
Rama: Në 11 maj votë për Shqipërinë në BE dhe jo në dorë të kënetës
Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim me gra dhe vajza të qarkut të Beratit.

Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim me gra dhe vajza të qarkut të Beratit. Nga ky takim, Rama u shpreh se 11 maji është takimi i dytë i shqiptarëve me historinë, ndaj është mundësia që të bëhet kjo histori me një votë.
Sipas Kryeministrit, ylli i fatit evropian të Shqipërisë është rreshtuar në vijë të drejtë me atë të BE-së, ndaj fati e ka dashur që vendi ynë të jeni të pragu i derës së BE-së, një prag që shqiptarët e kanë ëndërruar dhe kërkuar prej shekujsh. “Që e ka përcaktuar si destinacion profeti i historisë sonë kombëtare kur i vuri gjoksin Evropës dhe përcaktoi për ne se vendi ynë është në Evropë dhe jo në Azi, shqiptarët e përcollën përmes shumë sfilitjesh, sforcimesh atë që rilindësit tanë e kthyen në amanet duke na e lënë të shkruar: “Dielli ynë lind andej nga perëndon”. Pastaj deri kur u përmbys diktatura, dhe pa pasur një udhëheqës, populli e formuloi vetë thirrjen: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa””, tha Rama.
“Ne, populli shqiptar, gjendemi përpara derës së Evropës që duket siç duket fundi i këtij bulevardi, kaq afër. BE na ka dhënë kalendarin në tavolinë, na ka thënë tre vjet, të punojmë së bashku pa pushim ditë-natë për të mbyllur negociatat në 2027. Kemi filluar vjet. Negociatat janë mbi 250 mijë faqe, janë norma, standarde, rregulla, ligje që mbulojnë të gjithë spektrin e funksionimit të një shteti. Se për të qenë shtet anëtar i BE-së, ti duhet të përmbushësh të gjitha këto norma, standarde, rregulla, ligje që janë në trupin ligjor të BE-së dhe për këtë arsye diskutohet që nga ekonomia, drejtësia, tregjet, konkurrenca, deri te mjedisi, ujërat, zogjtë, peshqit, të gjitha”, nënvizoi Kryeministri.
Ai theksoi se për procesin e negociatave janë të angazhuar plot një mijë persona në zyrat e shtetit shqiptar që punojnë çdo ditë dhe një mijë njerëz në zyrat e Brukselit që mbulojnë gjithë këto grupe çështjesh.
Rama, nënvizoi gjatë fjalës së tij, se pikërisht për të gjitha këto arsye duhet forcë përmes votës në 11 maj, që të mos mbetet nevoja për t’i kërkuar mirëkuptim kënetës apo opozitës, siç e quan ai.
“Na duhet një fuqi e madhe vendimmarrëse, që mos të kemi nevojë dhe as t’i kërkojmë kënetës mirëkuptim. E parafytyroni apo jo? Deri në 2027 duhet të jemi si ‘sahat zviceran’ sepse ajo derë, historia e zgjerimit ka treguar që dera e asaj shtëpie nuk ri hapur. Ajo derë hapet që kur atyre që janë brenda ju intereson dhe bijen në një mendje. Ne i hapëm negociatat vjet dhe sot jemi te pragu krah për krah me Malin e Zi, sepse dera është hapur sot, është hapur jo thjesht se ne jemi gati, por edhe se ata janë gati. Nëse ne nuk e kapim 2027, nëse ne nuk i bëjmë detyrat siç janë të përcaktuara në kalendar ne nuk kemi justifikime dhe ata nuk na presin dhe gjërat mund të ndryshojnë. Në një moment të caktuar mbyllet dera dhe mund të ngelemi jashtë BE edhe për 15 vite të tjera, se kjo ju ka ndodhur vendeve të tjera”, shtoi Rama.
“Dera e asaj shtëpie nuk rri hapur gjithmonë. Mund të trokasësh sa të duash, nuk hapet. Ajo hapet kur atyre që janë brenda, 27 vendeve u intereson dhe bien në një mendje”, pohoi Rama.
“Ka gjë më të madhe se kjo përgjegjësi dhe mundësi historike dhe që vjen te një votë e jotja dhe ti ta përfillësh se s’të pëlqen PS apo Edi Rama, apo kulmi fare, se të tërheq këneta. Apo për prindërit, që duan t’i lënë fëmijët pa pasaportën europiane, duan t’i lënë pa Europë. Edi Rama sot është nesër nuk është, por Shqipëria do mbetet gjithmonë. Shqipëria është dhe s’është mirë në varësi të vendimeve që marrim ne. Ky është rasti që Shqipëria të jetë zonjë e ulur në sallonin e BE-së. Që shqiptarët të mos jenë të dorës së dytë si dikur, por të banojnë në kërthizën e BE-së, në qendër, jo në periferi, të mos jemi të huaj”, tha Rama.
Burimi ATSH