Ambasadori turk: Synojmë rritjen e shkëmbimeve tregtare mes Turqisë dhe Shqipërisë
Ambasadori turk në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, theksoi se synojnë rritjen e shkëmbimeve tregtare mes Turqisë dhe Shqipërisë
Nga Faton Cuka, AA
Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, ka realizuar një vizitë në zonën industriale të Elbasanit, duke u takuar me drejtuesit e kompanisë Kurum, ndërkohë ai theksoi se synojnë rritjen e shkëmbimeve tregtare mes Turqisë dhe Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ambasadori Yörük u prit nga Presidenti i Shoqërisë Kurum International sh.a, Haşmet Bedi Kürüm dhe përfaqësues të tjerë të kompanisë, dhe më pas vizitoi ambientet e fabrikave dhe uzinave të kompanisë Kurum, e specializuar në prodhimin e hekur-çelikut, energjisë elektrike dhe gëlqeres.
Në një deklaratë për AA, ambasadori Yörük, tha se gjatë takimeve në kompaninë Kurum, kanë diskutuar për investimet në vijim si dhe bashkëpunimet e mundshme.
“Turqia është investuesi më i madh në Shqipëri dhe në të gjithë Shqipërinë ka rreth 600 kompani (turke) investim i të cilave shkon në 3,5 miliardë dollarë. Ata kanë të punësuar rreth 15 mijë qytetarë shqiptarë. Shkëmbimet tregtare mes dy vendeve tona pothuajse kanë kaluar gjysmë miliard dollarë. Kompania ku unë sot ndodhem është një kompani e cila operon në sektorin e prodhimit të çelikut dhe sipas informacioneve qe mora nga drejtuesit e saj mësova që kjo kompani prodhon mbi 1 milion ton në vit si dhe ka të punësuar mbi 1 mijë punonjës qytetarë shqiptarë”, tha Yörük.
Ambasadori turk theksoi se synojnë rritjen e shkëmbimeve tregtare mes Turqisë dhe Shqipërisë. Ai rikujtoi se gjatë vizitës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Turqi në janar të vitit 2021 u nënshkrua edhe marrëveshja e partneritetit strategjik mes dy vendeve.
“Një nga pikat që parashikon kjo marrëveshje është edhe rritja e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve si dhe rritja e investimeve turke në Shqipëri. Në këtë kuadër edhe unë si ambasador jam në kontakt me kompanitë turke të cilat kanë investuar në sektorë strategjikë në Shqipëri. Jemi duke marrë opinionet e kompanive tona që operojnë këtu për mënyrën se si do të mund të rrisim bashkëpunimin dypalësh në fushën e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve”, u shpreh ambasadori turk.
Duke iu referuar qeverisë së re të Shqipërisë që pritet të formohet në ditët në vazhdim, ambasadori Yörük tha se do të punojnë me institucionet për të çuar në një stad më të mirë marrëdhëniet dypalëshe.