
Rama: IA tek Tatimet, brenda këtij viti modeli do të jetë funksional për fiskalizimin
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në aktivitetin “Fuqizimi i AI në Shërbimet Publike Digjitale në Shqipëri” për modernizimin e administratës publike.

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në aktivitetin “Fuqizimi i AI në Shërbimet Publike Digjitale në Shqipëri” për modernizimin e administratës publike.
Gjatë fjalës së tij kryeministri Rama u ndal edhe te prokurimet publike dhe fiskalizimi nëpërmjet Inteligjencës Artificiale.
Kreu i qeverisë tha se në implementim dhe integritetin e prokurimeve publike, Shqipëria është vlerësuar si lider në rajon.
Rama tha se se sistemi aktual, ku termat e referencës filtrohen nga Agjencia e Prokurimeve Publike, ka ulur ndjeshëm arbitraritetin dhe do të shërbejë si bazë për trajnimin e modelit të Inteligjencës Artificiale.
Sipas Ramës pjesëmarrja e njeriut në prokurimet publike do të jetë vetëm për rolin e mbikqyrësit.
“Tjetra që ne po bëjmë është modeli i IA për prokurimet publike. Sot fakti është bazuar në raportin e SIGMA-s që është instrumenti i BE-së për të monitoruar një sërë aspektesh të qeverisjes ku përfshihen dhe prokurimet publike jemi lider në rajon për prokurimet publike. Në legjislacionin e prokurimeve publike jemi i vetmi vend në rajon që nuk kemi piketa të ndërmjetme dhe që Bashkimi Europian e konsideron gati. Ndërsa në implementim dhe integritetin e prokurimeve publike e kemi arritur të jemi jo vetëm të parët në rajon, por me diferencë nga i dyti. Nga 100 pikë të mundshme Shqipëria ka marrë 80 pikë. Ne jemi ambiciozë dhe duam të shkojmë më tutje, duam të zhvillojmë prokurimet me Inteligjencën Artificiale, ku pjesëmarrja e njeriut të zvogëlohet në rolin e mbikëqyrësit dhe proceset të ndërtohen nga modeli i Inteligjencës Artificiale duke filluar që nga termat e referencës aty ku fillon problematika e cenimit të integritetit të garës.
Nuk e di, a e keni dëgjuar atë rastin kur u bënë termat e referencës për një rrugë dhe u vendos si kriter që kompania të ketë eksperiencë edhe në sisteme audio? Kuptohet se qëllimi ishte t’ia jepnin një kompanie të caktuar. Pse, audio për rrugën janë dhe zogjtë që nuk duhen shqetësuar nga zhurma?! Të gjitha këto, duke pasur parasysh se ne e kemi ndërtuar një sistem të bazuar tek njeriu që termat e referencës duhet të filtrohen nga Agjencia e PP, kjo e ka ulur në mënyrë të ndjeshme arbitraritetin në termat e referencës gjë që na ka rritur shumë në raport me vende të tjera të rajonit, por këtë tani do ta përdorim si bazë për trajnimin e modelit të Inteligjencës Artificiale”, tha Rama.
Një tjetër fushë ku Inteligjenca Artificiale do të luajë rol kyç është ajo e tatimeve dhe doganave. Rama tha se, ndonëse fiskalizimi ishte një hap i rëndësishëm, ai mbetet i pamjaftueshëm pa një analizë inteligjente të të dhënave në kohë reale.
Sipas Ramës, brenda këtij viti modeli do të jetë funksional, duke i mundësuar shtetit të ketë një pamje të qartë dhe në kohë reale të të gjithë transaksioneve që ndodhin në territorin e Shqipërisë.
“Tjetra, sektori i të ardhurave në Tatime dhe Doganë. Fiskalizimi ka qenë një hap i rëndësishëm, por i pamjaftueshëm dhe i paplotë, pa hapin që tani po hedhim me Inteligjencë Artificiale, në analizën në kohë marramendëse për nga shpejtësia të të gjitha transaksioneve dhe në identifikimin e problematikave me transaksionet që do të thotë një inspektorat i taksave tërësisht i padukshëm dhe një inspektorat i taksave që nuk vjen dhe të trokasë të dera dhe nuk paraqitet me shembëlltyra ndonjëherë të rrezikshme për ekuilibrin emocional të personit.
Në një kohë shumë të shpejtë brenda këtij viti ky model do të jetë funksional dhe modelet e tij do të zhvillohen në vazhdimësi. Do të kemi një pamje në kohë reale të të gjitha transaksioneve që ndodhin në Republikën e Shqipërisë të të gjitha kompanive dhe me sinjale njësoj siç inspektorët reale të këtij syri inteligjent mbi të gjithë Shqipërinë për të na thënë se ku po bëhet “një lojë” me të ardhurat që i takojnë shtetit”, tha Rama.