Kryebashiaku i Tiranës, Erion Veliaj, takon afganët e strehuar në Qytetin Studenti
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi Qytetin Studenti, aty ku prej 6 ditësh janë strehuar qytetarët e mbërritur nga Afganistani.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe nënkryetarja Anisa Ruseti vizituan sot Qytetin Studenti, aty ku prej 6 ditësh janë strehuar qytetarët e mbërritur nga Afganistani. Me ndihmën e stafit social të Bashkisë së Tiranës, të cilët po punojnë me 3 turne për t’iu gjendur pranë për çdo nevojë, familjet e sistemuara në dy godinat e rikonstruktuara të Qytetit Studenti shprehen mirënjohjen për mikpritjen shqiptare.
“Dua të falenderoj skuadrën shqiptare dhe të gjithë ata që na ndihmuan të largoheshim nga Afganistani. Për ne ishte një situatë shumë e vështirë për të hyrë në aeroport, sepse gjithçka jashtë aeroportit ishte nën kontrollin e talebanëve.
Ishte shumë e vështirë të hyje, sidomos atë natë kur kishte shpërthime bombash dhe kushdo humbi shpresat për t’u larguar nga Afganistani, duke menduar se do të humbte edhe jetën. Ndihemi të lumtur që na ndihmuat për të ardhur këtu dhe ju falenderoj edhe në emër të të gjithë afganëve të tjerë,” u shpreh një qytetare.
Kryebashkiaku Veliaj kujtoi edhe njëherë eksperiencën e ngjashme të shqiptarëve 30 vite më parë.
“Kur dëgjoj historinë tuaj, më kujtohet se para 30 vitesh ne kaluam thuajse të njëjtën histori me Afganistanin, dhe shumë shqiptarë u detyruan të largoheshin.
Në fillim të gushtit përkujtuam eksodin e madh të emigrantëve shqiptarë me anijen “Vlora”. 20 mijë njerëz në mes të detit, që prisnin për të shkuar në Itali. Është në historinë tonë të para 30 viteve, por edhe në nderin e paraardhësve tanë, që sot ne të kemi mundësinë të ndihmojmë sadopak,” u shpreh Veliaj.
Kreu i Bashkisë tha gjithashtu se ekipet e ndihmës janë në gatishmëri edhe për çdo problem shëndetësor, sidomos në kushtet e pandemisë globale të Covid 19. /Tiranapost.al