Si do të sundojnë talebanët?

Dr. Carter Malkasian ishte asistent special për strategjinë e Shefit të Shtabit të Përbashkët, Gjeneral Joseph Dunford, nga 2015 deri në 2019


Nga Dr.Carter Malkasian

Përparimi i talebanëve në Kabul dhe rënia e qeverisë demokratike afgane, ndodhën në pak javë me një shpejtësi mbresëlënëse. Kthesa marramendëse e ngjarjeve dhe skenat e kaosit dhe dëshpërimit që pasuan, kanë sjellë në mënyrë të kuptueshme ngritjen e një sërë pikëpyetjesh se si gjërat u përkeqësuan kaq shpejt.

Por suksesi i shpejtë i talebanëve, ka shumë për të na rrëfyer mbi perspektivat e sundimit të tyre. Si për shembull lirinë e madhe që ka të ngjarë të kenë për zbatimin e vizionit të tyre gjatë viteve të ardhshme, por edhe sfidat e mëdha që do të shfaqen me kalimin e kohës.

Talebanët janë shfaqur këto vite si organizata politike më efektive në Afganistan. Për 2 dekada, teksa politikanët afganë grindeshin me njëri-tjetrin dhe demokracia dobësohej, vlerat, organizimi dhe kohezioni i talebanëve rezultoi të ishte i qëndrueshëm.

Të motivuar nga konceptet e tyre të unitetit dhe identitetit afgan, talebanët kapërcyen dy lidershipe tranzitore, ngritjen e Shtetit Islamik dhe një prani ushtarake amerikane 20-vjeçare. Tani ata janë në krye të vendit, dhe ka të ngjarë të qëndrojnë në krye për ca kohë.

Por kjo nuk do të thotë se fitorja e tyre përfaqëson fundin e 40 vite luftë, pasiguri dhe trauma në Afganistan. Talebanët përballen me varfërinë, grindjet e brendshme, kultivimet e paligjshme të drogës, ndërhyrjen e vendeve fqinje dhe kërcënimin e kryengritjeve që janë endemike në vendin e tyre.

Ndonëse u duk sikur rivënia nën kontroll e vendit ishte shumë e shpejtë, talebanët kishin vite të tëra që kishin hedhur bazat për ofensivën e tyre të fundit. Që nga viti 2014, ata kishin ushtruar shumë presion ndaj forcave qeveritare jashtë fshatrave dhe qendrave të rajoneve dhe provincave.

Deri në fundin e vitit 2020, gati çdo kryeqytet krahinor në Afganistan ishte i prekshëm nga sulmet e talebanëve. Sulmi që përfundoi me rënien e Kabulit nisi në maj të këtij viti. Në shumë raste ushtria dhe policia merrnin arratinë, duke lënë pas armë dhe automjete. Ndonjëherë ato ranë dakord t’ia dorëzonin krahinën talebanëve, për të shmangur gjakderdhjen, dhe në këmbim të një largimi të sigurt. Një nga lëvizje kryesore strategjike të talebanëve, ishte bllokimi i rrugëve apo i vendkalimeve kufitare në qytetet kryesore.

Në javën e fundit të korrikut, talebanët ndërmorën sulme të mëdha në Herat, Kandahar dhe në kryeqendrën e Helmandit, Lashkar Gah.

Në kushtet kur shumë kryeqytetet krahinore po nënshtroheshin, ushtarët dhe komandantët vendosën të arratiseshin, të dorëzoheshin ose të fshiheshin, në vend se të luftonin deri në vdekje. Ata kishin mundësi që të shihnin se në cilën anë frynte era.

Kolapsi në dukje spontan, nuk është aspak i papredecent në historinë afgane. Siç e ka shpjeguar antropologu Thomas Barfield, disfatat në provinca,kanë sjellë kolapsin e shpejtë të regjimeve afgane, dhe kjo pasi përkrahësit ndërrojnë anë ose dorëzojnë armët në vend se të luftojnë deri në vdekje.

Si ngjitja fillestare e talebanëve në pushtet në vitet 1990, ashtu edhe rënia e tyre në vitin 2001 janë shembuj të këtij fenomeni. Tani talebanët thonë se po hartojnë një kushtetutë të re, dhe udhëheqësi taleban Mullah Abdul Ghani Baradar gjendet në Kabul duke diskutuar për formimin e qeverisë së ardhshme me Karzai, Abdullah dhe të tjerët.

Pavarësisht përmbajtjes së diskutimeve, qeveria e re ka të ngjarë të përfshijë ligjin islamik si bazën e vetme të sistemit ligjor, të centralizojë pushtetin nën një udhëheqës të vetëm taleban, dhe të ndajë një sasi simbolike të pushtetit me udhëheqësit e tjerë afganë (ndoshta Karzain apo Abdullah).

Kushtetuta e re mund të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve. Por ato do të zhvillohen në mënyrë të tillë që të garantojë kontrollin e talebanëve mbi funksionet kryesore të shtetit. Tani për tani, talebanët po e përfundojnë fazën e parë “të misionit të tyre të përfunduar”.

Në fillim talebanët u premtuan kundërshtarëve se nuk do të pësonin gjë po të dorëzonin armët pa bërë rezistencë. Me siguri ata do të vazhdojnë të bëjnë premtime të tilla për të rritur pranueshmërinë e regjimit të ri, madje mund të ofrojnë disa lëshime për të afruar kundërshtarët e dikurshëm.

Por kontrollit ushtarak nga ana e talebanëve, i bën të pabesueshme angazhimet e tyre verbale. Me kalimin e kohës, udhëheqësit talebanë do të kenë pak arsye për të mos e përdorur fuqinë e tyre ushtarake për të konsoliduar dhe monopolizuar kontrollin e pushtetit.

Ndërkohë fitorja e talebanëve ka treguar një shkallë kohezioni, që ka të ngjarë të vazhdojë. Ka qenë gjithnjë e vështirë të dihej me siguri se sa të unifikuar kanë qenë talebanët:ata përbëhen nga lëvizja kryesore talebane nga Afganistani Jugor, rrjeti Hakani nga Afganistani Lindor, dhe një sërë grupesh fisnore të lidhura dhe grupime të vogla militante.

Ofensiva e fundit e koordinuar në të gjithë Afganistanin, pasqyron bashkëpunimin dhe kohezionin midis këtyre grupeve të ndryshme. Në dallim nga muxhahidinët në vitin 1989, talebanët nuk u ndanë në fraksione pasi u tërhoq pushtuesi i huaj.

Një kohezion i tillë, mund t’i ndihmojë që të vendosin një farë rendi në territorin e tyre, sidomos provincat jugore dhe lindore ku kanë bazën e mbështetjes. Por fitorja e talebanëve tregon se qeveria e tyre e re mund të gëzojë një mbështetje më të gjerë popullore sesa kur ishte në pushtet në vitet 1996-2001.

Ata gëzojnë aktualisht mbështetjeje nga taxhikët dhe uzbekët në veri, që dikur ishin kundër tyre. Nëpër qytete, shumë të rinj pa mjekra po fotografohen me talebanët, dhe të paktën disa afganë të arsimuar urbanë duket se tani kanë nisur të punojnë me ta.

E megjithatë, talebanët kanë përpara sfida dhe dobësi të tjera që do të vazhdojnë, dhe që ka të ngjarë të forcohen me kalimin e kohës. Së pari, politikat dhe grindjet fisnore, janë mallkimi i të gjitha qeverive afgane. Edhe talebanët do ta kenë të vështirë t’i menaxhojnë ato.

Fiset kanë rivalitet të gjatë, dhe i japin shpesh përparësi nderit individual mbi pranimin e ndërmjetësimit. Kur bëhet fjalë për çështjet e tokës dhe ujit, talebanët do të përpiqen të kënaqin fermerët pa tokë, që kanë qenë një burim kryesor i mbështetjes.

Por këto vendime do të shqetësojnë udhëheqësit e fiseve që dalin tëhumbur. Edhe sipas ligjit islamik, udhëheqësit e fiseve do të duan të mbrojnë tokën e tyre, e cila është burimi i jetesës për familjet e tyre. Përplasjet fisnore dhe thirrjet për hakmarrje janë të pashmangshme, dhe do të jenë jo pak problem për talebanët, ashtu siç ndodhi edhe në vitet 1990.

Po ashtu ata do ta kenë të vështirë të balancojnë konkurrencën në fushën e kultivimit të opiumit. Taksimi i këtij sektori, ka qenë burimi kryesor i të ardhurave për talebanët, dhe lejimi i kultivimit të tij ka sjellë mbështetjen e fermerëve të varfër, që i strehuan talebanët vitet e fundit

Tani që janë ri-ngjitur në pushtet, talebanët do të përballen me një presion të madh nga jashtë. Ndoshta duke përfshirë fqinjët e plotfuqishëm si Kina dhe Irani. Por duke pasur parasysh rëndësinë politike dhe ekonomike të opiumit, kritikat nga ndërkombëtarët ka të ngjarë të kenë një ndikim të dobët.

Ndërkohë suksesi i shpejtë ushtarak, nënkupton se talebanët do të humbasin financimin ndërkombëtar që mund të vazhdonte deri diku, nëse ata do të vinin në pushtet përmes një zgjidhjeje të kompromisit politik. Kjo i lë talebanët edhe më të ndërvarur nga kultivimi i drogës dhe financimet nga Kina.

Kontrolli i talebanëve mbi Afganistanin nuk ka të ngjarë të mbetet i pakontestueshëm. Ahmad Massoud (djali i luftëtarit të famshëm të rezistencës anti-sovjetike Ahmad Shah Massoud) dhe Amrullah Saleh (zëvendësi i Ghani),kanë deklaruar se po riorganizojnë një lëvizje të rezistencës në Luginën Panjshir.

Por duke pasur parasysh ngjarjet e 3 muajve të fundit, ka shumë arsye për të qenë pesimistë në lidhje me perspektivat e tyre. Forca të tilla ishin në një pozicion shumë më të mirë për të luftuar disa muaj më parë. Por me disa përjashtime, përgjigjja e udhëheqësve dhe forcave të tyre ishte e dobët.

Në Afganistan, mënyra tradicionale e luftës shpesh përfshin mos-luftimin ballë për ballë me armikun, por zhvillimin e një luftë guerile. Britanikët, sovjetikët dhe amerikanët – dhe vetë talebanët gjatë qëndrimit të tyre të fundit në pushtet -u përballën me një rezistencë të tillë.

Gjatë 40 viteve të fundit, asnjë sundimtar nuk ka arritur të sjellë stabilitet në Afganistan. Ka pasur momente të tjera kur populli afgan dukej i rraskapitur nga lufta dhe kur dhuna dukej se kishte marrë fund: gjatë tërheqjes së sovjetikëve në vitin 1989, ngjitjes së parë të talebanëve në pushtet në vitin 1996, dhe gjatë ndërhyrjes amerikane në 2001.

Çdo herë, dhuna u rikthye, e ndihmuar nga ndarjet e brendshme të Afganistanit, terreni i ashpër, burimet e pakta dhe fqinjët problematikë. Të njëjtat pengesa për sundimin e qëndrueshëm vazhdojnë edhe sot. Edhe nëse duken të mirë-pozicionuar për të vendosur rendin, talebanët përballen sërish me sfida të vërteta strukturore.

Tani për tani, talebanët, kanë momentin e tyre të “misionit të kryer”. Por ka shumë arsye të mendohet se 40 vitet e luftës civile dhe traumat në Afganistan, mund të mos kenë përfunduar. Në një mënyrë a tjetrën, talebanët ka të ngjarë të konstatojnë se qeverisja e Afganistanit është shumë më e vështirë sesa pushtimi i tij.

Dumani: Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë

Aplikacionet Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë.

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Dumani: Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë

Aplikacionet Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë.