Dhurata e munguar për presidentin Miteran

Leximi i librit “Mëngjeset në Kafe në Rostand” të Ismail Kadaresë dhe historia e “armëve-dhuratë” tek hynte në Akademinë Franceze, më kujtuan menjëherë dhuratat diplomatike të shqiptarëve në vitet e para të demokracisë.


Nga Luan Rama, diplomat – shkrimtar

Leximi i librit “Mëngjeset në Kafe në Rostand” të Ismail Kadaresë dhe historia e “armëve-dhuratë” tek hynte në Akademinë Franceze, më kujtuan menjëherë dhuratat diplomatike të shqiptarëve në vitet e para të demokracisë. Me artin e tij të rrallë, Kadareja i jep këtij detaji një emocion ë veçantë, si të shkruante një roman policesk, çka të bën të qeshësh si në tregimet humoristike të Azis Nesinit.

Tek hynte në portalin e kontrollit të Akademisë Franceze shkrimtari që vinte nga Shqipëria kishte prekur tytën e ftohtë të armës që mbante në çantë.

”Ndërsa e nxirrja, – shkruan ai në këtë libër, – më vinin ndërmend çuditërisht qartë fjalët e shitësit të tregtizës së Antikuarëve në Tiranë, tek po më mbushte mendjen për ta blerë. S’kishte vend në botë ku nuk çmoheshin dhurata si kjo.

Atje në Paris, sado mirë të shkonin punët, do të vinte dita që të kisha nevojë për një të tillë. Veç duhej ta dija që s’gjendej dhuratë në botë që ti shkonte dinjitetit të njeriut, sa ç’ishte arma… Në anën tjetër të tryezës dukej që njeriu nuk po iu besonte syve.

“O, jo, thirri me zë të lartë… Jo gjer këtu, zoti K. Ju lutem, ju betohem.” Ai vazhdonte të thoshte se kjo ishte një gjë e paparë, e papërfytyrueshme, nga ato që s’ndodhin kurrë në këtë Akademi…”

Sidoqoftë, dhurimi i armëve dhe shpatatve për një farë kohe u bë e modës për diplomacinë shqiptare, sikur ne të mos kishim gjëra të tjera për të dhuruar. Para kohës së demokracisë, nga ambasadat dhuroheshin punime artistike të Ndërmarrjes Migjeni të Tiranës si punime porcelani, gdhëndje druri e pirografike, punime kashte, qilima e sixhade në miniaturë, portrete të Skënderbeut e të Enver Hoxhës apo Skënderbeu mbi kalë, siç ishte dhurata prej floriri për mjekun personal të Hoxhës, Paul Milliez, fotografia e së cilës jo rrallë shfaqej në faqet e revistave pas vdekjes së Enver Hoxhës. Edhe pse sistemet politike ndryshuan, dhurata të tilla do të vazhdonin.

Një skenë të paharrueshme e kam jetuar në fillim të vitit 1993 kur presidenti i sapozgjedhur Sali Berisha, nisi turin e vizitave në Perëndim. Meqë mora vesh se do të shkonte në Itali për një vizitë zyrtare, tek merrja pjesë në një mbledhje të Këshillit të Europës, duke pasur pranë ambasadorin francez Steiner, ish sekretar shteti i presidentit Miteran, pata rast ti flas për vizitën e Berishës në Romë dhe se do ishte mirë të vinte dhe në Paris të takonte presidentin Miteran. Ai më dëgjoi me vemendje dhe pas pak u ngrit duke më thënë.

«Po shkoj të lidhem me presidencën. Do tu njoftoj menjëherë nëse është e realizueshme. Dhe ashtu duke pritur pashë më vonë ambasadorin tek kthehej me një fytyrë të qeshur. “Bisedova drejtpërdrejt me presidentin. Edhe pse ka një agjendë të ngjeshur, vizita do të realizohet nesër në orën 12.00.” U mendova një cast dhe i thashë se nesër Berisha do të ishte në Itali. Si mund… Por ai menjëherë më ndërpreu: “Nuk ka problem për udhëtimin. Një avion ushtarak do të shkojë ta marrë në Romë dhe pas vizitës do ta kthejë përsëri atje». Kështu takimi u fiksua dhe njoftova menjëherë ministrinë e Jashtme dhe Presidencën tonë.

Të nesërmen që në mëngjes një avion ushtarak u nis drejt Romës. Nga ora 11.00 avioni zbriti në aeroportin e Villacoublay ku prisja bashkë me protokollin francez. Sapo zbriti nga avioni, Berisha iu kthye bodigardit të tij besnik, Izet Haxhia, dhe e pyeti për «armët». Në fillim u habita për ç’armë bëhej fjalë, pasi ne shkonim për tek Miterani. Bodigardi ngriti supet dhe u kthye nga roja tjetër.

Një çast Berisha priti me sytë e çakëryer dhe ndjeva menjëherë se do të shpërthente. Dhe vërtet ai u kërkonte armët duke sharë. Më së fundi bodigardi i tha se duhej ti kishin harruar në hotelin që kishin zënë në Romë. Francezët shikonin të habitur se ç’po ndodhte me shqiptarët dhe përse presidenti bërtiste. Pasi shau dhe njëherë, me një fytyrë të nxirë ai nxitoi drejt makinës së protokollit që priste. Pas makinës u nisëm dhe ne me makinë. Presdienti i ri shqiptar shkonte pa «armë» tek presidenti francez.

Tek afroheshim rrugës së presidencës franceze në krah të shëtitores së madhe Champs Elysées, imagjinova një çast skenën kur ashtu i qeshur, ulur përballë presidentit francez, Berisha do ti bënte shenjë këshilltarit të tij diplomatik ti jepte dhuratën. De ashtu ngadalë, gjithë ceremoni, do të zbulonte më së fundi tytën e armës së asaj kobureje që shfaqej në mënyrë madhështore. Imagjinova stepjen e Miteranit si të atij punonjësi të Akademisë dhe qesha me vete duke imagjinuar fytyrën e presidentit francez: «Oh, jo kështu!…»

Atë kohë armët që dhuroheshin ishin disa shpata të mëdha në dimensione reale dhe me dorëza shumë të bukura e të gdhendura e po kështu dhe koburet. Ne shqiptarët ua jepnim kryeministrave, ministrave, deputetëve apo senatorëve, duke treguar kështu shpirtin luftarak të popullit tonë nëpër histori. Sigurisht ata ishin të sjellshëm dhe nuk e fshihnin buzëqeshjen e tyre për këto dhurata të çuditëshme, e megjithatë, tek i kundronin ashtu të punuara me art, ato më së fundi u pëlqenin. Por për diplomatët ishte rasti të tregonin historinë luftarake të popullit, betejat heroike, pushtimet e pandërprera, luftën për liri etj. Me kohë “armët-dhurata» do të harroheshin në kancelaritë europiane, ndërkohë që armë të vërteta të të gjitha llojeve do të shfaqeshin në skenën e historisë shqiptare, çka u tregua në vitet 1997-1998. Kjo ishte sfida më e madhe ndaj «armëve-dhurata»…

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…