SHBA dhe Shqipëria, marrëveshje për pasuritë kulturore
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë nënshkruan sot një “Marrëveshje Dypalëshe për Pasuritë Kulturore” që synon të pengojë tregtimin e paligjshëm të objekteve kulturore mes dy vendeve.
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë nënshkruan sot një “Marrëveshje Dypalëshe për Pasuritë Kulturore” që synon të pengojë tregtimin e paligjshëm të objekteve kulturore mes dy vendeve.
Marrëveshja, e cila u nënshkrua para pak minutash në ambasadën e Shqipërisë në Uashington, është zyrtarizimi i angazhimit që marrin të dyja vendet për të mos lejuar shitjen e paligjshme apo import-eksportin e objekteve me vlera kulturore e etnografike nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara.
Marrëveshja u nënshkrua nga Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit në detyrë për Çështje Kulturore, Matthew Lussenhop si dhe për palën shqiptare, nga Ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit thotë se marrëveshja pasqyron marrëdhënien e qëndrueshme të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë për të frenuar trafikimin e pronave kulturore dhe për të ruajtur trashëgiminë.
“Marrëveshja i jep autoriteteve amerikane të zbatimit të ligjit aftësinë për të riatdhesuar objektet kulturore të trafikuara në Shqipëri dhe do të nxisë shkëmbimin e trashëgimisë kulturore shqiptare me institucionet amerikane”, thuhet në deklaratë.
Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje merr një vlerë më të madhe, në vitin e 30 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve dhe nënvizon rëndësinë e ruajtjes së pasurisë kulturore.
Shqipëria i shtohet një liste në rritje vendesh që kanë nënshkruar marrëveshje dypalëshe me Shtetet e Bashkuara, në përputhje me Konventën e UNESCO-s për Mbrojtjen e Pasurisë Kulturore.