
Rama: Rritje e mbështetjes për Forcat e Armatosura
Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi sot një takim në qytetin e Vlorës

Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi sot një takim në qytetin e Vlorës me fokus ecurinë e projekteve strategjike në fushën e transportit, kryesisht në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës dhe zhvillimin e portit të këtij qyteti.
Në fjalën e tij, Rama u ndal tek rritja e buxhetit të mbrojtjes të cilin, tha ai, “ne e kemi fokusuar në mënyrë të veҫantë në vitet e tek rritja e mbështetjes për Forcat tona të Armatosura. Do ta vazhdojmë duke shtuar mbështetjen për ushtarakët tanë, në të gjitha aspektet, jo vetëm në aspektin e pagës, por dhe në të gjitha aspketet e tjera deri tek strehimi”.
“Kemi filluar një politikë të re për të mbështetur strehimin e ushtarakëve dhe nga ana tjetër do ta fokusojmë tek prodhimim te ngritja e një baze të mirëfilltë prodhuese në Shqipëri, për të vënë në dispozicion të Forcave tona të Armatosura mjetet më të sofistikuara të kohës, por edhe për të eksportuar duke bërë kështu dy gjëra – përveҫ rritjes së kapaciteteve të sigurisë – duke bërë dy gjëra: E para, duke krijuar një bazë industriale ekselence dhe duke iu krijuar mundësi vajzave dhe djemve të këtij vendi, që jo vetëm të qëndrojnë këtu për punë të mirëpaguara, por dhe të kthehen këtu, për punë të mirëpaguara, dhe nga ana tjetër duke përdorur industrinë ushtarake si një komponent të ri, si një motor të ri të rritjes sonë ekonomike”, tha Rama.
Rama u shpreh “besimplotë, që kjo marrëveshje e nënshkruar sot, e cila është vetëm një nga gurët e një mozaiku shumë më kompleks, do të na japë në 4-5 vitet e ardhshme mundësinë të jemi shumë krenarë që ishim këtu sot dhe jam i bindur që të gjithë ushtarakët e rinj që i shikoj aty në sfond do ta kujtojnë këtë ditë si ditën kur nisi një epokë e re për Forcat Ajrore të RSH, por edhe për Forcat tona të Armatosura në përgjithësi”.
Burimi ATSH