
Berisha thirrje diasporës: Planifikoni të ktheheni dhe të investoni në Shqipëri
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me qytetarë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Selanik (Greqi).

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me qytetarë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Selanik (Greqi).
Në fjalën e tij Berisha ftoi shqiptarët në diasporë që të kthehen dhe të investojnë në Shqipëri.
“E vërteta është, sot një pensionist në Shqipëri, që në vitin 2013 merrte 143 mijë lekë, mund të blinte me ato 143 mijë lekë, sa blihen sot me 390 mijë lekë. Po, a u rritën pensionet me 390 mijë lekë? Pensionet u rritën, o miqtë e mi, vetëm 172 mijë lekë. Nga 143 mijë, kaluan në 172 mijë”, tha Berisha.
“Po në Mal Të Zi? Mali i Zi i kishte pensionet 138 mijë lekë. Sa merr sot malazezi? 450 mijë lekë. Pse? Sepse, qeveria çdo vit kur ndan paratë, ua kthen një pjesë të mirë qytetarëve. Ua kthen në rroga, pensione, shërbim shëndetësor, në shkolla, ua kthen në shërbime tjera, ua kthen në subvencione”, theksoi ai.
“Kurse këta, i ndajnë njëri me tjetrin, o miq. A lexoni ju çdo ditë se si tenderat fitohen nga familjarë të njëri-tjetrit? A lexoni ju çdo ditë, se si rrugën ndërtohen me 10-fishin e çmimit? Lexoni ju, se si zhduket djegësi i Tiranës? 130 milionë euro me firmë të Edi Ramës, dhe nuk ekziston nam as nishan, sepse milionat i ka marrë vetë Edi Rama me firmën e tij”, tha Berisha.
Pra, shtoi kreu i PD, “çfarë ndodh në vendin tuaj? Si ka mundësi që, njerëzit tuaj varfërohen nga viti në vit, dhe mund të mbijetojnë falë ndihmave tuaja? E gjitha kjo vjen se, çmimet shkojnë në stratosferë”.
“Euro ka rënë përtokë. Euro është zhvlerësuar 35%. Imagjinoni, sot 100 euro që ju dërgoni kushtojnë 35 euro më pak se sa kushtonin 10 vite më parë. Po, pse? Se vërshojnë narkoeurot. E dëgjoni atë, domethënë, do bëjë dhe amnistinë e tyre. Mirëpo kjo, vret xhepat tuaj, rëndon familjet tuaja. E gjitha kjo, krijoi një terren, Shqipëria nuk jetohet”, tha Berisha.
“A ka vend më të pasur sesa Shqipëria? Ua them unë ju: në Europë nuk ka absolutisht asnjë vend me pasuritë përrallore, nëntokësore dhe mbitokësore që ka Shqipëria. Shqipëria është vendi që mund të pasurojë qytetarët e saj më shpejt, më shumë se çdo vend tjetër”, tha Berisha.
Por, shtoi ai, “Shqipëria vidhet në pasuritë e saj, pasuritë e saj ndahen nga qeveritarët, narkotrafikantët”.
Ndaj, theksoi ai, “ne vijmë tek ju me një program i cili brenda 100 ditëve merr përsipër që prindërit tuaj, gjyshërit tuaj, familjarët tuaj, që janë në skamje t’i nxjerrë brenda 100 ditëve nga varfëria ekstreme. Vendoset në Shqipëri minimumi jetik 200 euro. Nuk do ketë pensione nën 200 euro”.
“Por sot, 56% të pensioneve janë ndën 172 euro. Sot, qytetarët me ndihmë ekonomike marrin një ndihme prej 60-70 eurosh, qesharake. Sot, të papunët marrin një ndihmë qesharake. Pra, nuk do të ketë shqiptar që do të firmosë nën 200 euro. Rroga minimale rritet në 500 euro, rroga mesatare në 1200 euro. Dhe këto, janë vetëm starti për të dalë, siç ishim, në krye. Me rroga dhe pensione të vendeve të rajonit”, tha Berisha.
Por shtoi kreu i PD, “Made in Albania, është shtyllë krysore e Shqipërisë madhështore. Prodhimi në Shqipëri, është kusht i të gjitha kushteve që Shqipëria të ngrihet në lartësinë e madhështisë së saj”.
Ndaj shtoi ai, “jam këtu për t’ju ftuar ju, çdo emigrante dhe emigrant në Greqi dhe kudo që ndodheni: planifikoni të ktheheni në Shqipëri. Investoni në Shqipëri!”.
“Ju jap fjalën se, 5 vitet e para nuk do të keni asnjë taksë. Ju jap fjalën, se secili nga ju, që kërkon mbështeje do të ketë kredi të buta dhe grante për biznesin e tij, do të ketë kredi të buta për strehimin e tij. Sikundër, zotohem para jush se, taksat për shtëpitë tuaja në Shqipëri do të zerohen, gjersa ju të ktheheni në to. Nuk do t’ju marrë kush taska, jo. Makinën e parë do ta sillni pa taksa në Shqipëri. Do ketë lehtësira të tjera”, tha Berisha.
Burimi ATSH