
Berisha: Do të bëjmë revolucion fiskal, synojmë të krijojmë klimën më miqësore për biznesin
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë për mediet, tha sot se me ardhjen në pushtet pas 11 majit të PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore do të ketë një revolucion fiskal.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë për mediet, tha sot se me ardhjen në pushtet pas 11 majit të PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore do të ketë një revolucion fiskal.
Sipas Berishës, ky revolucion do të sjellë rritje të rrogave 13% dhe ulje të çmimit të apartamenteve.
“Filozofia e lirisë ekonomike është e taksës së sheshtë mbi tatimfitimin 10 për qind. Filozofia e zhvatjes së bizneseve dhe qytetarëve dhe kufizimit të kësaj lirie, tatimfitimin e ka 15 për qind. Tatimi mbi pagat për ne do jetë 10 për qind. Aktualisht është 23 për qind”, tha Berisha.
“Tre muajt e parë të qeverisjes së PD, pagat e të gjithë rrogëtarëve shqiptarë, të cilat tatohen me fitimin mbi pagën, do të rriten 13 për qind. Pra, rrogëtarët do kenë një rrogë reale 13 për qind më shumë se sot. Dhe kjo është një rritje e paparë në 12 vite. Tatimet mbi të ardhurat jo nga pagat, nga 15 për qind që është në sistemin e plaçkitjes dhe kufizimit të lirisë ekonomike, zbret në 10 për qind”, shtoi ai.
Berisha theksoi se “biznesi i vogël pa TVSH, do të jetë gjer në 180 mijë euro xhiro vjetore. Pra, sot mbi 100 mijë euro xhiro vjetore, aplikohet TVSH-ja. Ky tavan rritet në 180 mijë euro”.
“Biznesi i vogël pa tatimfitim, do të jetë biznesi me xhiro vjetore gjer në 180 mijë euro, nga 140 mijë euro që është sot. Taksa e transferimit të pronës nga 15 për qind në sistemin e plaçkitjes, do të zbresë në 2 për qind në sistemin e lirisë ekonomike. Taksa e ndikimit të infrastrukturës nga 8 për qind do të zbresë në 2 për qind. Në qoftë se e para është 8 përqind të çmimit të referencës, taksa jonë do të jetë 2 për qind të preventivit, pra i bie një ulje shumë, shumë e madhe. Një ulje mbi 10-15 herë, çka do ketë ndikim direkt në çmimin e apartamenteve dhe sipërfaqen e ndërtimit”, tha Berisha.
Kreu i PD shtoi se “taksa e strehimit social që është 3 për qind, do të shfuqizohet tërësisht”.
“Taksat lokale do të jenë maksimumi 1 për qind e xhiros. Sot janë pa tavan, arrijnë në 8 dhe 10 për qind të xhiros. Dhe së fundmi, taksa tabu që e paguan çdo shqiptar në çdo kafshatë që merr, në çdo gjë blen, për gjithçka, nga 20 për qind, zbret në 15 për qind dhe ky është një rekord. Bëhet taksa më e ulët në Europë dhe ndër më të ulëtat në botë. Me këtë revolucion fiskal ne synojmë të krijojmë klimën më miqësore për biznesin”, tha Berisha.
“Të krijojmë mundësi kursimesh dhe investimesh për bizneset. Të krijojmë mundësi për rritje rrogash dhe nxitje të prodhimit. Por vetvetiu ky sistem fiskal rrit 13 për qind të rrogave të shqiptarëve, pavarësisht nga premtimi ynë për rrogën mesatare 1200 euro që kemi bërë. Mendoj se dallimi është si nata me ditën, ndaj ftoj shqiptarët të bëjnë zgjedhjen e tyre. Është në interesin më të mirë që ata kanë, të rrogave dhe pensioneve të tyre”, tha Berisha.
Berisha më tej tha se zgjedhjet po i vëzhgon e gjithë Europa.
“Mund t’ju them se kurrë ndonjëherë në historinë e këtij vendi nuk janë mbajtur dy dëgjesa ndërkombëtare për zgjedhjet në Shqipëri, siç ndodhi javën e kaluar në Këshillin e Europës dhe Parlamentin Europian, çka do të thotë se nuk ka më sy të mbyllur, por janë të hapur katërcipërisht dhe prozhektorët, jo vetëm tonë, por edhe të Europës dhe miqve tanë kudo, janë të përqendruar në këtë proces zgjedhor. Delegacione nga më të rëndësishme të OSBE-së vizituan Shqipërinë pikërisht për zgjedhjet”, shtoi Berisha.
“Ne kemi dorëzuar emër e mbiemër të të gjitha atyre që po kryejnë krime zgjedhore, por ne i garantojmë se krimi zgjedhor do të quhet krim i rëndë, do të kualifikohet krim i rëndë dhe ky është zotim solemn elektoral dhe se, organizatat kriminale që po angazhohen në krimin zgjedhor, do të bëjmë gjithçka për t’i shpallur, organizata terroriste, jo vetëm Shqipëria, por edhe faktori ndërkombëtar”, shtoi ai.
“Presidenti Donald Trump e hapi derën kësaj procedure dhe ai me një urdhër të veçantë shpalli kartelet e drogës, organizata terroriste. Ne do i shpallim organizata terroriste dhe do lobojmë shumë në Europë dhe SHBA që këto të konsiderohen të tilla edhe nga mbarë faktori ndërkombëtar. Ne bëjmë gjithçka që shqiptarët të votojnë të lirë dhe po bëjmë gjënë e duhur”, tha Berisha.
I pyetur mbi sondazhet, Berisha tha se “sondazhet tona tregojnë se në zgjedhje të lira, fitimtar absolut është PD dhe me zgjedhje të lira, partia e kthimit kthehet në vitin 1992”