Rauf Fico, diplomati brilant me vizion perëndimor

Rauf Fico përcaktoi juridiksionin e konsullatave shqiptare dhe Konsullatave të Nderit të Shqipërisë jashtë vendit.


Nga Melsen Kafilaj, Studiues

(Konsiderata për një diplomat shqiptar të kalibrit evropian)

Në njërën prej “Biblave të Diplomatëve”, në veprën e tij kardinale “Diplomacia” Sir Harold Nicolson duke folur për cilësitë e vyera që duhet të ketë një diplomat shkruante: “E vërteta, saktësia, përpikmëria, qetësia, durimi, karakteri i mirë, modestia dhe besnikëria.

Këto janë cilësitë e një diplomati ideal. Por nëse më kundërshtoni duke thënë se kam harruar pa përmëndur këtu inteligjencën, njohuritë, mprehtësinë, maturinë, mikpritjen, sharmin, punën sistematike, kurajën dhe taktin, më lejoni t’ju them se nuk i kam harruar por i kam marrë ato si të mirëqena.”(Nicolson 1939:126)

Ndërsa lexoja këtë pasazh nga Sir Nicolson, mendja më shkoi menjëherë tek një figurë specifike kombëtare e cila i mishëronte më së miri ato; diplomati i kalibrit evropian Rauf Fico. I edukuar në Vjenë dhe në Mekteb-i Mülkiye për shkenca politiko-administrative (kjo e fundit e themeluar nga Sulltan Abdulmexhidi I në vitin 1859 dhe e cilësuar si “L’École Normale Supérieure” e Otomanëve, do të nxirrte një sërë elitash intelektuale dhe politike, përfshirë këtu edhe personalitetet e shquara të jetës politike shqiptare si Mehdi Frashëri, Sulejman Delvina, etj).

Rauf Fico, ky personalitet me vizion perëndimor është pa dyshim një prej ministrave të punëve të jashtme më të kulturuar dhe më i dekoruari ndërkomëbtarisht në krejt historinë e shtetit shqiptar. (Ai fliste 8 gjuhë të huaja dhe i ishin akorduar plotë 16 dekorata nderkombëtare, 12 prej te cilave ishin urdhëra të lartë mbretëror).

Këtë fakt mbi peshën e tij kulturoro-intelektuale, sipas akademikut Kopi Kyçyku, e pohonin si gazeta gjermane “Diplomaten Zeitung” po ashtu edhe ajo hungareze “Pester Lloyd” teksa shkruanin se “Rauf Fico është një njeri i kulturuar dhe një nga burrat më të aftë jo vetëm të Shqipërisë por edhe të Ballkanit.”

Gjatë gjithë jetës, “Boazi dhe Jakini”- dy shtyllat kryesore përmes të cilave e ngriti tempullin e vet Rauf Fico qenë Patriotizmi dhe Interesi Kombëtar. Patriotizma ishte “raison d’etre” e tij dhe ajo ishte e pashembullt; në mendime, në qëllime dhe në veprime.

Gjatë Kongresit të Manastirit (1908) në të cilin ai ishte caktuar si delegat për Gjirokastrën, kur e pyetën në mënyrë provokative në lidhje me shkronjat e alfabetit nëse duhet të ishin arabe apo latine, përgjigjia e tij qe me ton solemn zemre: “Unë jam shqiptar dhe si i tillë jam pro alfabetit shqip.”

Në shërbim të kësaj patriotizme dhe të interesit kombëtar Rauf Fico rrezikonte të vinte në lojë edhe dinjitetin e tij vetijak. Mjaft të përmëndim këtu gjestin e tij kalorsiak më 1913 ku ju gjunjëzua Princit Pietro Lanza Di Scalea, atëherë në funksionin e Sekretarit të Shtetit për Punët e Jashtme të Italisë dhe ju drejtua atij me një frëngjishte elegante: “Excellence! Sauvez nous la Tchamerie!” (Shkëlqesi! Na e shpëtoni Çamërinë!)
Rauf Fico e nisi karrierën diplomatike në vitin 1926, kur u emërua si ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Turqi. (Për ata që glorifikojnë sot marrdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, më lejoni që t’ju rikujtoj se qe pikërisht ky burrë i madh i cili e theu akullin diplomatik midis Ataturkut dhe Zogut, i cili nuk nuk e honepste dot këtë të fundit dhe vendosi urat e miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve.)

Por merita kryesore që i takon Rauf Ficos gjatë marrjes së detyrës si Ministër i Punëve të Jashtme në vitin 1929 është se ai miratoi Ligjin e Parë Organik të Ministrisë së Punëve të Jashtme (hartimi i të cilit kishte nisur qysh më 1925) dhe atë Konsullor.

Fico përcaktoi gjithashtu edhe juridiksionin e konsullatave shqiptare dhe Konsullatave të Nderit të Shqipërisë jashtë vendit dhe i dha përparësi meritokracisë në rekrutimin diplomatik.

Një çështje jetike për të ishte padyshim edhe ajo e Kosovës. Gjatë akreditimit të tij si diplomat në Jugosllavi përgjatë viteve 1933-36, Fico falë network- ut të vet personal u mundua që ta bënte të njohur përmes shtypit botëror gjëndjen e rënduar të popullit shqiptar në Kosovë.

Nëse do të flasim me termat e ditëve tona, ai ishte një model i shkëlqyer i të bërit “public diplomacy.” (diplomaci publike) E gjej me vend këtu që të përcjell gjithashtu këshillën që ai i jepte një studenti shqiptar i cili studionte për gazetari në Jugosllavi teksa i thoshte: “Kur të vish herën tjetër, sill edhe ndonjë student të huaj, shok ose mikun tënd se kemi plot gjëra të bukura që t’iu tregojmë nga Shqipëria dhe kultura e saj e lashtë.

Miqtë – gazetarë na duhen se ata janë posta më e mirë e lajmeve të vërteta.” Për çështjen e Kosovës ai kishte një dobësi të veçantë. Aq e vërtetë është kjo saqë edhe kur i paraqiti letër-kredencialet Kancelarit të Gjermanisë në vitin 1938 megjithëse Joachim von Ribbentrop, atëherë me funksionin e Ministrit të Punëve të jashtme, e konsideronte “tepër të papërshtatshme si çështje”, ai e gjeti mënyrën dhe formën sesi ti’a shpaloste këtë çështje Hitlerit duke e bërë që të lëshonte nga goja në fund të takimit këtë frazë emocionuese: “Shqipëria ka burra përderisa ka dërguar këtu një burrë të tillë!”

Një aspekt tjetër që vlen për tu përmëndur prej aktivitetit të tij diplomatik është gjatë viteve 1936-38 në lidhje me fqinjin tonë Greqinë. Ai i vuri pikat mbi “i” me këtë vend, duke i kërkuar herë me takt dhe herë të tjera në mënyrë të kushtëzuar Athinës zyrtare që ti respektonte të treja parimet themelore të diplomacisë moderne evropiane; Parimin e Fqinjësisë së Mirë, Parimin e Reciprocitetit dhe Parimin e Bashkëpunimit.
Një shembull që vlen për tu përmëndur këtu është që në kuadër të parimit të reciprocitetit, ai i kërkoi qeverisë greke se nëse ajo është e interesuar që të hapë shkolla në gjuhën greke për minoritetin e saj në Shqipëri, duhet të respektoj gjithashtu të drejtën e popullsisë çame për të hapur shkolla në shqip dhe t’u jap të drejtën për tu arsimuar në gjuhën e tyre amëtare.

Qe pikërisht insistimi i këtij diplomati brilant që pas disa vitesh mohimesh dhe hezitimesh, gjatë viteve 37-38 qeveria greke të hapte 10 shkolla shqipe në Çamëri.

Teksa reflektoja mbi këtë burrë shteti, këtë diplomat të pashoq dhe aktivitetin e tij diplomatik, të udhëhequr përherë nga arsyeja shtetërore, patriotizma dhe interesi kombëtar; “këtë shqiptar të vërtetë i cili ishte i tillë edhe kur nuk kishte Shqipëri” (Po citoj këtu Faik Konicën), mëndja më shkoi natyrshëm tek Ministria e Punëve të Jashtme, si institucioni kyç në hartimin, përpunimin, organizimin dhe zbatimin e politikës së jashtme të shtetit shqiptar.

Por a do të ketë një vend nderi në këtë institucion, për një personalitet të papërsëritshëm si Rauf Fico, i cili jo vetëm që ju dha me mish e me shpirt mbrojtjes së interesave të shqiptarëve kudo ku u akreditua por gjithashtu i çeli dyert e mbyllura të legatave, duke i kthyer ato në vatra të ngrohta për bashkëkombasit e vet dhe në oaze mikpritjeje për përfaqësuesit diplomatik apo edhe individët e tjerë të huaj me influencë të gjerë shoqërore dhe politike.

Teksa ka vetëm një rrugë jetime në Tiranë e cila mban emrin e tij, përse Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme të mos mbaj emrin e nderuar “Rauf Fico?!” Kjo do të ishte diçka domethënëse, jo vetëm për të nderuar kujtimin e këtij kolosi të diplomacisë moderne shqiptare, por gjithashtu edhe për t’iu shërbyer si kompas moral diplomatëve të rinj në të ardhmen.

Mendoj që Rauf Fico ka bërë shumë për këtë komb dhe në këtë kuptim ne i mbetemi borxhlinj një figure si ai. Duke kryer një akt të tillë simbolik, nuk jemi ne që e madhështojmë atë si figurë. Përkundrazi, është ai që e madhështon këtë institucion me emrin, staturën dhe veprën e tij!

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…