Një mësim nga Shqipëria, në ndihmë të menjëhershme ndaj popullit afgan
Lumturohem që këtë herë Atdheu im i lindjes i tregoi Perëndimit çfarë do të thotë të përfshihesh përtej komploteve dhe interesave politiko-ekonomike.
Nga Anita Likmeta, Huffning Post Italia
Ajo çfarë po ndodh në Kabul këto ditë është me plot gojën një gjenocid e që po ndodh para syve tanë. Burra, gra, të moshuar, të rinj e fëmijë të detyruar të arratisen, pa një qëllim për t’u larguar nga persekutimi i talebanëve që pushtuan Kabulin. Nuk është rastësi që kjo gjë po ndodh pikërisht tani; për ata që nuk janë të rinj në historinë bashkëkohore e dinë mirë se zgjedhja e Biden për të tërhequr trupat nga Afganistani mund të jetë një strategji e pastër në lidhje me atë që do të ndodhë në muajt e ardhshëm, me shfaqjen e fronteve të reja në skakierën gjeopolitike botërore. Por teksa e gjithë bota mbetet e tronditur nga pamjet e fotot që vijnë nga atje, tjetër lajm është zgjedhja e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, për të dërguar avionë në Afganistan për të shpëtuar popullatën civile e për të ofruar kështu një strehim të përkohshëm për ata që i largohen persekutimit.
Kryeministri shqiptar sqaroi zgjedhjen e tij në një postim të gjatë në Facebook duke shpjeguar arsyet që e shtyn të vepronte menjëherë. Ai kujton se në Shqipëri gjetën strehë hebrenjtë, dhe asnjë prej atyre dy mijë personave që u larguan nga regjimi i Hitlerit nuk iu dorëzuan nazistëve. Kështu, përveçse një mësim për Perëndimin, Edi Rama lider i një demokracie të re të një vendi me popullsi më të madhe myslimane, mori dhe një pozicion të qartë që tingëllon si një paralajmërim ndaj “sentiment-it” (shën. Përkthyesit: ndjesisë) të pështjelluar dhe kontradiktore të përhapur në demokracitë perëndimore me atë që po ndodh në Afganistan: e sigurt është se talebanët janë nazistët e mijëvjeçarit të ri.
Lumturohem që këtë herë Atdheu im i lindjes i tregoi Perëndimit çfarë do të thotë të përfshihesh përtej komploteve dhe interesave politiko-ekonomike. Uroj që në orët e ardhshme dhe Atdheu im birësues të tregojë se është në lartësinë e Kushtetutës së saj demokratike duke u bërë pjesë aktive në ndihmë të civilëve afganë. Më falni që e them troç, por ndryshimi mes dy kulturave të vdekjessiç janë nazistët dhe talebanët qëndron në faktin se për nazistët ishte çështje e pohimit të superioritetit të një race nga një tjetër, ndërsa për talebanët është çështje e pohimit të superioritetit të gjinisë: objektivi i vërtetë i talebanëve është një patriarkalizëm i çmendur dhe pervers, që ka si qëllim asgjësimin fizik dhe moral të gruas.
Zhvlerësimi dhe ribashkimi i grave është një fakt stërgjyshor i shumë kulturave në botë. Këto zakone të rrënjosura nuk mund të vihen në diskutim, natyrisht, dhe në Afganistan. Ata që sot largohen nga ajo tokë, ata që kapen pas avionëve, janë burra e gra që kanë përqafuar idealet perëndimore të barazisë dhe që refuzojnë ti nënshtrohen sërish një kulture kriminale që pranon të martojë vajzat 8 vjeçe dhe më pas i varros të nesërmen e natës së parë të martesës.
Më vjen ndërmend një film shqiptar që më ka prekur shumë (14 vjeç dhëndër): një familje e pasur, të paktën krahasuar me varfërinë kolektive, vendos të martojë djalin e vetëm në moshën 14 vjeç me një vajzë 20-vjeçare, të fuqishme por nga një familje e varfër, për të bërë punët e shtëpisë. Vajza kundërshton sa të mundet, madje dhe duke ikur e duke u ngjitur në çatinë e shtëpisë, duke kërcënuar me vetëvrasje. E ëma i përgjërohet të martohet për t’i dhënë mundësinë motrave të saj të rriten disi më mirë. E mundur nga ndjesia e fajit, e reja Marigo pranon. Një skenë e filmit që rrëfen kushtet e grave në Shqipërinë rurale të atyre viteve: Marigo, si shumë gra të tjera, gjatë kthimit në fshat nga fushat, mban mbi supe ngarkesën me dru, si një mushkë me samar. Dy burra, që pinin kafenë, vëzhgojnë me kënaqësi kthimin e grave nga fushat. “Jemi burrat më me fat! Në botë nuk ka gra si tonat”, thotë një prej tyre. Por tjetri i përgjigjet: “Jo miku im, nuk janë ato më të mira, jemi ne më të mirë: të na shërbejnë është më e pakta që mund të bëjnë”.
Kush e ka njohur këtë botë, dhe është liruar prej saj me shumë mund, sot po dërgon avionët e shpëtimit në Kabul.