
Hoxha: Rigjallërimi i ish-Uzinës së Autotraktorëve, pol zhvillimi ekonomik për vendin
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha tha gjatë fjalës së tij për prezantimin e projektit për rigjallërimin e ish-Uzinës së Autotraktorëve se ky objekt pritet të shndërrohet në një pol zhvillimi ekonomik për vendin, duke ofruar edhe mundësi punësimi për banorët e Njësisë Administrative nr. 1.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha tha sot gjatë fjalës së tij për prezantimin e projektit për rigjallërimin e ish-Uzinës së Autotraktorëve se ky objekt pritet të shndërrohet në një pol zhvillimi ekonomik për vendin, duke ofruar edhe mundësi punësimi për banorët e Njësisë Administrative nr. 1.
Në takimin ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, si edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ministri Hoxha u shpreh se “ky projekt përfshin një investim serioz në teknologji moderne dhe inovative për prodhimin e automjeteve ushtarake dhe uniformave me cilësi të lartë për Forcat e Armatosura dhe Policinë e Shtetit”.
“Është një investim i rëndësishëm për ekonominë e vendit, por për Njësinë 1 është një projekt transformues, që do të sjellë zhvillim dhe do të hapë vende pune jo vetëm në pozicione të specializuara, por edhe në shërbime mbështetëse duke ndërtuar një pol zhvillimi për njësinë dhe duke siguruar një të ardhme më të mirë për shumë familje në zonën tonë”, tha ai.
Ministri Hoxha cilësoi se ky projekt është vetëm një nga dhjetëra projektet zhvilluese dhe inovative, pjesë e vizionit Shqipëria 2030, për të cilat po punon qeveria nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama.
Ministri i Brendshëm u ndal edhe tek akuzat e opozitës që e kanë sulmuar këtë projekt, por siç tha Hoxha, “siç ka ndodhur edhe më parë, me projekte të tjera që kanë transformuar këtë vend edhe ky projekt po sulmohet sot nga opozita, e cila meqë vetë s’ka as ide, as vizion, po përpiqen ta kthejnë komunitetin kundër punëve të mira që po bëhen përmes mashtrimit dhe gënjeshtrave”.
“Jam i vetëdijshëm që disa banorë mund të jenë shqetësuar nga gënjeshtrat dhe keqinformimet që janë përhapur lidhur me këtë projekt, ndaj si përfaqësues i juaji në këtë komunitet dua t’ju siguroj se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Këtu do të prodhohen automjete dhe uniforma dhe jo bomba dhe eksploziv”, u shpreh Hoxha, teksa cilësoi faktin se “Shkoza nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar, por ka arsye për t’u gëzuar dhe për ta mirëpritur këtë projekt që do të zbatohet sipas standardeve më të larta të sigurisë teknike dhe mbrojtjes së mjedisit duke sjellë punësim, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie”.
Burimi ATSH