
Berisha uron besimtarët për Pashkët: Do të dyfishojmë fondin për komunitetet fetare
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një vizitë në Kishën Ortodokse të Kavajës, ku uroi besimtarët për festën e Pashkës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një vizitë në Kishën Ortodokse të Kavajës, ku uroi besimtarët për festën e Pashkës.
“Histori ringjallje e plotë, pas Krishtit mbret, besimet fetare kanë Ringjalljen e dytë në Shqipëri. Kjo është e vërteta dhe meritat tuaja janë shumë të mëdha”, u shpreh Berisha, teksa vuri në dukje se, “përkushtimi ndaj Zotit dhe ndaj njeriut bëri që këto institucione të ngrihen nga shkrumbi dhe janë një faktor shumë i fuqishëm sot.
Berisha tha se dy janë prioritet që do të përpiqemi dhe do i bëjmë.
“Së pari do të dyfishojmë fondin që kemi për komunitetet fetare, fondin buxhetor. Ne e patëm vendosur në atë kohë në buxhet një fond për komunitetet fetare dhe këtë fond e ndanin vetë në komitetin e tyre. Por ky fond ka mbetur aty ku ishte dhe ne do e dyfishojmë atë, se është e domosdoshme të dyfishohet. Së dyti, brenda këtij mandati që vjen në rast se qytetarët shqiptarë votojnë, ne do të zgjidhim përfundimisht problemin e pronave me përparësi absolute për institucionet fetare, por edhe për të gjithë shqiptarët”, tha ai.
“Ne kemi marrë angazhim që në 4 vitet që vijnë, çështja e pronave të marrë përgjigje përfundimtare, duke angazhuar kështu të gjithë potencialin që ka qeveria në të gjitha aspektet financiare, rikthime fizike, kompensime fizike, por shoqëria duhet të ndahet nga ato padrejtësi të krijuara, shumë të mëdha”, u shpreh Berisha.
Ish-Kryeministri kujtoi dhe ish kryepeshkopin Anastas Janullatos për kontributin e tij të jashtëzakonshëm. “Ai ishte një burrë vigan, një meshtar vigan”, tha Berisha.
“Ju siguroj dhe kam patur edhe ruaj konsideratën më të lartë për udhëheqësin e Kishës Autoqefale Shqiptare, Anastas Janullatos, kontributin e tij të jashtëzakonshëm.
Ai ishte një burrë vigan, ai ishte një meshtar vigan. Ai e nisi misionin në kushtet më të vështira se kushdo tjetër, por nuk u mposht kurrë për të mbetur një misionar dhe për tu nderuar sot e gjithë kohërat për atë kontribut të jashtëzakonshëm që ka dha në ngritjen e kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”, tha Berisha.
“Që në fillim, imzot Anastas Janullatos, pushtoi zemrat e besimtarëve shqiptarë, respektin e madh të tyre dhe ngriti kishën nga hiri, e ngriti atë me të gjithë infrastrukturën e saj, me të gjithë veprimtaritë e saj dhe ai u nda nga jeta si një misionar i madh, që i bëri nder kishës, Zotit, por dhe kombit shqiptar. Kështu që ne mbetemi gjithnjë borxhli dhe mirënjohës ndaj kontributit të tij. Ai i meritonte të gjitha nderimet dhe vlerësimet, sepse ai ishte një burrë vigan, intelektual vigan. Ishte një akademik që nderonte Shqipërinë, kishën”, theksoi Berisha.
Duke folur për komunitetin Vllah, Berisha u shpreh se “arumunët janë një komunitet historik, një histori me bashkëpunimin më të shkëlqyer me shqiptarët. Me kontributin më të madh në Rilindjen Kombëtare. Janë penat dhe mendjet e tyre, ato që kanë një kontribut thelbësor në rilindjen tonë. Ky komunitet ka një kontribut tjetër të jashtëzakonshëm në pavarësinë kombëtare, sepse në fakt ishte komuniteti i tyre në Bukuresht, që Ismail Qemalin e bindi se duhej të shpallej pavarësia pa asnjë protektorat tjetër dhe ka ndenjur aty disa ditë”.
“E jo vetëm kaq, por për koincidencën e kohës, kryeministri rumun i asaj kohe ishte me origjinë nga Voskopoja dhe ai i dha Ismail Qemalit çekun me gjysmë milionë franga ar.
Ai u nis nga Komiteti Stambollit, por e kishin pasigurinë se dalja jashtë ombrellës së perandorisë mund të na vërsuleshin, por Austro-Hungaria, se ajo u bë mbështetësja e vetme reale e pavarësisë tonë, dhe ky komunitet me njerëz të shquar, figura të shquara në Bukuresh dha një kontribut thelbësor”, u shpreh Berisha.