
Procesi i votimit nga diaspora, Zannier: Jam i impresionuar, të dhënat personale të tyre të mbrohen
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi së bashku me kreun e misionit të OSBE/ODHIR, Lamberto Zannier zhvilluan sot, në mjediset e Qendrës së Votimit nga Jashtë pranë Parkut Olimpik në Tiranë, një takim njohës mbi procesin.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi së bashku me kreun e misionit të OSBE/ODHIR, Lamberto Zannier zhvilluan sot, në mjediset e Qendrës së Votimit nga Jashtë pranë Parkut Olimpik në Tiranë, një takim njohës mbi procesin.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit e misionit u njohën nga afër me procedurat e pritjes dhe administrimit të zarfave të votimit të zgjedhësve nga jashtë vendit, si dhe me masat e marra për të garantuar integritetin, transparencën dhe standardet profesionale të procesit.
Vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR u njohën edhe me fazat e fundit të dërgimit të votave përmes shërbimit ndërkombëtar DHL, që garanton gjurmueshmëri dhe dorëzim të sigurt të çdo zarfi me votë të vlefshme pranë KQZ-së.
Ambasadori Zanier vlerësoi pozitivisht organizimin e qendrës, qartësinë procedurale dhe profesionalizmin e treguar nga stafi i KQZ-së në administrimin e këtij procesi historik. Ai gjithashtu iu përgjigj pyetjeve dhe interesimit të gazetarëve të pranishëm.
“Procesi i votimit nga jashtë është i rëndësishëm dhe duhet të jetë i mirëorganizuar sepse ka një numër të lartë votuesish. Doja të shihja vet procesin si është organizuar dhe jam i impresionuar. Do të garantohet që të gjithë votuesit të votojnë dhe të dhënat personale të tyre të mbrohen”, deklaroi Ambasadori Lamberto Zannier.
Burimi ATSH