këtë punë, por logjika është e thjeshtë si funksionon: pensionet dalin nga fondi i sigurimeve shoqërore dhe janë rezultat i asaj që njerëzit kanë paguar nga paga e tyre për pensionin e tyre logjika është kush ka një pagë paguan sigurimet shoqërore, sot me ato sigurime shoqërore paguhen pensionistët e sot dhe kur ai del në pension paguhet me sigurimet e atyre që vijnë mbrapa”, tha Rama.
Sipas Ramës “problem më i madh janë pensionet e fshatit, në aspektin e sigurimeve shoqërore nuk kanë dhënë kontribut”.
“Një tjetër problem është se shumë njerëz kanë ikur, tani u vjen mosha e pensionit dhe thonë na del shumë i ulët. Ndërkohë ata kanë kontribuar për sigurimet atje, jo këtu. Për këtë arsye është bërë gjithë procesi i njohjes së pensioneve me Italinë dhe dëshirojmë të ndodhë dhe me Greqinë”, tha Rama.
Rama theksoi se ekonomia po rritet në shifra të qëndrueshme, ndërsa përmendi edhe disa investime që janë bërë në Cërrik.
“Sot këtu në Cërrik ka mbi 300 kilometra kanale kullimi që funksionojnë plotësisht. Sot ka 10 herë më shumë serra këtu në Cërrik seç kishte kur ne morëm detyrën edhe si rezultat i faktit se kemi mbështetur bujqit dhe fermerët për serrat. Sot eksportet nga këtu janë shumë më të larta seç ishin, sepse prodhimi është më i lartë seç ishte. Në pikëpamje të ekonomisë tregon se bujqit dhe fermerët e Cërrikut janë shumë më mirë seç ishin dje”, tha Rama.
Rama përmendi më tej se “kemi filluar ta rrisim në mënyrë të ndjeshme bonusin e fundvitit dhe të japim dhe bonusin e pranverës, janë dy bonuse që në totalin e vet shkojnë 165 milionë euro dhe duam që ta mbajmë këtë”.
Rama shtoi se “duam që të rrisim gradualisht qoftë pensionin mesatar, qoftë pensionin minimal, duke e mbështetur nga buxheti i shtetit në këtë fazë për të gjithë ata që janë viktima të së kaluarës”.
Rama kujtoi edhe skemën e pensioneve në të kaluarën, të cilën e cilësoi si një nga politikat më kriminale.
“Sot ka pensionistë të cilët për të njëjtën punë, të njëjta vite pune marrin pensione të ndryshme, sepse çfarë ndodhi, që ishte një nga politikat më kriminale që janë bërë nga këneta, u bë një mbyllje masive e gjithë aseteve të Shqipërisë dhe u nxorën njerëzit në rrugë që 40 vjeç, u shpallën pensionistë dhe kjo u shoqërua më një vendim që pensioni më i lartë është 200 mijë lekë të vjetra ndërsa pensionet e tjera ishin komplet qesharake gjithë kjo krijoi një masë të madhe njerëzish që nga një anë u shpallën pensionistë nga ana tjetër puna e tyre nuk figuronte në sigurimet shoqërore. Niveli i punës në të zezë katastrofik dhe përveç kësaj kjo situatë u mbajt deri në 2014, kur ne e hoqëm tavanin dhe thamë një gjë shumë të thjeshtë, pensioni është ajo që ti ke kontribuar në vite dhe prandaj na ra goja duke u thënë njerëzve që mos të marrin pagën në dorë. Të duket sikur merr pak më shumë, por i bën gropën vetes kur të dalësh në pension, ai që ta bën këtë po të vjedh pensionin. Ne duam që në Shqipërinë 2030 të synojmë pension minimal 200 euro”, tha Rama.
Burimi ATSH