
Xi Jinping thekson promovimin e zhvillimit të shëndetshëm të inteligjencës artificiale
Byroja Politike e Komitetit Qendror të PKK-së zhvilloi një sesion studimi në grup për forcimin e zhvillimit dhe administrimit të inteligjencës artificiale.

Të premten pasdite, Byroja Politike e Komitetit Qendror të PKK-së zhvilloi një sesion studimi në grup për forcimin e zhvillimit dhe administrimit të inteligjencës artificiale. Në të, Presidenti Xi Jinping theksoi se duhet të forcohet zotërimi dhe përdorimi i teknologjisë së inteligjencës artificiale, për të promovuar zhvillimin e shëndetshëm dhe të rregullt të saj në Kinë.
Xi Jinping vuri në dukje se si një teknologji strategjike që udhëheq raundin e ri të revolucionit teknologjik dhe reformës industriale, inteligjenca artificiale po ndryshon thellësisht mënyrat e prodhimit dhe jetës njerëzore.
Qeveria kineze i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të inteligjencës artificiale dhe ka marrë masat për të promovuar zhvillimin e saj në vend. Njëkohësisht ka ende mangësi në teorinë bazë dhe teknologjinë thelbësore. Duhet të promovohen risitë teknologjike, zhvillimi dhe përdorimi i inteligjencës artificiale. Gjithashtu të përsoset sistemi i administrimit të inteligjencës artificiale.
Xi Jinping theksoi se duhet të forcohet kërkimi bazë dhe të zotërohen sa më parë teknologjitë thelbësore duke përfshirë çipat e lartë apo softuerët bazë, duke krijuar një sistem të kontrollueshëm të inteligjencës artificiale, për të përshpejtuar zhvillimin me risi të teknologjive në fusha të ndryshme.
Xi Jinping u shpreh se Kina ka të dhëna të pasura, një sistem të përsosur industrial dhe një treg të gjerë përdorimi të inteligjencës artificiale. Duhet të promovohet integrimi i inteligjencës artificiale me sektorët e ndryshëm, për të nxitur përshkallëzimin e sektorëve tradicionalë.
Xi Jinping theksoi se inteligjenca artificiale ka sjellë jo vetëm mundësi të papara zhvillimi, por edhe rreziqe dhe sfida. Duhet të hartohen dhe përsosen ligjet, rregullat, politikat dhe sistemet përkatëse për të siguruar që inteligjenca artificiale të jetë e sigurt, e besueshme dhe e kontrollueshme.
Xi Jinping shtoi se inteligjenca artificiale është një produkt publik ndërkombëtar që i sjell njerëzimit përfitime. Duhet të zhvillohet bashkëpunimi ndërkombëtar në këtë fushë dhe të promovohet koordinimi i strategjive të zhvillimit, rregullave administrative dhe standardeve teknologjike të palëve të ndryshme, për të krijuar sa më parë një kornizë globale të rregullimit të inteligjencës artificiale.
Burimi CGTN