
Duma: Afrojmë pronësinë intelektuale me standardet evropiane
Zëvëndësministri i MEKI, Sokol Duma, pret zëvendëspresidentin për Çështjet Ligjore dhe Ndërkombëtare në Zyrën Evropiane të Patentave (EPO), Christoph Ernst

Zëvëndësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Sokol Duma priti në një takim zëvendëspresidentin për Çështjet Ligjore dhe Ndërkombëtare në Zyrën Evropiane të Patentave (EPO), Christoph Ernst, në kuadër të konferencës së nivelit të lartë për Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale.
Në këtë takim ishte e pranishme edhe drejtoresha e përgjithshme e Komanduar e Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, (DPPI-së), Maria Solis Kapedani.
Duma e vlerësoi takimin një mundësi të vyer për të thelluar bashkëpunimin mes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Zyrës Evropiane të Patentave.
“Rikonfirmuam angazhimin tonë për të çuar përpara plane konkrete dhe për të forcuar partneritetin tonë dypalësh, me synimin për të zhvilluar më tej sistemin e pronësisë intelektuale në Shqipëri dhe për ta afruar më shumë me standardet evropiane të inovacionit dhe mbrojtjes së të drejtave”, tha ai.
Burimi ATSH