
Kisha Ortodokse e Shqipërisë: Vlerësojmë përpjekjet e papa Françeskut për mirëkuptim mes dy kishave
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të papa Françeskut.

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të papa Françeskut.
Në mesazhin e ngushëllimit të Kishës Ortodokse Shqiptare vlerësohet misioni i papa Françeskut, si dhe përpjekja e tij për mirëkuptim më të madh mes Kishës Ortodokse dhe Kishës Katolike.
“Duke marrë pjesë në hidhërimin për fjetjen e papës së Romës, Françeskut, dëshirojmë të shprehim ngushëllimet tona ndaj klerit dhe besimtarëve të Kishës Romano-Katolike. Gjatë misionit të tij si prift, peshkop dhe Papë, ai gjithmonë tregoi një përkushtim të thellë ndaj shpalljes së Ungjillit në kontekste të ndryshme gjeografike dhe kulturore, veçanërisht përmes kujdesit të tij të sinqertë për të varfrit dhe të margjinalizuarit”, thuhet në mesazhin e Kishës Ortodokse.
Kisha Ortodokse vlerëson përpjekjet e papës për të nxitur një mirëkuptim më të madh ndërmjet Kishës Ortodokse dhe asaj Katolike.
“Sjellim ndër mend fjalët e tij gjatë takimeve me përfaqësuesit e Kishës Orthodhokse: “Ecim së bashku si vëllezër në rrugën e mëshirës dhe të dashurisë”. Me shpresën tek Krishti i Ngjallur i Cili: “…do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më as vdekje, as zi, as vajtim, as dhimbje, sepse bota e mëparshme mori fund” (Zb. 21:4), lutemi që Zoti ynë, Ati i mëshirshëm, t’i japë prehje shpirtit të tij”, thuhet në mesazh.
Burimi ATSH