Afganët në Shqipëri, Sekretari Antony Blinken falënderon Kryeministrin Edi Rama
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bisedë telefonike me sekretarin amerikan të shtetit Antony Blinken pas vendimit të Shqipërisë për të pranuar një grup afganësh, që u rrezikohet jeta nga talebanët që morën pushtetin në Afganistan.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka falenderuar Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për mikëpritjen e afganëve.
Me anë të një postimi në “twitter”, zyrtari i lartë amerikan nënvizon se i janë shumë mirënjohës për partneritetin e fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatit të NATO-s, në këtë rast Shqipërisë.
Postimi i Antony Blinken:
Faleminderit Edi Rama për ofertën e Shqipërisë për të siguruar strehë të sigurt për afganët në nevojë. Shumë mirënjohës për partneritetin e fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatit tonë në NATO.
Thank you to @ediramaal for Albania’s offer to provide safe haven for Afghans in need. Very grateful for the strong partnership between the United States and our NATO Ally.
— Secretary Antony Blinken (@SecBlinken) August 19, 2021
Edhe Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price njoftoi se Sekretari Blinken dhe kryeministri Rama u konsultuan në lidhje me ofertën e NATO -s bërë Shqipërisë për të pranuar përkohësisht afganët në nevojë.
“Sekretari Blinken falënderoi kryeministrin Rama për vazhdimin e traditës krenare të Shqipërisë për strehimin e njerëzve në nevojë. Sekretari dhe kryeministri riafirmuan partneritetin e ngushtë midis dy vendeve tona” , thuhet në njoftimin nga zëdhënësi i DASH-it, të publikuar nga Ambasada e SHBA në Tiranë.
Shqipëria ka bërë gati kapacitetet në Tiranë, Durrës, Berat dhe në Lezhë për të pritur grupin e afganëve.
Afganët që do të vijnë për strehim në Shqipëri do të qëndrojnë për një periudhë tranzitore, pasi destinacioni final i tyre do të jetë SHBA.