A do të mbijetojë Partia Komuniste e Kinës?

 Guy Sorman, intelektual i njohur francez, autor i shumë librave, përfshirë librin e fundit “Perandoria e Gënjeshtrave: E vërteta mbi Kinën e shekullit XXI”


Nga Guy Sorman, “City Journal

A është Kina një komb komunist? Kjo është ajo që qeveria e Pekinit do të donte të besonin kinezët dhe bota gjatë festimeve të 100-vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste në Shangai. Në fillim PKK nuk ishte gjë tjetër veçse një grupim prej 13 intelektualësh të orientuar nga “ungjijtë” e Marksit, Engelsit dhe Leninit, dhe të magjepsur nga ajo që dukej premtuese në Bashkimin Sovjetik të sapo-formuar.

Edhe pse sot historia zyrtare e mohon, ne nuk duhet ta nënvlerësojmë rëndësinë që ka pasur ndihma ruse në krijimin e Partisë Komuniste Kineze, deri në kohën e fitores së saj ushtarake kundër nacionalistëve të Chiang Kai-shee në vitin 1949.

Pas ndihmës ushtarake erdhi ndihma për industrializimin e vendit, kjo deri në dëbimin e këshilltarëve sovjetikë nga Mao Ce Dun, që ishte i vendosur të impononte konceptimin e tij personal të komunizmit në Kinë dhe në pjesën tjetër të botës, pra Maoizmin dhe jo Leninizmin.

Aleanca Kinë-Rusi do të përfundonte në mosmarrëveshje:për komunistët kinezë, qëllimet thelbësore të ideologjisë ishin rivendosja e unitetit në Kinë, që ishte shkatërruar nga kolonializmi dhe luftërat civile, dhe imponimi ndaj kombit kinez i një ideologji të re kolektive, Marksizmi në vend të Konfucianizmit; për ta shndërruar sërish Kinën në qendrën e botës.

Partia Komuniste Kineze e pranoi ndihmën ruse për arsye taktike, por në asnjë moment nuk mendoi të bëhej sateliti i Moskës. Përveç këtij mosbesimi, kishte një konflikt civilizimesh. Rusët mbështeteshin tek klasa punëtore ose proletariati, me industrializimin si qëllimin e tyre kryesore.

Kina ishte fshatare, dhe Mao Ce Dun një bir fshatari, që donte që ajo të qëndronte e tillë. Popullariteti fillestar i Partisë Komuniste Kineze, lindi nga premtimi i saj për të konfiskuar pronat e pronarëve të pasur të tokave, në mënyrë që t’ua shpërndante ato fshatarëve të varfër. Virtyti i supozuar i punës agrare, shpjegon edhe arsyen pse pas çdo periudhe të destabilitetit të brendshëm, zgjidhja Maoiste ishte dërgimi i burokratëve dhe intelektualëve në fshat, në mënyrë që ata të mund të ri-zbulonin frymën revolucionare duke dëgjuar fshatarët.

Partia Komuniste e Maos e arriti objektivin e saj kryesor, duke shkatërruar çdo gjurmë të së kaluarës:jo më pronarë tokash, intelektualë apo artistë (përveç atyre të përkushtuar ndaj stilit formal të mbështetur nga Mao), dhe jo më qytetërim urban, fe tradicionale apo respekt për pleqtë dhe paraardhësit.

Kur vizitova fshatrat kineze në vitet 1970, dëgjova që secili nga fshatarët recitonte fjalët:“Falë kryetarit Mao, unë kam një biçikletë dhe një orë, dhe kjo është e mjaftueshme që unë te jem i lumtur!”. Po kush ishin anëtarët e partisë në atë kohë?

Nuk kishte asnjë grua dhe pak punëtore, disa intelektualë të skllavëruar dhe në pjesën më të madhe ata ishin aparatçikë dhe oficerë të ushtrisë. Kriteri i rekrutimit nuk ishte aftësia, por respektimi i ideologjisë, pra i ideologjisë së momentit, të cilën Mao e përcaktoi sipas fantazive të tij.

Duke folur për këto ditë të hershme, Deng Xiaoping, që pasoi Maon në krye të vendit, do të thoshte se “Mao kishte të drejtë në 70 për qind të rasteve, dhe gabim 30 për qind të rasteve të tjera”. 70 përqindëshi përputhej plotësisht me rivendosjen e unitetit të Kinës, me përjashtim të Tajvanit dhe Hong Kongut.

Po gabimi në30 për qind të rasteve? Këtu futej mungesa e zhvillimit ekonomik, uria masive, dhe rreth 80 milionë të vdekur të shkaktuar nga gabimet e partisë, dhe ato të shkaktuara nga spastrimet, të njohura nën emrat si Hapi i Madh Përpara dhe Revolucioni Kulturor.

Që të ruhej uniteti –-pra monopoli i Partisë Komuniste – Deng do t’i shtonte atij bilanci tragjik disa mijëra viktima në Sheshin Tiananmen në qershorin e vitit 1989, që ishin studentë që po protestonin pro demokracisë.

I mbeti Deng detyra e krijimit të një Partie Komuniste të dytë, duke filluar nga viti 1979; e cila nuk kishte asgjë të përbashkët me partinë e Maos përveç emrit. Deng, që qeverisi për 20 vjet me radhë dhe që themeloi sistemin kinez siç e njohim ne sot, trashëgoi nga Mao vetëm pasionin për unitetin kombëtar, dhe urrejtjen ndaj demokracisë (demokracia ishte thjesht ajo gjëja, mendonte ai, që kanë dekadentët perëndimorë).

Prioritetet e tij absolute ishin industrializimi, arsimi, zhvillimi ekonomik, rritja e standardit të jetesës dhe e fuqisë kombëtare. Ai e vazhdoi këtë strategji duke e rikthyer pronën private, kapitalizmin në shkallë të gjerë, universitetet dhe tregtinë me pjesën tjetër të botës.

Prandaj Partia Komuniste do të duhej të shndërrohej nga një parti e militantëve, në një parti të teknikëve dhe sipërmarrësve. Standardet e jetesës së anëtarëve të partisë u rritën bashkë me ekonominë e Kinës, meqë partia kontrollonte gjithçka dhe merrte pjesën e saj të fitimeve. Korrupsioni i zyrtarëve, është një pjesë thelbësore e sistemit.

Ai inkurajohet kur e shton pasurinë e vendit dhe dënohet kur udhëheqësit dëshirojnë që të heqin qafe një sipërmarrës apo një burokrat që është shndërruar në një barrë për ta. Në çfarë kuptimi është ende komuniste,kjo parti “pragmatike”, një term që i pëlqente Deng?

Retorikat marksiste dhe ajo maoiste mbetet e njëjta:ajo është si një meshë ku të gjithë  recitojnë shkrimet e shenjta por askush nuk u beson atyre. Si një ideologji e detyrueshme kombëtare, ajo e justifikon eleminimin e heretikëve, intelektualëve, demokratëve, Budistëve Tibetianë që ndjekin Dalai Lamën, katolikëve besnikë të Papës dhe ndjekësit e “sekteve” fetare.

Udhëheqësit përsërisin pafund, si për kinezët ashtu edhe për të huajt, se Kina është Partia Komuniste, dhe anasjelltas. Po çfarë dimë ne për anëtarësinë e PKK? Shumë pak, duke pasur parasysh mungesën e zgjedhjeve dhe të sondazheve të besueshme.

Pikëpamja standarde në Perëndim, është se popullariteti i Partisë Komuniste Kineze varet nga përparimi ekonomik për të cilin ajo është përgjegjëse. Kjo është shumë e vërtetë. Por hipoteza ime, bazuar në kërkimet e mia, është se kinezët janë po aq mirënjohës ndaj partisë për garantimin e paqes civile; ata e vlerësojnë këtë qetësi të re.

Po çfarë mund ta zëvendësojë në të ardhmen Partinë Komuniste? Gati të gjithë kinezët mbeten pa fjalë para kësaj pyetjeje, pasi nuk ka asnjë alternativë politike në dispozicion, përveç disa qarqeve intelektuale dhe fetare, që shpesh veprojnë nga mërgimi.

Por shumica e kinezëve – dhe kjo është sërish një hipotezë personale – nuk e pëlqejnë Partinë Komuniste, ata i përqeshin udhëheqësit e saj, dhe ankohen kundër korrupsionit që sundon nomenklaturën nga lart-poshtë. Në këto kushte, a mund të rezistojë komunizmi kinez?

Nga të gjithë skenarët e mundshëm, statuskuoja më ngjan se ka më shumë shanse. Faktori kryesor i destabilitetit është presidenti aktual: Xi e ka shkelur rregullin e imponuar nga Deng, për t’u larguar pas 10 vitesh qeverisje. Xi nuk po largohet, përkundrazi po ngre një kult të personalitetit, dhe po shpik nga e para një nacionalizëm luftarak, që është i ri për civilizimin kinez.

Kjo lloj narrative mund të shkaktojë beteja fraksionale brenda partisë, apo edhe në konflikte ndërkombëtare. Në këtë rast Xi, në vend se të përmbushë ambicien e tij për krijimin e një Partie të tretë Komuniste, mund të jetë duke i rënë këmbanës që paralajmëron vdekjen e komunizmit kinez. Siç e kemi parë në Bashkimin Sovjetik dhe Kubë, komunizmi vdes gjithmonë nga brenda.

Shënim: Guy Sorman, intelektual i njohur francez, autor i shumë librave, përfshirë librin e fundit “Perandoria e Gënjeshtrave: E vërteta mbi Kinën e shekullit XXI”.  Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…