A ekziston ende globalizimi?
Nga Andrea Muratore, “Il Giornale”
Njëzet vjet më parë, vera e vitit 2001 ishte e nxehtë edhe për shkak se protestat kundër samitit të G8 në Xhenova, të cilat sinjalizuan ekzistencën e një ndjenje të fortë të tensionit dhe pasigurisë, lidhur me dinamikën e një globalizimi që në atë kohë përshkruhej zakonisht si triumfues dhe i destinuar që t’i jepte gjithë planetin një formë pro-perëndimore.
Po atë vit, vazhdoi kriza financiare e lidhur me shpërthimin e flluskës dixhitale. Ajo ishte shenja e parë e stuhisë së madhe që do të shpërthente në vitet 2007-2008. Pastaj ngjarjet e 11 shtatorit, me sulmin mbi Kullat Binjake dhe Pentagon, që i dhanë një goditje të fortë Shteteve të Bashkuara, dhe nxorën në pah ekzistencën e ndarjeve të thella kulturore dhe politike në botë.
Dy dekada më vonë, Covid-19 na dha mundësi të analizojmë në mënyrë objektive 20 vitet e vrullshme të globalizimit. Viti 2001, ishte pika fillestare e një faze të krizës sistematike në proceset e globalizimit, që u kuptua si hapja graduale e tregjeve drejt rregullave të reja, si asimilimi kulturor përkundrejt modelit perëndimor, dhe si konfirmim i hegjemonisë planetare të Shteteve të Bashkuara dhe sistemit të saj të aleancave.
Por me kalimin e viteve, globalizimi është identifikuar si armiku nr.1 nga protestuesit kundër krizës financiare, nga lëvizjet sovraniste dhe populiste, deri tek sindikatat dhe organizatat e punëtorëve që kritikojnë de-industrializimin e kampit perëndimor.
Por ata kritikojnë edhe mbrojtjen që i bëhet këtij sistemi nga qeveritë dhe institucionet, si i aftë për të krijuar pasuri përmes lidhjeve dhe tregtisë, dhe i nxitur nga ngritja e Kinës në statusin e një fuqie të madhe industriale.
Por a është e mundur, që pas 2 dekadash, një recesioni ekonomik botëror, rritjes së terrorizmit, një serie krizash të përgjithësuara dhe më në fund pandemisë së Covid-19, që të flitet ende për globalizimin?
Sigurisht, faza historike që po përjetojmë aktualisht, u ka treguar të gjithëve se sa iluzore ishin mitet e viteve 1990 për një proces të mirë të destinuar të prodhonte rritje ekonomike dhe mirëqenie sociale të përhapur në një formë të pa diferencuar.
Por koha ka treguar gjithashtu se globalizimi, një proces fluid dhe dukshëm i pa formë, ka mundur dhe në disa raste ka ditur të gjejë pikat e tij të referencës. I shoqëruar me ideologjinë neo-liberale dhe mitin e fundit të rolit të shtetit, ai ka qenë në gjendje t`i mbijetojë kthimit të kapitalizmit politik në sektorët kufitarë.
I idealizuar për shkak të kapërcimit të kufijve dhe barrierave, globalizimi pati një lloj përshpejtimi në aspektin e ekonomisë jo materiale dhe dixhitale, pikërisht në periudhën kur për të luftuar përhapjen e koronavirusit vendet ngritën sërish kufijtë, shpallën bllokimet, ndaluan flukset e njerëzve dhe mallrave, duke ua mohuar me sa duket atyre një nga parakushtet e këtij sistemi.
Sot globalizimi është shumë i ndryshëm nga 20 vjet më parë. Sigurisht, ai që është një proces shumë më pak i udhëhequr nga Perëndimi, dhe shumë më i udhëhequr nga Lindja, në vazhdën e dinamikës së ndryshme të rritjes ekonomike dhe demografike.
Ai po sheh një lëvizje të tregut të lirë, lëvizjet sovrane, veprime të fuqive të mëdha që janë të afta të balancojnë interesin kombëtar dhe çështjet ekonomike. Për një vit e gjysmë, Covid-19 ka imponuar një reflektim mbi të ardhmen e këtyre proceseve, dhe mbi dinamikën që do të vijë më vonë.
Krahasuar me globalizimin siç ishte konceptuar në vitet 1990 nga teoricienët dhe analistët, bota ka marrë sot një kthesë krejt të kundërt. Perceptimi se gjithçka do të rregullohej vetëm nga ekonomia, siç propozon teoria neo-liberale, fshehu në fakt synimin e saktë politik të Shteteve të Bashkuara për të tregtuar me përparimin dhe pasurimin e aleatëve, krijimin e një rendi unipolar me në krye Uashingtonin.
Situata të cilat në vitin 2001 studiuesi Geminello Alvi i përshkroi në një artikull në gazetën italiane “Corriere della Sera” duke shkruar:“Çdo gjykim mbi të tashmen bëhet për të gjykuar nëse ka progres apo regres.
Çdo gjë tjetër konsiderohet marrëzi, jo moderne. Por edhe supozuar se vetëm ekonomia ka rëndësi, është mbresëlënës nxitimi hipokrit me të cilin kanë kaluar mitet e dyshimta të globalizimit”.
Siç e theksoi Alvi “e vetmja qëndrueshmëri e vërtetë që është shfaqur në fund në shekuj është supremacia e elitave anglofone, dhe mënyra e tyre për të formuar ekonominë ndërkombëtare sipas leverdisë së tyre”. Fjalë që në atë kohë, kishin një vlerë të qartë politike dhe që ishin shumë aktuale.
Por të cilat u plotësuan më pas nga rritja e Kinës dhe Azisë. Që ishte faktori i dytë i problemit të këtij sistemi. Nuk është një rastësi që anëtarësimi i Pekinit në Organizatën Botërore të Tregtisë u zyrtarizua pikërisht në vitin 2001, pasi ai u pa si një nga gurët e themelit të konsensusit të ri ekonomik global.
Me garën e saj për t’u bërë një fuqi e madhe ekonomike dhe teknologjike, me rezultatet e arritura kundër varfërisë dhe pabarazisë, mos-prekjen nga Recesionin e Madh që nisi në vitet 2007-2008 dhe Rrugën e Re të Mëndafshit, Kina e ka hedhur poshtë idenë se vetëm midis SHBA-së dhe Evropës mund të gjenden rrugët e një globalizimi që synon krijimin e
një lloj Perëndimi global.
Ndryshimi më thelbësor, i konfirmuar nga “rikthimi” i dinamikës së lidhur me politikën industriale dhe mbrojtjen e sektorëve strategjikë pas Covid-19, është padyshim përparësia e politikës si një faktor përcaktues edhe në kontekstin perëndimor.
Kjo është tashmë e dukshme në sektorë të ndryshëm të prodhimit, madje edhe në mesin e valës së de-industrializimit të kombeve perëndimore. Rritja e rivalitetit global në sektorin e teknologjisë, në inovacion dhe në garën për investime strategjike u ka dhënë shtysë këtyre faktorëve, veçanërisht përpara forcimit të konkurrencës midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Pra a ekziston ende globalizimi, 20 vjet pas samitit të Xhenovës, 11 Shtatorit, ngritjes së Kinës dhe krizave të para? Sigurisht që po, por në një formë kaq shumë të ndryshuar saqë mund të jetë i nevojshëm një përkufizim i ri.