
Basha: Vendosim taksën e sheshtë 9% për tatimin mbi fitimin dhe mbi të ardhurat personale
Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, i shoqëruar nga kandidatët Taulanda Jupi, Eduard Kelmendi, Neli Demi, Diana Tona dhe Irsida Shehi, zhvilloi një sërë takimesh me qytetarë, sipërmarrës dhe familjarë në Njësinë 10 dhe zonën e Laprakës në Tiranë.

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, i shoqëruar nga kandidatët Taulanda Jupi, Eduard Kelmendi, Neli Demi, Diana Tona dhe Irsida Shehi, zhvilloi një sërë takimesh me qytetarë, sipërmarrës dhe familjarë në Njësinë 10 dhe zonën e Laprakës në Tiranë.
Fokusi i bisedave ishte lufta kundër korrupsionit dhe rikthimi i ekonomisë në shërbim të qytetarëve.
Basha theksoi se një nga arsyet pse korrupsioni ka mbizotërimin absolut mbi ekonominë, është sepse politikat e 12 viteve të fundit kanë favorizuar klientelizmin dhe koncesionet, duke lënë në harresë sipërmarrjen e ndershme. Rreth 70% e bizneseve shqiptare, sipas studimeve të fundit, kanë raportuar se u është kërkuar ryshfet.
Në këtë kontekst, Basha prezantoi një pjesë thelbësore të programit të Koalicionit Euroatlantik për zhvillimin ekonomik, ku theksi është te liria e tregut, mbështetja për sipërmarrjen dhe taksat e ulëta.
“Masat kryesore që synojnë të rindërtojnë besimin dhe të fuqizojnë shtresën e mesme përmes ekonomisë në shërbim të qytetarëve janë: Vendosja e taksës së sheshtë 9% për tatimin mbi fitimin dhe mbi të ardhurat personale; Heqja totale e taksave për biznesin e vogël me xhiro deri në 14 milionë lekë të reja; Kufizimi i detyrimeve ndaj pushtetit vendor jo më shumë se 1% e xhiros vjetore; Inspektime fiskale vetëm mbi bazë të analizës së riskut, dhe jo kontroll i verbër që shërben si mekanizëm presioni; Rimbursimi automatik i TVSH-së, pa vonesa dhe pa vendimmarrje individuale, duke eliminuar korrupsionin e administratës tatimore; Bashkimi i tatimeve dhe doganave në një institucion të vetëm, si mjet për të ulur burokracinë dhe rritur transparencën; Eliminimi i privilegjeve fiskale të investitorëve strategjikë, duke garantuar një terren të barabartë për të gjithë”, tha Basha.
“Këto masa do të krijojnë një mjedis të drejtë për biznesin dhe do të ndihmojnë sipërmarrjen të ringrihet pas një dekade korrupsioni, taksash abuzive dhe inspektimesh që kthehen në gjoba. Ekonomia shqiptare nuk mund të ecë përpara pa drejtësi dhe pa sipërmarrje të lirë”, u shpreh Basha.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin Koalicionin Euroatlantik më 11 maj, si të vetmen alternativë politike që jo vetëm flet për drejtësi dhe zhvillim, por ka dhe vullnetin dhe vizionin për ta realizuar.
Burimi ATSH