Armët serbe në duart e grupeve të armatosura në Afrikë

Ekspertët e armëve të organizatës ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Amnesty International, kanë identifikuar armë të prodhimit serb në videot e publikuara nga grupet e armatosura që veprojnë në Sahel, përfshirë edhe degën e grupit militant, Shtetit Islamik (IS)


Ekspertët e armëve të organizatës ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Amnesty International, kanë identifikuar armë të prodhimit serb në videot e publikuara nga grupet e armatosura që veprojnë në Sahel, përfshirë edhe degën e grupit militant, Shtetit Islamik (IS), i cili ka marrë përgjegjësinë për qindra raste të vdekjeve të civilëve.

Pushkët e reja, disa prej modeleve më të reja që janë në dispozicion, përkojnë me regjistrimet tregtare mbi shitjen që ka bërë Serbia në Burkina Faso, që tregon se armët i janë shitur jo moti qeverisë, para se ato të binin në duart e grupeve të armatosura, pohon Amnesty International.

Konflikti ndërmjet IS-it dhe Al-Kaidës është përhapur në Sahel

Udhëheqja e organizatës ekstremiste Shteti Islamik në maj të vitit të kaluar, pranoi se ka luftime me Al-Kaidën rivale, në pjesën perëndimore të rajonit afrikan Sahel, në jug të Saharës. Luftimet po zhvillohen kryesisht në Mali dhe Burkina Faso. Sipas BBC-së, deri vonë, këto grupe radikale kanë bashkëpunuar.

Në raportin e detajuar, vitin e kaluar, të cilin e transmetoi BBC, IS-is pohon se sulmet u iniciuan nga grupi Jamaat Nusrat al-Islam val Muslimin (JNIM), grup ky i lidhur me Al Kaidën.

Siç ka thënë BBC-ja, në dhjetor të vitit të kaluar, koordinatori i Departamentit amerikan të Shtetit për luftën kundër terrorizmit, ambasadori Nathan Sales, ka theksuar që IS-i dhe Al-Kaida kishin zhvendosur një pjesë të madhe të operacioneve të tyre nga qendra e tyre në Siri dhe Irak, në degët e tyre në Afrika Perëndimore dhe Lindore, si dhe në Afganistan.

Shërbimi i medias britanike, BBC, raportoi se ky nuk është vetëm rasti kur bëhet fjalë për luftën e qeverisë kundër rebelëve, por gjithashtu ekziston një rivalitet vdekjeprurës midis mbështetësve të Al-Kaidës dhe IS-it. Ky rivalitet po bëhet aq intensiv sa që eksperti francez i xhihadit, Olivier Guitta nga Global Strat Risk Consultancy, madje parashikon:

“Afrika, në 20 vjetët e ardhshme, do të jetë fushëbetejë e xhihadit dhe do të zëvendësojë Lindjen e Afërt”.

Një pjesë e rajonit Sahel, në Afrikën Perëndimore, që gjendet në zonën ndërkufitare ndërmjet Malit, Nigerit dhe Burikna Fasos, për shkak të përhapjes së militantëve islamikë, pjesërisht është jashtë kontrollit të autoriteteve.

Siç përkujton BBC, grupi militant Shteti Islamik edhe në të kaluarën, në vendet tjera, arrinte deri te konflikti me grupet që mbështesin Al-Kaidën në Jemen, Somali ose Siri, duke luftuar kundër tyre për ndikim, anëtarë dhe burime.

Siç thuhet në raportin e Amnesty International, të 24 gushtit, në rajonin Sahel të Afrikës Veriore veprojnë xhihadistët e armatosur mirë dhe milicitë etnike. Shumica e viktimave në këtë rajon janë nga Mali, Burkina Faso dhe Nigeri.

Analiza e të dhënave të Amnesty International, gjithashtu tregon se Republika Çeke, Franca dhe Sllovakia kanë eksportuar sasi të mëdha të armëve të vogla dhe të lehta për qeveritë e rajonit Sahel që nga shpërthimi i konfliktit.

Deri në vitin 2020, kur Serbia për herë të fundit ka lajmëruar transportimin e armëve në Burkina Faso, dhuna ndërmjet grupeve të armatosura ishte në vazhdim e sipër, ka thënë Patrick Wilcken, shef i afarizmit, sigurisë dhe të drejtave të njeriut në Amnesty International.

Bien shitjet e armëve në botë

Kjo organizatë rikujton që shteti afrikano-perëndimor i Malit është përballur me kryengritje që nga viti 2011, që udhëhiqet nga grupe të ndryshme të armatosura, përfshirë Shtetin Islamik të Saharës së Madhe (ISGS) dhe Jamaat Nusrat al Islam val Muslimin (JNIM) që është i lidhur me Al-Kaidën, ndërkaq që konflikti u përhap edhe në Burkina Faso dhe Niger.

Grupet e armatosura kryen disa sulme ndaj civilëve dhe kriza humanitare shpejt përfshiu rajonin.

Në qershor, presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi reduktimin e pranisë ushtarake të Francës në rajonin Sahel (Mali, Çad, Niger, Burkina Faso dhe Mauritani), duke thënë se nuk i plotësonte më nevojat e zonës dhe se bazat ushtarake franceze do të mbylleshin Mali, ish-koloni kjo franceze.

Siç ka rikujtuar Financial Times, Franca filloi një fushatë kundër ekstremistëve xhihadistë në Sahel, në vitin 2013, nën udhëheqjen e presidentit të atëhershëm Francois Hollande, pasi u konsiderua se kërcënimi është serioz për sigurinë e kontinentit evropian dhe të rajonit të Afrikës Perëndimore.

Ky aksion nuk e arriti suksesin që pritej fillimisht. Grupet ekstremiste islamike që vepronin në Sahel nuk u tërhoqën, ndërkaq që mbështetja franceze për pjesëmarrjen ushtarake në atë pjesë të Afrikës ra në më pak se 50 për qind, në maj të vitit 2021.

Serbia, Republika Çeke, Franca dhe Sllovakia kanë ratifikuar Traktatin e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë e Armëve (ATT), i cili e ndalon transferimin e armëve nëse ekziston rreziku që ato të përdoren për të shkelur ose për lehtësuar shkeljet e të drejtave të njeriut, kujton Amnesty International.

“Konflikti në Sahel është përcjellë me shkelje serioze të të drejtave të njeriut, gjë të cilën e kanë bërë të gjitha palët, përfshirë masakrat ndaj civilëve nga ana e grupeve të armatosura të papërgjegjshme. Më shumë se një milion njerëz janë zhvendosur në rajon, ndërkaq që kriza humanitare shpejt është duke u bërë një nga më të këqijat në botë”, ka thënë Patrick Wilcken për Amnesty International.

Armët serbë në rajonin me krizën humanitare më të keqe në botë

“Në këtë kontekst gjithnjë e më të tmerrshëm, shtetet duhet të veprojnë me kujdes të skajshëm kur marrin parasysh transferimin e armëve në Sahel. Jo vetëm që ekziston një rrezik i lartë i papranueshëm për t’u devijuar nga grupet e armatosura, ushtritë kombëtare dhe forcat policore në rajon, të cilat shoqërohen me të dhëna të frikshme mbi shkeljet e të drejtave të njeriut”, tha Wilcken, duke iu bërë apel këtyre shteteve.

“Në prag të konferencës vjetore të Traktatit të Kombeve të Bashkuara për Tregtinë e Armëve (ATT) që mbahet javën e ardhshme, ne i nxisim të gjitha shtetet të përmbushin detyrimet e tyre dhe të përmbahen nga çdo transferim armësh që mund të inkurajojë shkeljet e të drejtave të njeriut”, theksoi Wilcken.

Delegatët nga 110 vende do të takohen më 30 gusht në Gjenevë, në konferencën e shtatë të shteteve nënshkruese të ATT-së, gjegjësisht, marrëveshjes së OKB-së për tregtinë me armë.

ATT-ja e ndalon eksportin e armëve aty ku ekziston rreziku më i madh që ato të përdoren për të kryer ose lehtësuar gjenocidin, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Për pesë vjet, më shumë se 6.000 vdekje të civilëve në Burkina Faso, Mali dhe Niger
Situata në rajonin qendror të Sahelit po bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme dhe grupet e armatosura janë shtuar në kontekstin e një konflikti shumëpalësh dhe brutal, sipas Amnesty International.

Sipas informacioneve nga baza e të dhënave për vendet e konflikteve të armatosura, ndërmjet viteve 2017 dhe 2021, më shumë se 6.000 vdekje të civilëve u raportuan në Burkina Faso, Mali dhe Niger. Ndërkaq, sipas të dhënave të UNHCR-së, më shumë se 1.200.000 banorë të Burkina Fasos janë zhvendosur që nga viti 2016.

Sipas të dhënave të Amnesty International, në qershor të vitit 2021, persona të armatosur të paidentifikuar kanë vrarë 130 civiël në fshatin Solhan në Brukina Faso, që në konfliktin e deritashëm është sulmi më i rëndë ndaj civilëve. Grupi Shteti Islamik i Saharës së Madhe (ISGS) ka marrë përgjegjësinë për disa sulme ndaj civilëve në vitin 2021, përfshirë edhe një të tillë më 21 mars, në të cilin u vranë 137 njerëz, në disa lokacione në Niger.

Të ashtuquajturat grupet e vetëmbrojtjes, të krijuara për të kundërshtuar JNIM-in dhe ISGS-në, kryen gjithashtu masakra ndaj civilëve, të cilat çuan në një cikël të përgjakshëm hakmarrjeje, përkujton Amnesty International. Në mars të vitit 2020, një grup i tillë për vetëmbrojtje, Koglweogo, filloi një seri sulmesh të tmerrshme mbi fshatrat në Burkina Faso, në të cilat u vranë të paktën 43 njerëz. Një muaj më herët, Dan Na Ambassagou, një milici etnike e armatosur, ka vrarë 32 fshatarë në Ogossaguu, në Mali, thuhet në raport.

Armët serbe nga Zastava, gjithashtu në duart e luftëtarëve ekstremistë në Mali dhe Burkina Faso

Amnesty International ka mbledhur dhe analizuar më shumë se 400 kopje të përmbajtjes digjitale nga Burkina Faso dhe Mali, përfshirë fotografi dhe video të verifikuara, të postuara nga anëtarët e grupeve të armatosura në mediat sociale, ndërmjet janarit të viti 2018 dhe majit të vitit 2021.

Pamjet e regjistruara tregojnë magazina armësh si dhe armë në duart e luftëtarëve nga grupe të ndryshme të armatosura, përfshirë ISGS, JNIM, Dozos, Vullnetarët e Mbrojtjes së Atdheut (VDP), Koglweogo dhe Dan au Ambassagou, në Mali dhe Burkina Faso.

Përderisa shumica e armëve në fotografi dhe video ishin kallashnikovë me origjinë sovjetike, të trashëguar me dekada, Amnesty International ka identifikuar 12 raste kur luftëtarët mbanin armë më të reja nga kompania serbe Zastava. Këto përfshijnë mitralozat e rëndë M02 Coyote dhe pushkët e serive M92 dhe M05, si dhe modelet më të fundit M05E3, të cilat nuk ishin në dispozicion para fillimit të luftimeve në veri të Malit, në vitin 2011.

Ndonëse konstatimi i një zinxhiri të saktë orientues për këto armë nuk ishte i mundur, ka të ngjarë që ato të ridrejtoheshin te grupet e armatosura apo përmes kanaleve të paligjshme ose duke pushtuar fushat e betejës, thekson Amnesty International.

Në periudhën 2015-2020, sipas raporteve vjetore për ATT-së, Serbia paraqiti një transferim të tërësishëm në Burkina Faso, të 20.811 pushkëve dhe karabinave; 4.000 pushkëve të sulmit; 600 revoleve dhe pistoletave vetëngarkuese dhe 290 mitralozave, thotë Amnesty International.

ATT-ja kërkon nga shtetet palë të vlerësojnë rrezikun e devijimit të armëve, veçanërisht të armëve të vogla dhe atyre të lehta, të cilat lehtësisht fshihen dhe transportohen.

Në qoftë se ekziston një rrezik domethënës që armët të devijohen te përdoruesit përfundimtarë, të cilët do t’i përdornin ato për të shkelur ose lehtësuar shkeljet e të drejtave të njeriut, eksportet nuk duhet të miratohen.

Më 2020, Serbia paraqiti transferin e armëve në Burkina Faso, ku konfliktet ishin në vazhdim e sipër

“Deri në vitin 2020, kur Serbia për herë të fundit ka lajmëruar transportimin e armëve në Burkina Faso, dhuna ndërmjet grupeve të armatosura ishte në vazhdim e sipër. Çdo vlerësim adekuat i rrezikut nga Serbia do të arrinte në përfundimin se shitja e armëve në Burkina Faso ka të ngjarë të kontribuojë në shkeljen e të drejtave të njeriut”, tha Patrick Wilcken në një raport të Amnesty International.

“Armët serbe që kemi identifikuar janë dëshmia më e re se çdo armë e shitur qeverive në rajonin Sahel rrezikon të bjerë në duart e grupeve brutale të armatosura dhe të nxisë një përkeqësim të konfliktit”, paralajmëroi Wilcken.

Armë të tjera evropiane për Malin dhe Burkina Fason

Sipas të dhënave zyrtare nga raporti vjetor i Bashkimit Evropian, që nga viti 2013, vendet e BE-së kanë lëshuar 506 licenca për pajisje ushtarake për Malin dhe Burkina Fason, në vlerë prej 205 milionë euro. Sllovakia raportoi transferimin e 1.000 armëve sulmuese, 2.460 pushkë dhe karabina, 550 mitraloz; 680 pistoleta dhe revole dhe 750 pushkë-mitraloz për në Malin. Republika Çeke raportoi transferimin e 3.500 pushkëve të sulmit dhe 10 mitralozave në Burkina Faso. Franca raportoi 1.164 pistoleta të tjera dhe revolverë vetëngarkues, katër pushkë dhe karabina, së bashku me 13 automjete të blinduara luftarake në Mali.

“Ndërkohë që situata po përkeqësohet në Sahel, të gjitha vendet eksportuese duhet të miratojnë masa të rrepta mbrojtjeje për të parandaluar devijimin e armëve nga grupet e armatosura ose përdorimin e tyre për shkelje të të drejtave të njeriut nga ama e forcave të armatosura. Në qoftë se ato nuk mund të garantohen, armët nuk duhet të eksportohen. Vendet importuese gjithashtu duhet të shtypin shitjen ilegale të armëve dhe të sigurojnë që rezervat të jenë të sigurta”, ka paralajmëruar Patrick Wilcken nga Amnesty International.

Më 24 gusht, zyrtarët në Serbi nuk kanë dhënë deklaratë publike lidhur me raportin e Amnesty International.

Në vitet e mëparshme, armët serbe përfunduan në duart e ekstremistëve dhe fraksioneve të armatosura në Siri.

Në një hulumtim nga Rrjeti i Kërkimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) dhe Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), në vitin 2016, thuhet që përgjatë më pak se një viti, nga Aeroporti “Nikola Tesla” në Beograd, gjithsej 49 aeroplanë kishin transferuar armë nga Evropa Qendrore dhe Lindore nga Lindja e Mesme dhe Turqia.

“Ne po flasim gjithashtu për armët e reja që janë prodhuar në vitin 2015 dhe të cilat tani janë në Siri”, pati thënë asokohe për Radion Evropa e Lirë, redaktorja rajonale e OCCRP, Miranda Patruciq.

Ajo përkujtoi se sipas ligjit ndërkombëtar, nëse ekziston vetëm dyshimi se ato armë mund të përfundojnë diku tjetër, ajo dërgesë duhet të refuzohet, domethënë nuk duhet të lëshohet një leje eksporti.

Në vitin 2013, Serbia refuzoi të japë leje për eksportin e armëve në Arabinë Saudite sepse autoritetet dyshuan se armët nuk ishin të destinuara për atë shtet, se ato nuk do të përdoreshin atje dhe se Arabia Saudite nuk e përdorë fare atë lloj arme.

Megjithatë, siç kanë treguar raportet e mediave, më vonë, armët serbe u eksportuan përsëri dhe ranë në duart e ekstremistëve.

Ushtari kamerunas qëllon gratë dhe fëmijët me një pushkë M21 nga Zastava e Kragujevcit

Pas publikimit të një fotografie të një ushtari të Kamerunit, në mesin e vitit 2018, duke qëlluar mbi gratë dhe fëmijët me një pushkë M21, e prodhuar në Zastava të Kragujevcit, Amnesty International i kërkoi Serbisë që të ndalonte dërgimin e armëve në atë vend.

“Kjo armë është në shitje. Bëhet fjalë për gjashtë marrëveshje tregtare me Kamerunin që nga viti 2014. Vlera e asaj pune është 31 milionë euro dhe një milion e 900 mijë dollarë. Fundja, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Austria eksportojnë dhjetë herë më shumë armë në Kamerun sesa eksporton Serbia”, deklaroi ministri i atëhershëm i Tregtisë i Serbisë, Rasim Lajiç për televizionin H1.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, Kameruni ka qenë një nga blerësit më të mëdhenj të armëve serbe që nga viti 2013.

Në shtator të vitit 2017, portali hulumtues BIRN raportoi se në Twitter janë paraqitur fotot e mitralozave serbë Kojot në Kamerun dhe Nigeri, të cilat u kapën nga luftëtarët e Boko Haram.

Armët serbe përfunduan në Donbas, Jemen dhe Siri

Portali hulumtues ndërkombëtar Arms Watch raportoi në vitin 2019 se armët serbe po përdoreshin në Ukrainë, në luftimet në lindje të atij vendi.

I pyetur nga gazetarët nëse Serbia i shet Ukrainës armë që përdoren në Donbas, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se kjo nuk është e vërtetë.

“Ne e kemi hetuar tregtinë e tërësishme me Ukrainën, e cila është ‘end user’ (përdorues i fundit) i lejuar. Nëse do ta bënim, gjithçka do të ishte sipas ligjit, por rastësisht ndodhi që nuk e bëmë ”, deklaroi Vuçiq.

Po atë vit, i njëjti portal publikoi informacionin në lidhje me eksportet potencialisht të korruptuara të armëve, në të cilat humbësit ishin kompania shtetërore Krushik dhe buxheti serb, ndërkaq përfitues ishte kompania private GIM, e përfaqësuar nga babai i ministrit të Brendshëm të atëhershëm, Nebojsha Stefanoviq.

Armët, të cilat përmes GIM, me ndërmjetësimin e babait të ministrit të atëhershëm Stefanoviq, u blenë nga kompanitë nga Arabia Saudite, Emiratet e bashkuara Arabe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç ka theksuar gazetarja hulumtuese nga Bullgaria, Dilijana Gajtandzhieva, në fund përfundonin në duart e miltantëve islamikë në Jemen dhe Siri, grupe që kryen krime të shumta lufte.

Ministri Stefanoviq i mohoi këto pretendime.

Ministria e Tregtisë: Nuk jemi përgjegjës për armët në Jemen

Ministria e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit të Serbisë, në shtator të viti 2019, mohoi akuzat në media se armët e prodhuara në Serbi ishin eksportuar në Jemen, duke theksuar se nuk ishte lëshuar asnjë licencë për eksportin e armëve, pajisjeve ushtarake dhe mallrave me përdorim të dyfishtë në Jemen, si dhe për eksport në çdo vend tjetër nën sanksione nga bashkësia ndërkombëtare.

Në një komunikatë të kësaj ministrie, gjithashtu thuhej se Serbia “nuk mund të mbajë përgjegjësinë për mënyrën sesi vendi i destinacionit përfundimtar do të vazhdojë të trajtojë mallrat e importuara”.

Armët e prodhuara në Serbi u panë në gusht të viti 2019, në fotografi të anëtarëve të të dy palëve të përfshira në konfliktin e përgjakshëm në Jemen, vend ky i cili është nën regjimin e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara për importet e armëve.

Në Jemen janë në konflikt tre grupe etnike Huthi, për të cilat spekulohet se e gëzojnë mbështetjen e Iranit, me forcat e mbështetura nga Arabia Saudite fqinje, e cila kontrollon Jemenin verior, me kryeqytetin Sanaa.

U publikua fotografia me një ushtar që mbante një pushkë M93, të prodhuar në një fabrikë në Kragujevac. Ngjashëm ndodhi edhe në korrik, kur përmes Twitterit u përhap fotografia e një ushtari, pjesëtar i forcave pro-saudite, me një pushkë M05 të Zastavës.

Organizata joqeveritare ndërkombëtare Human Rights Watch ka bërë thirrje për t’i dhënë fund eksportit të armëve në Arabinë Saudite, pasi që 26 fëmijë u vranë dhe të paktën 19 u plagosën në sulmet ajrore në Jemen, më 9 gusht të vitit 2019.

Drejtori i përgjithshëm i fabrikës Kragujevac “Zastava Oružje” (Armët Zastava), Milojko Bërzakoviq, në maj të vitit 2017, i tha Radios Evropa e Lirë se kompania kishte informacione se mitralozi nga prodhimi i saj ishte në fushëbetejën siriane. Sipas tij, ato armë nuk ishte dërguar në Siri, por që një sasi e caktuar ishte eksportuar ligjërisht në Arabinë Saudite. /REL

Lexo më shumë nga

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…