
Sejko me shefen e Misionit të FMN-së: Ekonomia shqiptare në trajektore të qëndrueshme zhvillimi
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko priti në një takim Anke Weber, shefe e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, (FMN) për Shqipërinë.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko priti në një takim Anke Weber, shefe e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, (FMN) për Shqipërinë, ku diskutuan mbi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe perspektivën pozitive të vendit.
Guvernatori tha se, “ekonomia shqiptare mbetet në një trajektore të qëndrueshme zhvillimi”.
“Rritja ekonomike 3,5% deri në 4% ka gjeneruar rritje të punësimit dhe të pagave dhe të mirëqenies së shoqërisë shqiptare. Në të njëjtën kohë, parametrat kryesorë të shëndetit ekonomik dhe financiar të vendit, ku inflacioni shënon 2%, borxhi publik dhe i jashtëm është në rënie dhe rezervat valutore në rritje”, u shpreh Sejko.
Gjithashtu, nënvizoi Guvernatori, sektori financiar mbetet i qëndrueshëm, me banka të mirëkapitalizuara dhe me fitim, ndërsa niveli i kredive me probleme (NPL-të) është në nivel të ulët.
Ndërkohë që Shqipëria ka marrë vlerësime pozitive Ba3 nga Moody’s, BB dhe S&P.
“Politikat fiskale dhe monetare të kujdesshme kanë ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar”, tha Guvernatori Sejko.
Sejko garantoi se, politika monetare do të mbetet e orientuar drejt stabilitetit të çmimeve, me vendime të ardhshme për normën bazë të interesit, bazuar në të dhëna dhe të kalibruara me kujdes.
“Kjo qasje synon të parandalojë rreziqet e inflacionit dhe të mbështesë rritjen ekonomike”, deklaroi Guvernatori i BSH-së.
Burimi ATSH