
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim elektoral në Memaliaj.
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim elektoral në Memaliaj.

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim elektoral në Memaliaj. Gjatë takimit Rama tha se në Memaliaj tashmë ka një numër të lartë investimesh, kryesisht në turizëm.
“Ne arritëm t’ia ngremë Shqipërisë kokën, t’ia nxjerrim Shqipërisë zërin e mirë, ta kthejmë Shqipërinë nga një vend që nuk do të vinte njeri në një vend që vjet erdhën 12 milionë njerëz. Ne arritëm që t’i bëjmë këto zona deri dje të braktisura zona të zhvillimit të turizmit. Kujt i shkonte mendja se në Memaliaj do të kishte një perspektivë pas mbylljes së minierës dhe braktisjes? Kujt i shkonte mendja se në Memaliaj do të fillonin të çelnin investimet për agroturizëm dhe agropërpunim? Kujt i shkonte mendja se Vjosa do të bëhej lumi me nam i Europës dhe do të kthehej në një park kombëtar ku tani do të vazhdojnë investime pas investimesh? Pak kujt i shkonte mendja”, tha Rama.
Rama tha se nuk duhet të ndalemi dhe se Shqipëria duhet të vazhdojë ngjitjen në majën ku meritojnë fëmijët tanë, që është Bashkimi Europian.
“Ne e ndjemë që ishte misioni ynë dhe këtë mision ne po çojmë para. Nuk duhet të ndalemi, sepse tanimë jemi në ngjitje dhe duhet të vazhdojmë në ngjitje Shqipëria duhet të ngjitet në majën ku e meritojnë fëmijët tanë. Shqipëria 2030 duhet të jetë Shqipëria që e ka mbyllur marrëdhënien e vet me të shkruarën dhe ka hapur përfundimisht horizontin ku liria individuale, barazia para ligjit, zhvillimi mirëqenia janë jo më thjeshtë dëshira apo vullneti i një pale këtu apo i një pale tjetër, janë vetë arsyeja e ekzistencës së familjes së bashkuar europiane ku ne do të jemi pjesë e barabartë”, tha Rama.
Rama tha se synojmë që prodhimin e brendshëm bruto ta çojmë në 33 miliardë euro.
“Kështu që unë dua t’i siguroj të tërë dhe të tëra që janë këtu se në do të vazhdojmë me më shumë investime për infrastrukturën me më shumë investime të tjera për shkolla për çerdhe dhe për shëndetësinë do të vazhdojmë të rrisim pagat, do të rrisim edhe më shumë prodhimin e brendshëm bruto, kur ne morëm detyrën ishte më pak se 10 miliardë, tani është 25 miliardë dhe do ta çojmë 33 miliardë të paktën”, tha Rama.
Rama theksoi se “misioni ynë, misioni i çdo kujt që ka një votë më 11 maj është Europa, është Shqipëria europiane”.
“Ju keni miq të afërt në Greqi, ata sot janë në ankth për pensionet, pyetja është a do t’u njihen ashtu sikundër shumëkush prej tyre që vjen e kërkon pensionin këtu dhe lebetitet: si ka mundësi? Por ka qenë atje, nuk ka paguar këtu sigurime shoqërore dhe të gjitha këto kërkojnë një marrëveshje me Greqinë. Ashtu sikundër ata janë, ju e dini mirë, dokumente sot e dokumente nesër. Të gjitha këto mbarojnë nëse ata marrin këtë pasaportë, sepse me këtë pasaportën në çdo vend të Europës je njësoj si çdo europian tjetër”, u shpreh Rama.
Rama i cilësoi zgjedhjet e 11 majit si një moment historik për vendin. Rama u bëri thirrje socialistëve që të ftojnë sa më shumë demokratë që të votojnë për PS-në pasi vota për PS-në është për të ardhmen dhe jo “këneta e bufit”.
“Është një Shqipëri e re që na pret, dhe pret çfarë, votën e secilit, e secilës dhe si mundet që dikush për inat të PS të marri votën dhe ta hedhë në “kënetë”, një votë që sot na ka qëlluar ne, kësaj gjenerate, në këtë moment është për Europën për amanetin, është amaneti i të parëve, nuk është kërkesë e imja dhe e PS është ai amanet që i shtyu shumë shqiptare në mars të ’92 të votonin PD dhe pse s’e shikonin dot me sy PD, por ishte koha dhe vendi për amanetin për të mbyllur përfundimisht historinë e së shkuarës.
Ky është takimi i dytë me historinë më 11 maj, kështu që bëni gjithçka në këto ditë për të nxjerrë nga sa më shumë fqinjë e sa më shumë të njohur demokratë, atë shejtanin në bark dhe për t’u thënë se nuk keni nevojë të bëheni socialistë, por ejani të votojmë së bashku dhe mbyllni sytë dhe hidheni atë votë tek “5”, se aty është kutia e të ardhmes dhe jo në “kënetë” te “bufi””, tha Rama.
Burimi ATSH