
Aeroporti i Vlorës, Balluku: Më 8 maj testi i parë i uljes së avionit në pistë
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha sot se “më 8 maj, vetëm pas pak ditësh, do kemi testin e parë të uljes në pistën prej 3,2 kilometrash në Vlorë”.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha sot se “më 8 maj, vetëm pas pak ditësh, do kemi testin e parë të uljes në pistën prej 3,2 kilometrash në Vlorë”.
Në fjalën e saj gjatë një takimi në qytetin e Vlorës me fokus ecurinë e projekteve strategjike në fushën e transportit, kryesisht në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës dhe zhvillimin e portit të këtij qyteti, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Balluku tha se “brenda sezonit veror do të nisin operimet zyrtare nga Aeroporti i Vlorës, aeroporti i gjithë shqiptarëve”.
Balluku tha se “Vlora pret në vitin e parë të operimit 3 milionë pasagjerë”.
Ajo theksoi se ndërtimi dhe bërja funksional i Aeroportit të Vlorës do të krijojë 1200 vende punë për të gjithë ata persona, që duan të punojnë dhe kontribuojnë në sektorin e Aviacionit Civil.
“Ka 1200 vende pune, një pjesë e të cilëve kanë nisur rekrutimi. Pagat në aviacionin civil janë paga shumë të ngjashme me vendet e tjera evropiane, sepse siç e kemi thënë, aviacioni civil nuk i ka kufi. Kapaciteti përpunues në këtë aeroport do të jetë 4,5 milionë pasagjerë”, tha Balluku.
Duke e cilësuar krenarinë e aviacionit civil, Balluku tha se “kur filloi investimi ishte planifikuar 104 milionë euro, por që për shkak të gjitha zhvillimeve nga viti 2021 deri në 2024 konsorsiumi ka investuar deri tani 140 milionë euro, pasi është aeroporti i parë që ka tre komponentë të rëndësishëm të bërë bashkë”.
“Komponenti i parë i aviacionit civil, transporti i pasagjerëve; i dyti, mirëmbajtja e avionëve, një nënsektor toalisht i ri në Republikën e Shqipërisë, i cili do të sjellë jo vetëm punësimin e qindra djemve dhe vajzave, të cilat do të vendosin që të hyjnë në këtë industri të re, por e vendos Shqipërinë si një nga vendet ku zhvillohet një nënsektor shumë i rëndësishëm, që sjell edhe rritje të ulje-ngritjeve edhe rritje të të ardhurave të njësisë operative për shkak të qëndrimit të ditëve të qëndrimit të avionëve. Pra një komponent i industrisë së aviacionit civil që ka impakt ekonomik të jashtëzakonshëm si për pozicione pune, edhe për të ardhurat”, nënvizoi Balluku.
Burimi ATSH