
Rama: “Paqja fiskale” nis në qershor, lehtësi për biznesin
Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit në Lezhë tha se në qershor do të nisë puna për të bashkëpunuar me biznesin në kuadër të paqes fiskale.

Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit në Lezhë tha se në qershor do të nisë puna për të bashkëpunuar me biznesin në kuadër të paqes fiskale.
Rama tha se kjo iniciativë lehtëson sipërmarrësit, duke i hequr stresin e kontrolleve apo inspektimeve nga ana e Drejtorisë së Tatimeve.
“Dua t’ju them se për pak ditë do të kemi një aktivitet me biznesin, jeni të ftuar kush dëshiron për të shpjeguar planin e paqes fiskale. Kemi një plan e kam përmendur dy a tre herë, duke qenë se ka patur interes dhe nga biznesi. Është një mekanizëm i përdorur që në kohën e Romës së vjetër, që nënkupton një marrëveshje mes qeverisë dhe biznesit për kontributin tatimor, që nëse biznesi dhe qeveria, apo më saktë agjencia e të ardhurave, Tatimet bien dakord që për vitin e ardhshëm apo për dy vitet e ardhshme unë si biznes do të të paguaj këtë që kam paguar vitin e shkuar plus rritjen ekonomike, është një formulë e thjeshtë, Tatimet marrin përsipër që ti si biznes s’ke më asnjë kontroll dhe asnjë marrëdhënie me burokracinë. Ky është elementi i parë”, tha Rama.
Kryeministri tha se përtej kësaj bizneset do të kenë mundësi të deklarojnë edhe për të ardhura që nuk i kanë deklaruar më herët, duke mos rrezikuar gjobën.
“Elementi i dytë i Paqes Fiskale është mundësia që do t’u japim bizneseve për t’u kthyer pas. Për të deklaruar të ardhura që nuk i kanë deklaruar më parë në një hark kohor prej pesë vitesh dhe ti deklarojnë dhe pa marrë asnjë lloj penaliteti, por duke paguar vetëm 5% mbi ato të ardhura. Nëse për të ardhurat e zakonshme tatimi mbi fitimin është 15% për të gjitha, ato të ardhura që deklarohen me prapaveprim për të rregulluar llogaritë e brendshme, tatimi mbi fitimin do të jetë vetëm 5%”, theksoi ai.
“Ky do jetë një incentivë e fortë për biznesin, por dhe në interes të shtetit, që të ardhurat të dalin të gjitha në dritë. Dhe që nga krahut tjetër biznesi të mos rëndohet me gjoba, inspektime etj.”, tha ai.
“Janë dhe dy tre elementë të tjerë që do t’i diskutojmë lidhur me detyrimet e prapambetura, gjoba të prapambetura etj., etj., që janë pjesë e këtij plani. Besoj se do t’u interesojë të gjithëve. I ftoj të gjithë ta konsideroni këtë. Nuk është çështje e këtij muaji, më pas në qershor nis ky proces. Është me dëshirë, kush pranon të bëjë paqen do ketë këto lehtësira që thashë, pa gjoba, kontroll etj., pra s’do ketë inspektime, kontrolle etj.”, tha Rama.
Burimi ATSH