
Berisha në Selanik: Çdo shqiptar më 11 maj të japë kontributin e tij për shpëtimin e Shqipërisë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me qytetarët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Selanik.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me qytetarët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Selanik.
Në fjalën e tij Berisha u shpreh se, “ky është një kushtrim për çdo shqiptar kudo që është, që më 11 maj të japë kontributin e tij për shpëtimin e Shqipërisë”.
“Shqipëria këto 12 vite ka njohur të këqija që nuk i mban vendi në tërë historinë e saj. Asnjë pushtues, asnjë epidemi, asnjë zi buke, nuk ka arritur në 12 vite të pakësojë shqiptarët me 45% të kombit, siç ka arritur regjimi i Edi Ramës. Dhe ju jeni dëshmitarë, se ai arriti me dhunë, arriti me varfëri, arriti me përçmimim dhe me poshtërim të shqiptarëve”, tha Berisha.
Kreu i PD theksoi se “qëndrimi i shqiptarëve në 11 maj është shpëtimtar, është vendimtar për të sotmen dhe të ardhmen e kombit tonë”.
“Mendoni për një moment ku jemi ne sot, shqiptarët? Se çfarë të ardhme kemi ne sot, një komb, i cili nga viti 2019 e gjer sot ka më shumë vdekje se lindje. Një komb, i cili sipas OKB, javën e kaluar ka, për shkak të emigracionit, lindëshmërinë më të ulët në botë”, tha ai
“Një komb, i cili në qytetin e Ersekës, dy vite më parë pati vetëm një lindje. Një komb që, shkollat i mbyllen njëra pas tjetrës. U shndërruan shkollat, miq, si dikur zyrat e kooperativës bujqësore, kur ra sistemi i kolektivizimit dhe ato u mbyllën se ishin të këqija, dhe duheshin mbyllur”, theksoi Berisha.
“Po shkollat, institucionet e dritës dhe edukimit, pse mbyllen? Mbyllen sepse nuk kanë nxënës. Mbyllen se mbeten me një nxënës. Se Erseka në vitin 2030 në klasë të parë do të ketë vetëm një nxënës”, u shpreh Berisha.
“A nuk është ky një kushtrim për çdo shqiptar që i thotë vetes shqiptar, kudo që ndodhet nga Afrika e Jugut në Polin e Veriut, nga një skaj i botës në skajin tjetër? Nga njëra anë e Greqisë në anën tjetër, që më 11 maj të japë kontributin e tij për shpëtimin e Shqipërisë”, u shpreh ai.
Burimi ATSH