Erald Kapri: Diplomati Eugene Pittard, një prej proshqiptarëve më të mëdhenj!
Në vitin 1922, Eugene Pittard themeloi Kryqin e Kuq Shqiptar dhe në 1924 ndërmerr një fushatë bamirësie në Lidhjen e Kombeve për të ndihmuar financiarisht dhe materialisht veriun e Shqipërisë të goditur nga uria
Nga Erald Kapri, studiues
Të nderojmë një prej proshqiptarëve më të mëdhenj që njohu historia.
Eugene Pittard ishte antropolog, historian, arkeolog, diplomat, humanitar nga më të njohurit e Shekullit XX. Fati e deshi të ishte edhe proshqiptar i madh me një kontribut të pakrahasueshëm për kombin shqiptar, por që sot dergjet sirtareve të arkivave i panjohur nga shqiptarët për të cilët dha shumë.
Vizitoi për herë të parë Shqipërinë më 1910 dhe ndërmori gërmime në zonën e Prespës, në shpellën e fshatit Tren, duke dokumentuar për botën mbarë se trojet shqiptare kanë qënë të banuara në paraneolit dhe neolit.
Me përfundimin e Luftës së Parë, Pittard nis ethshëm një fushatë pro pavarësisë së shtetit shqiptar. Bashkëkohësit i japin meritë thelbësore për anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, për më tepër që ishte zëdhënësi i Lidhjes. Qeveria shqiptare e emëron konsull nderi të Shqipërisë më 1921 në Gjenevë. Ai vizion Shqipërinë po këtë vit me gruan shkrimtare duke dokumentuar me qindra foto të rralla dhe shënime udhëtimesh, ende në sirtare.
Në vitin 1922, ai themeloi Kryqin e Kuq Shqiptar dhe në 1924 ndërmerr një fushatë bamirësie në Lidhjen e Kombeve për të ndihmuar financiarisht dhe materialisht veriun e Shqipërisë të goditur nga uria. Dhjetëra shtete, organizata, individë i përgjigjen profesorit të njohur dhe për shqiptarët mbërrijnë ndihmat e kërkuara.
Ja ç’shkruan për shqiptarët në parathënien e librit të Mid’hat Frashërit, “Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë, 1919: “ Shqiptarët janë pasardhësit autentikë të ilirëve të lashtë”.
Presidenti i Republikës, Ahmet Zogu i dha titullin më të lartë në vitin 1927: “I kemi akordue Zotni Profesor Eugene Pittard, dekoratën Komandeur me hyll (Grand officier) i Urdhënit të Skënderbeut”.
Në qytetin e tij, në Gjenevë, ky eurodit la gjumë të pashlyeshme për Zvicrën dhe shkencat humane. Vepra e tij nderohet nga pasardhësit e Fakultetit që themeloi por jo vetëm.
Nuk na falet ne shqiptarëve që një prej antropologëve më të mëdhenj, që ngjizi botërisht lidhjen e shqiptarëve me ilirët, që s’la personalitet pa lobuar për kombin tonë, të mos nderohet siç i detyrohemi.
Kushdo që lexon këto radhë, t’i shtjerë në mend autoriteve shtetërore, lokale e akademike, që një rruge, shkolle, katedre apo hapësire shqiptare të mbajë emrin e Eugene Pittard.
P.S Foto nga vizita e Eugene Pitard me bashkëshorten e tij, Helene Dufour (shkrimtarja Noelle Roger) ku i ranë kryq e tërthor Shqipërisë